Flash News
Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci
Konstituimi i grupit të dialogut PD-PS, Bylykbashi: Prioritet është Reforma Zgjedhore
Konstituohet grupi i dialogut mes opozitës dhe mazhorancës për ‘Reformat’
Tragjikomedia e AADF me Butrintin: Një i panjohur do të drejtojë bordin shkencor të fondacionit
Lejuan 37 ndërtime të paligjshme, dënohen dy kryeinspektorë dhe inspektorë të IMT në Bashkinë e Lushnjes
Guy Sorman
Çe, revolucionari romantik, siç përshkruhet nga Benicio del Toro në filmin e Soderbergh-ut nuk ka ekzistuar kurrë. Ai heroi i së majtës me flokët dhe mjekrën të tipit hippie, një imazh tani ikonik për tishërtet dhe filxhanët e kafesë përreth botës është një mit i ngjizur nga propagandistët e Fidel Kastros; njëfarë kryqëzimi mes Don Kishotit dhe Robin Hudit.
Si ato përrallat e gjata, miti i Fidelit ka një ngjashmëri sipërfaqësore me faktet historike, por historia e vërtetë është shumë më e errët. Ndonjë Robin Hud ndoshta i ndëshkoi të pasurit, dhe për të mbuluar gjurmët ia dha një pjesë të plaçkës të varfërve. Në Spanjën mesjetare, fisnikë Kishoteskë ndoshta endeshin nëpër katunde duke luftuar, jo dragonjtë por myslimanët e fundit të mbetur aso anësh.
E njëjta edhe për Çe legjendarin. Asnjë adoleshent i rebeluar kundër botës apo prindërve duket se nuk mund t’i shpëtojë imazhit joshës të Çesë. Vetëm të veshësh një tishërt me fytyrën e tij është mënyra me e shpejtë, dhe pa shpenzime, për t’u dukur se je në anën e duhur të Historisë.
Çka funksionon për adoleshentët duket se bën punë edhe për gjithmonë-të rinjtë regjisorët e filmave. Në vitet ’60-të moda Çe, me flokët e gjatë dhe beretën, ishte të paktën një deklaratë politike e mprehtë. Sot është pak më shumë se një pajisje mode që frymëzon një epikë hollivudiane me buxhet të madh. A mos është radha e parqeve kushtuar Çesë?
Por, njëherë e një kohë, ka patur një Çe Gevarë të njëmendtë; ai është më pak i njohur se kukulla-fiction që ka zëvendësuar realin. Çeja i vërtetë ishte një figurë më domethënëse se sa varianti i tij i klonuar, sepse ai ishte mishërim i asaj se çdo të thoshte, me të vërtetë, revolucion dhe Marksizëm gjatë shekullit XX.
Çeja nuk ishte humanist. Asnjë udhëheqës komunist, në fakt, nuk është udhëhequr nga vlera humaniste. Karl Marksi sigurisht nuk ishte humanist. Besnikë ndaj profetit themelues të lëvizjes së tyre. Stalini, Maoja, Kastroja dhe Çeja nuk kishin respekt për jetën. Duhej derdhur gjak nëse një botë më e mirë pritej të pagëzohej. Kur u kritikua nga një prej shokëve të tij për vdekjen e milionave gjatë revolucionit kinez, Mao tha se kinezë të panumërt vdesin çdo ditë, kështuqë nuk kishte rëndësi.
Ngjashëm, Çeja mund të vriste me një mbledhje të supeve. I trajnuar si mjek në Argjentinë, ai zgjodhi të mos shpëtonte jetë, por t’i shtypte ato. Pasi erdhi në pushtet ai vrau pa gjyq 500 armiq të Revolucionit.
Kastroja, gjithashtu jo humanist, bëri më të mirën për të neutralizuar Çe Gevarën duke e emëruar atë Ministër të Industrisë. Siç mund të pritej, Çe u dha kubanëve politika sovjetike; bujqësia u shkatërrua dhe fabrika fantazmë shpërndaheshin nëpër peizazh. Ai nuk e çante kokën për ekonominë kubane apo njerëzit. Qëllimi i tij ishte revolucioni për hir të revolucionit, pavarësisht kuptimit, si arti për hir të artit.
Në fakt, pa ideologjinë e tij Çe nuk do kish qenë asgjë më shumë se një vrasës serial. Sloganet ideologjike e lejuan atë të vriste më shumë se një vrasës serial mund edhe të imagjinonte, dhe gjithçka e bëri në emër të drejtësisë. Pesë shekuj më parë Çe ndoshta do të kishte qenë një prej atyre priftërinjve/ushtarëve që zhdukte indigjenët e Amerikës Latine në emër të Zotit. Në emër të historisë, Çe gjithashtu e pa vrasjen si një mjet të nevojshëm për një kauzë fisnike.
Por, le të hamendësojmë se do e gjykojmë këtë hero marksist sipas kritereve të tij. A e transformoi ai botën, në të vërtetë? Përgjigja është po, por për keq. Kuba komuniste të cilën ai ndihmoi të farkëtohej është një dështim i padiskutueshëm; shumë më e varfër dhe shumë më pak e lirë sesa ishte para “çlirimit". Pavarësisht reformave shoqërore, që e majta pëlqen të trumbetojë kur flitet për Kubën, përqindja e alfabetizmit ishte më e lartë para se Kastroja të vinte në pushtet, dhe racizmi kundër popullsisë së zezë ishte më pak i pranishëm. Në fakt, sot ka më shumë gjasa që udhëheqësit kubanë të jenë të bardhë, krahasuar me kohën e Batistës.
Përtej Kubës miti i Çesë ka frymëzuar mijra studentë dhe aktivistë në mbarë Amerikën Latine për të dhënë jetën në luftime gueriljesh kokëkrisura. E majta frymëzuar nga ngasja prej sirene e Çesë zgjedh përleshje të armatosura në vend të zgjedhjeve. Në këtë mënyrë iu hap rruga diktaturave ushtarake. Amerika Latine nuk është shëruar ende nga pasojat e paqëllimta të Gevarizmit.
Në fakt, 50 vjet pas revolucionit kuban, Amerika Latine mbetet e ndarë. Kombet që refuzuan mitologjinë e Çesë dhe zgjodhën shtegun e demokracisë dhe të tregut të lirë si Brazili, Peruja dhe Kili janë më mirë se kurrë; barazia, liria, dhe progresi ekonomik kanë përparuar në bllok. Në kontrast me këtë, ato kombe që i mbetën nostalgjike kauzës së Çesë si Venezuela, Ekuadori dhe Bolivia janë tani në teh të luftës civile.
Çeja i vërtetë, që kaloi shumë prej kohës së tij si bankieri qendror i Kastros, duke mbikqyrur ekzekutimet e tij, meriton të jetë edhe më i njohur. Ndoshta nëse epika dypjesëshe mbi Çenë e Soderbergh-ut i mbush plot sallat e kinemave, mbështetësit finaciarë do të duan të filmojnë një vazhdim që mbështetet në të vërtetën. Sigurisht, nuk mungojnë materialet për “Çe, Historia e Patreguar”.
*Guy Sorman, filozof dhe ekonomist francez është autori i “Perandoria e gënjeshtrave”. Ky është një shkrim i vitit 2009, botuar në Project Syndicate.