Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Alfred Lela
Kryeministri Rama, në një intërvistë me Ilva Taren e Tonight, ka treguar gjysmën e një dore në një lojë që ka nisur para tre vjetësh, pikërisht në mesin e majit 2015, kur Shqipërinë e vizitonte Presidenti turk Recep Tayip Erdogan.
Shefi i gjysmëhënës, i mbiqujatur Sulltani, e bëri të qartë dhe publike kërkesën apo kushtin drejtuar autoriteteve shqiptare, se cilat institucione, të lidhura me kundërshtarin e tij Fetullah Gylen, duhet të mbylleshin në vendin e shkabës dykrenëshe. Gylen është tashmë armiku i përbetuar I Erdoganit, i akuzuar se si master chef-i i grushtit të shtetit të dështuar në Turqi.
Kryeministrit, të cilit duhet t’i jetë bërë kërkesa edhe në bisedat off record, nuk u shpreh publikisht dhe nuk e dimë se çfarë është biseduar ndërmjet dy zyrtarëve të lartë në formatin tet-a-tet. Dy ditë pas vizitës ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla bëri një deklaratë ‘rezistence’ në emër të qeverisë, duke thënë se shkollat turke janë në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe, si të tilla nuk kanë pse të shqetësohen.
Shkollat turke në Shqipëri janë konsideruar si të parapëlqyerat e elitave të Tiranës, dhe shumë prej fëmijëve të njerëzve të politikës, biznesit, medias etj., ‘flasin turqisht’ kur vjen puna te arsimi. Me një sistem arsimor në krizë dhe me një reformë arsimore të kontestuar, të papërfunduar dhe jo funksionale, duket një luks i tepërt për qeverinë dhe Shqipërinë që, një varg shkollash të konsideruara të paktën serioze të mbyllen.
Sigurisht, mbetet gjithmonë dilema se cilës kulturë, cilit ndikim, cilit qytetërim duhet t’i dorëzohemi me arsimin shqiptar dhe, turqishtja si gjuhë dhe si influence, nuk duhet të jetë zgjedhja e parë. Gulenizmi nuk është vetëm rrjet arsimor, por edhe financiar e lobues, dhe kjo duhet të ketë qenë një tjetër llogari që z. Rama i është dashur të bëjë përballë kushtëzimeve të ‘vllaut Erdogan’.
Këto mëdyshje e ndonjë tjetër ndoshta, e kanë shtyrë Kryeministrin e Shqipërisë gjatë rrjedhës së tri viteve deri te deklarata në emisionin e koleges Tare, ku ai shfaqi shenjat e kontestimit të parë ndaj gulenizmit dhe elementëve të tij. Rama përmendi edhe grushtin e shtetit në Turqi.
Me sa duket, qeveria ka ndryshuar kurs sa i takon gulenizmit, një lëvizjeje e cila megjithëse shfaqet e butë dhe paqësore, nuk mund t’ia parashikosh kthesat e së ardhmes. Shtysë mund të ketë qenë edhe ekstradimi apo rrëmbimi i 6 shtetasve turq në Kosovë, gjë që shkaktoi një ciklon politik, deri edhe në polemika të vrazhda mes Erdoganit dhe kryeministrit Haradinaj.
Hapësira shqiptare duket se është mes dy zgjedhjesh: erdoganizmin si ideologji acute, ku përzihen pushteti autoritarist politik i spërkatur me teologji, dhe gulenizmit, që vjen nën maskën e teologjisë së paqtë, megjithatë mbetet në kërkim të një pushteti kronik, qoftë edhe jofizik.
Programit kombëtar të Shqipërisë, stofit të saj ideor nuk i shkon asnjëra prej të dyve, por zgjedhja në këtë rast nuk është e idealistëve apo rilindave të qëmotit, por e politikanëve. Kryeministri, me sa duket, po e merr kthesën e vet të ngadaltë drejt erdoganizmit, dhe nuk mund të pikasësh pas kësaj zgjedhjeje përveç pragmatizmit politik.
Aksioma “nuk ka aleanca të përhershme, por interesa kombëtare të përjetshme”, mund të përdoret këtu si maskim, por për çfarë interesash bëhet fjalë?
Cilidoqoftë, Erdogani apo Gyleni, do të eksportojnë në Shqipëri brand-in e tyre të ideve mbi botën. Nuk ka rëndësi nëse kjo bëhet përmes investimeve në infrastrukturën hard apo infrasktrukturën soft (atë shpirtërore) siç është arsimi, për shembull.
A është ky brand i përputhshëm me idetë e rilindasve të vjetër, targën e të cilëve ia ka ngjitur z. Rama cirkut të tij politik? Në të njëjtën kohë, a është në linjë edhe me programin kombëtar të integrimit europian?
Këto janë pyetjet të cilave sfinksi politik duhet t’u përgjigjet. Përpara se në Tebë të futet njeriu i profecisë, i cili mund të qëllojë Edipi i një kompleksi të vjetër dhe flligshtie të re.