Flash News
Paraqitet në SPAK, ish-ministri dhe deputeti socialist, Nasip Naço
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
Presidenti Begaj dekreton ligjin për zonat e mbrojtura
Mbytet në ujin e shatërvanit një i mitur afgan në Shëngjin
A do të protestonte “mjaftisti” Erion Veliaj kundër prishjes së Teatrit Kombëtar?
Gentian Gaba
Prej 6 ditësh, jo më larg se dyqind hapa nga zyra e Erion Veliajt, një grupim gjithnjë e më i madh njerëzish, proteston kundër shembjes së Teatrit Kombëtar. Me Gjykatën Kushtetuese të paralizuar, dhe të paaftë për të shqyrtuar kushtetueshmërinë e projektligjit të ri, përballë një mazhorance arbitrare dhe të shurdhët kundrejt kërkesave të atyre që bëjnë thirrje të ndalet ‘përdhunimi’ i Kushtetutës dhe pronës publike, mjeti i vetëm i përballjes ka mbetur protesta.
Artistët, të mbështetur nga qytetarë, politikanë, dhe përfaqësuese të shoqërisë civile, e kanë kthyer sheshin midis dy godinave të Teatrit në një agora, një hapësirë publike ku i jepet zë, jo vetëm mbrojtësve të Teatrit, duke luftuar mujsharinë e qeverisë, por edhe në një tribunë fisnike ku kërkohet rehabilitimi i sensit të protestës.
Nuk dihet nëse përgjatë këtyre ditëve kryebashkiakut Veliaj do t’i ketë kaluar ndërmend thënia e famshme që i atribuohet revolucionarit francez Pierre Victurnien Vergniaud, ditën përpara se të vendoste kokën në gijotinë, “revolucioni është si Saturni, ha bijtë e vet”. Sigurisht, Veliaj nuk ka qenë kurrë një revolucionar, megjithatë, kur në 2003 u shfaq si një ‘hirushe’ në jetën politike të vendit, retorika e tij kishte një stofë revolucionare; kërkonte rrëzimin e regjimit të vjetër politik, duke u mësuar shqiptarëve se si bëheshin protesta të forta kundër abuzimeve të pushtetit.
Në krye të Lëvizjes ‘Mjaft’, Veliaj luftonte për një Shqipëri të mirëqeverisur, me pjesëmarrjen e qytetarëve dhe komuniteteve aktive; të shkundte apatinë, të rriste kërkesën publike për një jetë më dinjitoze, të inkurajonte vullnetarizmin dhe të përmirësonte bashkëpunimin mes komuniteteve.
Ndonëse Veliaj i vitit 2003, në përmbushje të misionit me të cilin kishte ngarkuar veten, do të ishte në krah të protestës së artistëve, ndoshta më zhurmëmadhi i çdo aktiviteti, Veliaj i vitit 2018 është kthyer në birin që hëngri “revolucionin e vet”, në një përmbysje totale të thënies së Vergniaud.
Jo sepse arriti të përmbushte qëllimet e ‘Mjaft’-it, por sepse i tradhëtoi ato në funksion të qëllimeve të tij politike.
Pesmbëdhjetë vite më vonë, ai ndodhet në anën e kundërt të barrikadës, dhe koka e tij është sot një nga emblemat e një regjimi të ri, të korruptuar sa ai i vjetri. Aktivisti, i kthyer në politikan, gjendet përballë një pasqyre që reflekton në të tashmen tonë të shkuarën e tij si drejtues i Mjaft-it. Parabola e pamëshirshme e dy kohëve të Veliajt, na jep imazhin më kuptimplotë të transformimit të një rioshi, që dikur kalëronte betejat qytetare në emër të shoqërisë civile, ndërsa nga pozitat e reja të politikanit i përbuz ato. Me të njëjtin fjalor që kundërshtarët e tij përdorin për të përçmuar mjaftistët dhe protestat e tyre.
Dhe, sa herë një aktivisit i dorëzohet konformizmit “business as usual” të politikës sonë aspak të lavdishme, triumfi i Veliajt si kryebashkiak, nuk përkon vetëm me disfatën e Erionit mjaftis, por me shuarjen e besimit se nga kjo lëvizje, dhe simotrat e saj, mund të vinte një fllad ndryshimi për politikën shqiptare, e cila pret prej kohësh një brez të ri dhe një stinë më të mirë.
Jo në komunikim apo propagandë, as në stil, as në mjetet e transportit me të cilat zgjedh të shkojë në zyrë; por një brez që kur bëhet establishment, respekton jo vetëm të shkuarën e vet, duke mos bërë të njëjtën politikë të atyre që dikur kritikonte, por mbi të gjitha, lartëson besimin e atyre që protestuan me vite për një Shqipëri pak më të mirë; dhe sot vijojnë të protestojnë përpara Teatrit Kombëtar.
Hello from the other side, i dashur Erjon!