Flash News
Shtyhet sërish seanca për Berishën, shkak mungesa e prokurorëve
Investimi në Sazan/ Rama pyetet pse nuk shpall tender kombëtar: Do shqyrtojmë aplikimin
Paraqitet në SPAK, ish-ministri dhe deputeti socialist, Nasip Naço
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
Alfred Lela
Në fillim, padurimi për aktorët ndërkombëtarë që futën në agjendën politike reformën në drejtësi, dhe e shtynë atë me të gjitha format e mundshme të presionit duke përdorur ‘karrotën dhe shkopin’, u shpreh nëpërmjet paradigmës gjeopolitike të sovranitetit.
Megjithëse u artikulua me më pak drojë djathtas, opozitat gjithmonë e kanë luksin e qëndrimeve më të forta, fërgëllima e ‘sovranistëve’ ndihej majtas, në qendër dhe kudo. Sovranitet do me thënë aftësia apo mundësia që një vend t’i marrë vetë, në pavarësi nga të tjerët, vendimet për punët e brendshme. Kemi të bëjmë me parimin e famshëm të vetëvendosjes që ia shërbeu botës Presidenti amerikan Woodrow Wilson, parim i cili i mundësoi Shqipërisë si komb i vogël i fillimshekullit të shkuar, të përfitonte nga shtysa e kësaj ‘ere të mirë amerikane’ e të mos copëtohej.
Reforma në drejtësi, ashtu si sovraniteti, u paraqit në vendin tonë si parim apo aksion amerikan. Dhe, në thelbin e vet, është një parim i drejtë. Mund të argumentohet pa ndonjë zor për të meta apo vrima në sistem, për gjërat që nuk parashikoi dot apo se nuk mundi, por për parimin apo nevojën që sistemi i drejtësisë në Shqipëri të ribëhej, rikonstruktohej, riformatohej, e me radhë.
Të shënjestrosh parimin apo nevojën e reformës në drejtësi ngaqë gjërat nuk shkuan siç duhet, është si t’i kundërvihesh parimit të sovraniteti të ëillsonit sepse, pas mbijetesës së Shqipërisë si shtet, ajo u pushtua prej italianëve e gjermanëve, më vonë prej komunistëve dhe më pas lëngoi në një tranzicion bajagi të gjatë. Pra, meqë akush ende nuk e arriti eliksirin e mbramë ‘lum kush të rrojë ta shohë zonjë’, poshtë sovraniteti, të q…..amerikanët bashkë me Wilson-in dhe paradigmat e tyre gjeopolitike!
Duket sikur kemi mbërritur në këtë pikë të mosmirënjohjes dhe mllefit, por sigurisht edhe panikut. Çfarë tjetër mund ta shpjegojë ngecjen dhe bllokimin e madh që i ka kapur institucionet shqiptare. Gjykatat kanë rënë dhe jeta politike nuk ka qenë kurrë më e varfër, në gjithë historinë e tranzicionit. Po të shikosh kampet politike vëren një skizofreni që rrjedh si Niagarë mbi moskuptimin e përgjithëm publik. Mazhorancës i mungon vetëdija dhe dëshira e qeverisjes, ndërsa opozitës i mungon dialektika e lëvizjes.
Nëse kryetari i qeverisë është kapur në rrjetën e marketingut politik (a nuk e zbuloi vetë Kryeministri përmes një postimi se leximi i tij i radhës ishte një libër për PR-in?), kryetari i opozitës ngjan më shumë si kryeredaktori i një gazete të madhe anti-qeveritare. Prej selisë blu dalin lajme përditë, dhe nevoja për scoop-in e radhës e ka sëmurur indin politik të opozitës. Një rast i fundit ishte denoncimi don kishotesk i një prej anëtarëve të paneleve të reformës në drejtësi, i cili nuk i paskërka punët mirë me nivelin e Anglishtes.
Redaksitë e medias, në gjendje të lirë, veprojnë sipas parimit newsworthy; pra a ka ‘vlerë lajmi’ një ngjarje. A është politically worthy një ngjarje? duhet të jetë parimi i zyrave të komunikimit të një partie të madhe politike.
Duke mos harruar se shumë lajme e anulojnë mesazhin.
Sa i takon qeverisë, kjo media (Politiko) dhe ky autor, kanë shkruar shumë për krizën e mosqeverisjes apo fazën e futjes së saj, që prej tetorit 2017, në menaxhim krizash.
Duket se po bëhet gati platforma e re për të shpjeguar ngecjen dhe për të bërë një demarsh daljeje prej saj. Të huajt. Nuk është larg stilit tonë kombëtar. Gjithmonë fajin për ngecjen e kanë patur pushtuesit, fuqitë e huaja, armiqtë e jashtëm etj.