Flash News
Vendimi për çështjen e vulës, Bardhi: Gjykata e Lartë t’i japë fund absurdit, PD i përket anëtarëve të saj
Nasip Naço del nga SPAK: U pyeta për çështjen ÇEZ-DIA, kam folur me letra, jo me heshtje
Shtyhet sërish seanca për Berishën, shkak mungesa e prokurorëve
Investimi në Sazan/ Rama pyetet pse nuk shpall tender kombëtar: Do shqyrtojmë aplikimin
Paraqitet në SPAK, ish-ministri dhe deputeti socialist, Nasip Naço
Alfred Lela
Shqipëria nuk është në Botërorin e Rusisë 2018, por kjo nuk është e papritur. Shqipëria nuk ka mundur dot të mbërrijë në finalet e asnjërës prej Kupave të Botës. Këtë ‘mosqenie’, ne shqiptarët, jemi munduar ta kompensojmë me mënyra të ndryshme. Aspak kreative duhet thënë. Klasikja ndër to është ‘abonimi i përjetshëm’ me një prej skuadrave të mëdha të huaja si Gjemania, Italia, apo Brazili etj. Një muaj që zgjat ky Botëror që çelet nesër (të enjten), shqiptarët do të të jenë më pak kuq-e-zi, për ta zëvëndësuar dyngjyrëshin kombëtar me kolorin dhe simbolikat e kombeve të tjerë.
Shqipëria nuk luan në Botëror, por ajo luan për ‘Europianin’. Jo për garën e futbollit, por atë të çeljes së negociatave që i mundësojnë bisedime të cilat e afrojnë me anëtarësimin në Bashkimin Europian. Më 28 të qershorit, kur Botërori e ka lënë pas fazën e mërzitshme të grupeve edhe është futur në shtresën ajërralluar të skualifikimeve direkte, Shqipëria prêt një shenjë shprese nga kontinenti i vjetër.
Ndërkohë që bota i ka sytë nga Rusia, ku po zhvillohet Kupa, BE duhet t’i mbajë sytë nga Shqipëria dhe fqinjët e saj ballkanikë, që këta të mos i kenë veshët nga Moska, Ankaraja apo Pekini. Kur vjen puna te Kupa e Botës së interesave gjeopolitike, gjërat ndahen dhe, na duhet që sërish t’u kthehemi ‘ngjyrave tona’.
Fundi i qershorit mund të jetë presja e vetme në fjalinë e gjatë që do të flasë vetëm për futbollin, të këtij muaji bashkë me javën e parë të korrikut.
Të tjerat do të jenë thuajse rutinë.
Baret e shumta në Tiranë do të ripërshtaten për ndeshjet e zhurmshme të Botërorit, dhe po kështu edhe studiot televizive do kenë më pak politikë dhe më shumë futboll. Tirana do të jetë një qytet i Botërorit dhe qytete e vogla do t’i shpëtojnë, falë Kampionatit, grisë së mbrëmjeve pa asgjë të re. Futbolli është sporti i burrave dhe ata do të jene rezidentë të përhershëm të bareve me televizorë të shumtë, që shfaqin disa ndeshje njëkohësisht, dhe pikave të lotove ku do të provojnë fatin mbi skedina.
Kur të tjerët të luajnë, shqiptarët do të koleksionojnë, ashtu si pullat e rralla të postës, emra, mbiemra dhe çfarëdo tjetër që dëshmon origjinën shqiptare të lojtarëve të Kombëtareve të huaja. Argumenti do të jetë se, Shqipëria dhe Kosova nuk kanë një Kombëtare në Rusi, por futbollistët me origjinë shqiptare do të mund të formonin një ekip përfaqësues më vete.
Ky do të jetë një prej ngushëllimeve.
Çka nuk është pak, për të mos e ndërprerë fillin e politikës në ndërkohën e gëzueshme të futbollit, edhe gjatë Botërorit vettingu do të vazhdojë. Do të ketë një vëzhgim të kujdesshëm të politikanëve, gjyqtarëve dhe funksionarëve të tjerë publikë, që do të japin shenja se janë në Rusi duke parë ndeshje. Ky është një vetting informal, por ka vlerën e vet. Atë të konfirmimit se vetingu formal, ai i qepur nga Donald Lu, nuk ka funksionuar siç duket. Edhe këtu ka vend për ‘gëzim popullor’.
Në fund, dhe si përherë, shqiptarët do të vazhdojnë të jenë racistë. Si ‘arianë të hamendësuar’ ata nuk do i pranojnë dot lojtarët jo-të-bardhë-si-bora në kombëtaret e Gjermanisë apo të Francës. Sidomos të së parës.
Edhe kjo flet për një mungesë, por jo për atë në Botëror.
Në fund të fundit, kryebashkiaku i Tiranës, me entuziazmin psikedelik të një ‘southern baptist’ do të shfaqet edhe në ‘posterin’ e këtij Botërori. Ai shfaqet kudo dhe imazhin e tij nuk ka vetting që e kap.
Botërori ynë do të jetë një aferë lokale por, a nuk është bota, më në fund dhe për të mirë a për të keq, një fshat global?!