Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Alfred Lela
Arta Marku, Prokurore e Përgjithshme (e përkohshme) e Shqipërisë është paraqitur në seancën e së enjtes në Kuvend për një raportim i cili, si komunikimin formal ashtu edhe në thelbin e tij i ngjante raporteve të ministrave të dikurshëm të diktaturës kur raportonin para Byrosë për ‘arritjet e ekonomisë socialiste nën udhëheqjen e partisë’.
Për të mos thënë asgjë, më mirë të mos kishte ardhur. Zj. Marku ka një rekord të keq në Kuvend; të dy rastet kur është shfaqur në podiumin e institucionit ligjvënës, një herë është betuar ‘vjedhurazi’, dhe të dytën ka raportuar si nëpunëse e gjendjes civile, jo si kreu i akuzës së së Republikës.
Shtatori është një muaj famëkeq për kryeprokurorët shqiptarë; damkosur i tillë nga paraardhësi i Markut, Adriatik Llalla i cili premtonte arrestime ‘shtatorin e ardhshëm’. I cili nuk erdhi kurrë. Ja ku mbërriti edhe një shtator i ri, madje me një kryeprokuror/e i cili do të zëvendësonte Llallën që nuk bënte dot gjë, dhe sërish asgjë nuk kemi.
Damka e shtatorit të Llallës është hiçmosgjë para stigmës së anësisë së tij. I njëjti dyshim vlen të ngrihet edhe për Markun: A jeni edhe ju e anshme zonja Kryeprokurore?
Edhe më therëse bëhet dilema po të kesh parasysh se ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka denoncuar praninë në Shqipëri ‘të dyzet bandave’. Të dyzeta u kanë mbetur në derë si ministrit ashtu dhe Kryeprokurores, për faktin e thjeshtë se ata nuk janë në ato detyra si denoncues, punë që e bën opozita, por për të ekzekutuar vullnetin publik për rend, rregull dhe drejtësi.
Kryeprokurorja nuk ka qenë vetëm përballë detyrës si shefe e akuzës, pra si përgjegjëse para opinionit publik i cili pret që posti i saj të marrë kuptim pikërisht nëpërmjet interpretimit të rolit të vet kushtetues, por edhe para një paragjykimi. Atij të ngritur nga opozita, që ditën e parë kur ajo u betua mes tymit e rrëmujës në parlament, se është e zgjedhur nga shumica për të mbrojtur të korruptuarit e saj.
A është e anshme zonja Marku apo është profesioniste? Duke mos iu përgjigjur dot me akte kësaj pyetjeje, ajo dëmton jo vetëm imazhin e detyrës së lartë që mban, të vetes gjithaq, të reformës në drejtësi, por edhe të amerikanëve. Zonja Marku është ndër zyrtarët më të lartë të sistemit të drejtësisë që e ka kaluar vettingun, çka do të thotë se ajo hamendësohet të jetë e ndryshme prej drejtësisë së vjetër, të korruptuar, inaktive dhe të paragjykuar.
A është? Apo mos vjen i gjithë ky ngurrim nga fakti se ajo është e përkohshme, dhe si e tillë nuk ka pse ta prishë apo ta ndreqë me aktorët e mëdhenj të politikës? Apo ndër dy dyshimet bëj një zgjedhje andreotiane dhe shko për më të madhin duke thënë se zonja Marku është e njëanshme?