Flash News
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
Presidenti Begaj dekreton ligjin për zonat e mbrojtura
Mbytet në ujin e shatërvanit një i mitur afgan në Shëngjin
“Minuan sundimin e ligjit”, DASH shpall ‘non grata’ tre zyrtarë të lartë në Ballkan
Akuzohet për 4 vepra penale/ SPAK nis hetimet ndaj drejtorit të Tatimeve, Ceno Klosi
Alfred Lela
Kryeministri Edi Rama po i bie kryq e tërthor Shqipërisë, në varg-e-vistrën ekskursioniste që ai e ka pagëzuar ‘dëgjesa me popullin’. Po të shkojmë sipas librit, kjo është një taktikë që në teoritë e komunikimit njihet si ‘fushata e përhershme’ (permanent campaining). Kryeministri e ka marrë hua nga këshillatari i Tony Blair.
Megjithatë, në turin e z. Rama ka një aneks, që tejkalon edhe vetë udhëzuesin apo rekomanduesin, njeriun e Blair-it, Alaistar Campbell. Me ‘fushatë të përhershme’, doktorët e komunikimit nuk përkufizojnë kontaktin e drejtpërdrejtë me publikun; kryesisht ata kanë parasysh spin-in (propagandën) që vjen përmes massmedias (mjeteve të komunikimit masiv) si televizionet, gazetat, radion dhe, në kohët tona rrjetet sociale etj. Për këtë shefat e qeverive dhe ministrat kanë zyrat e shtypit të cilat emëtojnë në çdo rast veprimtaritë e politikanëve që mbulojnë, dhe veç kësaj mundohen të shpikin mënyra për t’i mbajtur ata në qendër të vëmendjes së publikut. Një mënyrë tjetër është agenda setting, që do të thotë ‘përcaktimi i agjendës së medias’ duke e sunduar terrenin mediatik me mesazhin, apo mesazhet, që një politikan apo parti politike dëshiron.
Përcaktimi i agjendës së kundërshtarit politik kërkon një angazhim dhe mjeshtëri edhe më të lartë.
Sigurisht, z. Rama dhe të tijtë ia kanë dale, shumë herë, që ta mundin z. Basha dhe ekipin, sa i takon komunikimit. ‘Agenda setting’ e qeverisë ka qenë shpesh sunduese, ndihmuar edhe nga një numër i madh mediash që, duke parë interesin e tyre dhe jo atë public, parapëlqejnë fuqinë e mazhorancës dhe përcjellin mesazhet e saj.
Duhet thënë se, prej disa muajsh, opozita ka arritur të jetë më përcaktuese në agenda setting. Merita e kësaj zhvendosjeje mund t’i jepet ngjarjeve apo kreativitetit të njerëzve të komunikimit të Bashës. Kjo ka pak rëndësi. Qeveria ka qenë e detyruar të ecë në shtigjet retorike të opozitës duke u marrë me reagime dhe kundër reagime. Kjo e ka shtyrë atë në pozicione mbrojtëse, çka i ka konsumuar shumë energji.
E ndodhur në kushte të tilla, dhe në përpjekje për të krijuar agjendë të re sunduese, duke marrë kohë mediatike dhe duke shpresuar në vëmendje, Rama i është kthyer fushatës permanente. E ka bërë këtë, jo vetëm për të krijuar iluzionin se qeveria merret me punë, kur opozita merret me llafe (akuza), por edhe për të hapur qendra të reja të debatit publik. Për t’ia arritur kësaj Kryeministri përdor armët në dispozicionin e përhershëm, batutat, qëndrimet kinse arrogante me publikun nëpër dëgjesa (që nuk janë të tjerë veçse punonjës të administratave lokale emëruar nga PS), dhe ndonjë flijim zeusian në formën e pushimit nga puna të aksh drejtori të cilin e emëron më vonë diku tjetër.
Opozita ka arritur të bëjë agenda setting edhe ditën e enjte në Kuvend duke e larguar shumicën nga salla.
Edhe në planin e jashtëm, në marrdhëniet me të huajt, opozita ia ka dalë që t’i bëjë akuzat për lidhjet e dy ministrave të një-pas-njëshëm socialistë, si dominues në agjendën e integrimit. Në njërën anë, ajo ka hedhur dyshime mbi kapacitetet europianiste të një qeverie që i ka ministrat e Brendshëm të akuzuar si të lidhur me narkotrafikun dhe, në anën tjetër, ka kërkuar çeljen e negociatave, si kusht monitorues shtesë për një qeveri të tillë.
Në analizë të fundit, Rama dhe qeveria e tij nuk kanë shkuar në dëgjesa me dëshirë, por të shtyrë nga kundërshtari politik. Nëse i thërrasim kujtesës, shefi i qeverisë e ka nisur mandatin e dytë me dëgjesa publike dhe, pa u bërë ende viti, u është rikthyer dëgjesave. Dyshimi se Rama po përgatitet për fushatë, se po bëhet gati për zgjedhje të reja, nuk është i saktë. Të paktën, jo plotësisht i tillë.
Asnjë qeverie, sado e korruptuar, sado e lëkundur, nuk ia ka ënda që të fillojë fushatën elektorale pa mbushur vitin. Sigurisht, nëse gjërat marrin teposhtën e moskthimit, dhe kjo do të thotë ngecje e negociatave, materiale të tjera kompromentuese të PD për antarët e qeverisë etj., si çdo e keqe që ka një të mirë, kjo do të thotë se Ramës nuk i kanë shkuar dëgjesat kot. Vetëm atëherë ato mund të fillojnë të shihen si fushatë.
Tash për tash, ato janë goma që xhirojnë në baltë.