Flash News
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci
Konstituimi i grupit të dialogut PD-PS, Bylykbashi: Prioritet është Reforma Zgjedhore
Konstituohet grupi i dialogut mes opozitës dhe mazhorancës për ‘Reformat’
Tragjikomedia e AADF me Butrintin: Një i panjohur do të drejtojë bordin shkencor të fondacionit
Besnik Mustafaj
Do të doja që në këtë përvjetor t’i shkruaja një letër Azemit për ta vënë në dijeni për tri gjëra.
Së pari, do t’i thosha se vendi, Shqipëria jonë, siç i drejtohej ai atdheut, po shkon shumë keq. Ëndrra e tij e panegociueshme për ta parë Shqipërinë tonë si gjithë Europa ka ngecur në vend. Jo se shqiptarët kanë ndërruar mendje e nuk e duan më këtë ëndërr. Përkundrazi. Por se udhëheqësit e tyre politikë, qeveria, po punojnë mbrapsht. Korrupsioni është bërë një gangrenë, që po bren në palcë moralin e shoqërisë dhe po pengon zhvillimin e natyrshën të ekonomisë si ekonomi e tregut të lirë. Njerëzit, hallexhinjtë, janë të detyruar të shesin edhe shpirtin për të mbajtur gjallë frymën.
Krimi i organizuar është bërë zoti i vërtetë i vendit. Rrjetet kriminale po funksionojnë si një federatë kartelesh. Ato e kanë ndarë Shqipërinë në parcela sipas interesave të secilit kartel, kanë vendosur rregullat e fqinjësisë midis tyre, kanë bërë marrëveshjet e nevojshme për të mos i prishur punë njëri – tjetrit dhe mbretërojnë të qetë. Pa mbrojtje janë njerëzit e thjeshtë, ata që të ndoqën ty me shpresën se do të vinte dita kur “të shihnin punën e tyre”, të bindur se “puna e tyre” ishte pjesë thelbësore e “punëve të mëdha të Shqipërisë”. Ky ishte kuptimi që u dhe ti për lirinë. Ky kuptim po zbatohet. Kjo sepse krimi i organizuar ka kapur shtetin.
Nëpërmjet kësaj letre do të doja ta vija në dijeni Azemin se shqiptarët i ka pushtuar dëshpërimi, një dëshpërim i ngjashëm me atë të vitit 1991, kur humbëm zgjedhjet e para. Por, gjatë atij viti përmbysjesh madhështore, shqiptarët e mblodhën shpejt veten, u bashkuan me besimin në vete rreth Partisë Demokratike të ringjallur në sajë të shpresës, nuk u pajtuan me të keqen, iu kundërvunë asaj dhe arritën ta çojnë vendin në zgjedhjet e parakohshme të vitit 1992, kur edhe fituam. Kësaj here dëshpërimi duket i thellë, i përgjithshëm pa shenja shërimi. Shpresën e humbur në rimëkëmbjen e atdheut të tyre, ata po e kërkojnë jashtë, vetëm jashtë, kudo qoftë, në Europë po e po, por edhe në Amerikë, në Australi, në Zelandën e Re. Janë përditë e më të shumtë ata që duan të ikin. Më shumë se 350 mijë veta kanë aplikuar vjet vetëm për Lotarinë amerikane. Përfytyro: më shumë se 15 për qind e popullsisë gdhihet e ngryset me duart të mbledhura në kraharor, duke u lutur për fatin “amerikan”. Të tjerët vrasin mendjen e sajojnë gjithfarë historish dramatike, me shpresën të punësh nëpër Europë si viktima. Duket sikur të gjithë duan të ikin, t’ia mbathin nga sytë këmbët. Edhe mua vetë më shkon nganjëherë mendja për të ikur. Shqipëria jote, i dashur Azem, po zbrazet.
Së dyti, do t’i thosha se Partia Demokratike nuk është ende aty ku e kërkon Historia, ku e doje ti. Ajo nuk po tregohet e aftë për t’i dhënë zë politik kësaj pakënaqësie të thellë popullore, nuk po arrin të mëshirojë atë, që është jetike sot për Shqipërinë, shpresën e njerëzve e për t’i udhëhequr ata në rrugën drejt përmbushjes së ëndrrës tënde, e cila është tashmë edhe ëndrra e tyre, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Por, me shpirtin që ke lënë ti te demokratët dhe patriotët e vërtetë, i dashur Azem, unë kam ende një fije besimi se kjo parti ka brenda vetes energji për t’u ringritur.
Besimin tim e ushqen para së gjithash një fakt, i cili e di se do të gezojë veçanërisht: shoh shumë të rinj, djem e vajza në moshën e Azemit tënd, të cilin nuk arrite dot ta përkëdhelje, pra, djem e vajza, që nuk të kanë njohur dje, por që të duan fort, të besojnë pa mëdyshje dhe frymëzohen nga ti, po aq sa moshatarët e tu studentë, të cilët të ndoqën dikur për të çelur rrugën e lirisë, duke vrarë frikën e një popullit të tërë. Lum si ti, Azem, për ithtarët që ke!
Së treti, do të doja t’i flisja për Rudinën. Azemi e ka patur gjithmonë pikë të dobët Rudinën. Do t’i thosha sot, 20 vjet qysh kur ai nuk e ka parë më, se Rudina është rritur. Rudina nuk është më ajo lozanjarja e vogël, që i vërtitej rrotull duke cicëruar vjersha si gardelinë. Rudina është bërë një zonjë e vërtetë, e shkolluar mirë, e pjekur, e dashur si gjithnjë, e zonja për të marrë përgjegjësi. Ajo madje ta ka bërë edhe gjysh ty, i dashur Azem, edhe pse ti do të jesh një gjysh i munguar përjetësisht në familjen e saj të re. Por diku tjetër nuk do të mungosh ti në jetën e saj, Azem, nuk do të mungosh te përkushtimi i saj për politikën. Ajo është sot deputete e Partisë Demokratike. Ajo nuk ka zënë vendin tënd në Parlament. Sepse vendi yt u përket të gjithëve e jo vetëm asaj. Por ajo i është përkushtuar çuarjes përpara të ëndrrës tënde për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa, duke zënë kështu vendin e vet.
Azem, më dëgjon?
*Fjala e mbajtur dje në ceremoninë përkujtimore për 20 vjetorin e vrasjes së Azem Hajdarit.