Flash News
Vendimi për çështjen e vulës, Bardhi: Gjykata e Lartë t’i japë fund absurdit, PD i përket anëtarëve të saj
Nasip Naço del nga SPAK: U pyeta për çështjen ÇEZ-DIA, kam folur me letra, jo me heshtje
Shtyhet sërish seanca për Berishën, shkak mungesa e prokurorëve
Investimi në Sazan/ Rama pyetet pse nuk shpall tender kombëtar: Do shqyrtojmë aplikimin
Paraqitet në SPAK, ish-ministri dhe deputeti socialist, Nasip Naço
Arsyet e sulmit të Thaçit ndaj Berishës nuk kanë të bëjnë me çështjen e kufijve
Fitim Zekthi
Çështja e ndryshimit të kufijve, shkëmbimit të territoreve apo mos shkëmbimit të tyre mes Kosovës dhe Serbisë është e një rëndësie të pazakontë dhe sigurisht që do të prodhojë diskutime apo edhe debate. Gjithë këto ditë ka patur diskutime, janë shfaqur mendime të ndryshme nga politikanë, studiues, analistë etj. Të gjithë ata që janë shprehur pavarësisht emocionalitetit që imponon çështja kanë qenë të gjithë brenda normave të një diskutimi normal që bëhet në sferën publike.
Mes atyre që shprehu një qëndrim ishte edhe Ish kryeministri Sali Berisha iu cili kundërshtoi idenë e që po qarkullon së fundi për ndryshimin e kufijve dhe për shkëmbimin e territoreve. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi reagoi egërsisht duke tejkaluar çdo sens mbi atë që nënkupton debat në sferën publike. Ai tha se “Institucioneve të Republikës së Kosovës sot më së paku iu duhen këshillat e të dëbuarve me votë masive nga skena politike.
Veçanërisht të atyre që në mes viteve 1992 - 1997 tregtonin dhe bënin që me punët e tyre të pista të mbijetonte makineria ushtarake dhe policore e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Ata duke mbushur xhepat e tyre, u kujdesën me devotshmëri që rezervuarët e tankeve dhe autoblindave të jenë të mbushur plot, përkundër faktit se bashkësia ndërkombëtare kishte vënë sanksione kundër Millosheviqit.”
Teoricieni Jurgen Habermas thotë se sfera publike është diçka në të cilën përdoren argumente të vlefshme. Fyerja, shpifja, poshtërimi nuk I përkasin asaj që nënkupton sfera publike. Për Habermasin sfera publike është një zonë mes sferës politike të institucioneve shtetërore dhe sferës së individëve apo aktorëve të tjerë. Kjo zonë prodhon tension kur shteti apo institucionet shtetërore nuk përmbushin rolin e tyre për të prodhuar zhvillim, garantuar liri dhe të drejta dhe siguruar mundësi dinjitoze jetese për njerëzit.
Koncepti bazë mbi të cilin Habermas ka ndërtuar teorinë e tij mbi sferën publike është ai i individit si qenie racionale që është I aftë të debatojë duke përdorur argumenta të vlefshëm dhe qenie e aftë të marrë vendime po mbi bazën e këtyre argumentave. Debati është i domosdoshëm për të konceptuar të mirën publike përderisa askush nuk zotëron të vërtetën absolute. Shoqëria dhe institucionet shtetërore I marrin vendimet nëpërmjet debatit i cili duhet të përfshijë sa më shumë perspektiva të ndryshme.
Në këtë kuptim presidenti Hashim Thaçi e ka degjeneruar sferën publike. Hashim Thaçi nuk e ka parë atë si një sferë ku përdoren argumentet e vlefshme. Nuk ka asgjë të një qenieje racionale që përdor argument të vlefshme në sferën publike në mënyrë që të konceptohet e mira publike në lidhje me çështjen e shkëmbimit të territoreve tek ajo që ka thënë Hashim Thaçi duke iu drejtuar ish kryeministrit Berisha se ai ka “… mbushur me naftë tanket e Millosheviçit … kanë mbushur xhepat me para... … bënin punë të pista… janë larguar me votë masive etj”. Ish-kryeministri Berisha në mënyrë të thjeshtë dhe mjaft etike ka argumentuar kundër shkëmbimit të territoreve dhe kundër ndryshimit të kufijve.
Ajo që ka bërë ish-kryeministri Berisha është përdorimi i argumentave të vlefshëm për të konceptuar të mirën publike duke ofruar në të një këndvështrim. Ajo që ka bërë presidenti Hashim Haçi është sulm, sharje, fyerje dhe shpifje. Atëherë degradimi i sferës publike nga presidenti Thaçi është bërë për shkak të tensionit që krijohet, siç thotë Habermas, mes institucioneve të shtetit dhe individëve apo aktorëve të tjerë kur institucionet e shtetit nuk përmbushin rolin e tyre “për të prodhuar zhvillim, garantuar liri dhe të drejta dhe krijuar mundësi që njerëzit të jetojnë në mënyrë dinjitoze”.
Presidenti Hashim Thaçi është një politikan që ka mbi dhjetë vite në pushtet. Në këto dhjetë vite që Kosova drejtohet nga ai, nuk është bërë një vend me më pak korrupsion, me më shumë vende pune, me më shumë liri dhe të drejta, me sovranitet më të garantuar. Thaçi dhe partia e tij në dy zgjedhjet e fundit nuk kanë marrë më shumë se sa 30% të votave dhe me anë të makinacioneve të ndryshme, duke e lënë vendin pa qeveri për muaj me radhë në një përpjekje kolosale intrigash për të formuar një koalicion qeveritar, ia ka dalë të rrijë në pushtet. Dështimet në ekonomi, në luftën ndaj korrupsionit, në mbrojtjen e sovranitetit të vendit etj e kanë dobësuar atë aq shumë sa sfera publike nuk të jetë më një vend ku ai sillet si qenie e arsyeshme që përdor argumenta të vlefshme dhe krijon mundësinë që perspektiva të tjera mbi konceptimin e të mirës publike të shpërfaqen.
Ti thuash Berishës se ke mbushur me naftë tanket e Millosheviçit do të thotë të bëhesh njësh me terminologjinë më vulgare të propagandës së socialistëve dhe komunistëve shqiptarë para 20 vitesh të cilët nuk kishin asnjë ndjeshmëri për Kosovën por thjesht kishin urrejtje për kundërshtarin e tyre. Thaçit nuk i lejohet kjo rënie në nivelin vulgar të socialistëve dhe komunistëve të viteve 1990. Vetë Berisha ka thënë se gjatë luftës në Bosnje dhe gjatë embargos Millosheviçi e gjente naftën nga dhjetëra burime dhe ata që vuanin ishin vetëm shqiptarët e Kosovës. Kështu që lejimi I futjes së naftës në ish Jugosllavi bëhej që shqiptarët të kishin naftë. Kjo është një tezë të cilën edhe vetë socialistët dhe komunistët shqiptarë nuk e kundërshtojnë dot sepse e dinë që Millosheviç merrte naftë nga shumë burime dhe se embargoja thyhej edhe nga vende të tjera.
Të thuash se Berisha dërgonte naftë tek Millosheviç dhe kujdesej për xhepat e tij kjo tejkalon edhe propagandën vulgare të komunistëve dhe socialistëve shqiptarë në ato vite dhe është e habitshme se si e përdor presidenti i Kosovës dhe se si ai akuzon pa asnjë provë publikisht ish-presidentin shqiptar. Nga ana tjetër të thuash se nuk presim këshilla nga ata që janë larguar me votë masive është jo vetëm qesharake por edhe e poshtër. Së pari me vota masive është larguar edhe Xhorxh Bush i vjetër në 1992 nga Klinton, Churchill që fitoi luftën e dytë botërore në 1945-ën, Helmuth Kohl që bashkoi Gjermaninë etj. Kjo nuk do të thotë se ata nuk kanë apo nuk kishin të drejtë të flisnin për vendin e tyre. Së dyti presidentit të Kosovës nuk i lejohet komenti publik i rezultateve zgjedhore në Shqipëri. Nuk e ka bërë as Rugova, as Sejdiu, as Jahjaga, as Berisha, as Meidani, as Moisiu, as Nishani, as Meta. Nuk e bën askush në botë.
Tërë reagimi i Thaçit ishte i shëmtuar. Ai tregon një përkeqësim të thellë të rolit të institucioneve të shtetit dhe të mospërmbushjes së detyrave dhe përgjegjësive. Le të shpresojmë që ky përkeqësim të mos përfshijë rolin e institucioneve të shtetit në diskutimet mbi shkëmbimin e territoreve dhe ndryshimit të kufijve.