Flash News
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci
Dokumenti / Katër shkelje në një tender nga Damian Gjiknuri. Pse ia dorëzoi ministri fushat e naftës kompanisë me lidhje ruse
Më 9 maj, ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, urdhëroi ngritjen e një grupi negociator për lidhjen e marrëveshjeve hidrokarbure për vendburimet Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe Amonicë me kompaninë Transoil Group AG.
Negociatat pasojnë finalizimin e një gare të mbajtur më 31 mars nga Albpetrol, ku Transoil Group AG u shpall fitues mes nëntë kompanive ndërkombëtare pjesëmarrëse.
Me këto tre vendburime të reja Transoil AG bëhet një kompani që vendos monopol në fushën e naftës në Shqipëri pasi, që nga viti 2012, nëpërmjet degës së saj në Shqipëri, Transoil Group Sh.a, kontrollon gjithashtu fushën naftëmbajtëse të Visokës.
Ministria këtë tender është duke e mbajtur në sekret të plotë duke mos dashur të komentojë asnjë prej fakteve që kanë dalë në media.
Në tender morën pjesë 9 kompani hidrokarburesh, ku përfshiheshin Bankers Petroleum, Transoil Group AG, Shandong Kerui Petroleum Equipment, Letho, Verssa Versatile, Pennine, Alcan, Fluid Oil dhe Zennith Energy.
Cilat janë problemet e tenderit?
E para, kompania që ka fituar, siç është publikuar tashmë, është e lidhur me rusët, duke cenuar në mënyrë direkte interesat e Shqipërisë në raport me aleatët strategjikë.
Lidhjet e biznesit me kompaninë ruse nuk janë të vetmet pikëpyetje mbi mënyrën se si kompania e naftës, e regjistruar në Zvicër dhe me pronarë të panjohur, u shpall fituese e tenderit për fushat naftëmbajtëse Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe Amonicë.
E dyta, dokumentet tregojnë se, në momentin që u hapën ofertat, pagesa e Transoil Group për marrjen e paketës së të dhënave për vendburimet nuk kishte mbërritur ende në llogarinë e Albpetrol.
E treta, gjatë tenderit, vëllai i drejtorit të Albpetrol, Kastriot Bejtaj punonte si drejtues teknik i operacioneve hidrokarbure në fushën e Visokës për llogari të Transoil Group Sh.a – një konflikt interesi për të cilin ministri Gjiknuri ishte në dijeni.
E katërta, kompania Transoil Group Sh.a ka detyrime të mbartura ndaj Albpetrol nga operacionet e saj të mëparshme në fushën e Visokës, si dhe ka pasur përplasje me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, AKBN për shkelje të vazhdueshme të marrëveshjes hidrokarbure.
Këto shkelje nuk e kanë ndaluar kompaninë mëmë të saj, Transoil Group AG, që të deklaronte në faqen e saj zyrtare se i kishte bërë një ofertë Albpetrolit për tri fushat e tjera naftëmbajtëse që në prill 2017 – duke shfaqur siguri se do të arrinte një marrëveshje me kompaninë shtetërore të naftës shqiptare deri në fund të vitit 2017.
Me gjithë këto shkelje dhe pikëpyetje për dhënien e një pasurie publike, mbetet në dorën e Kryeministrit të kërkojë sqarime për këtë tender dhe të gjejë një zgjidhje që nafta mos të kthehet në monopol të një apo dy kompanive, dhe mbi të gjitha të mos u jepet spekulantëve të cilët kanë qëllim përfitim të shpejtë duke shpërdoruar një nga pasuritë më të mëdha që ka vendi.
Pavarësisht këtyre, Ministri Gjiknuri nuk është tërhequr, duke firmosur dje urdhrin që të vijohet me firmosjen e marrëveshjes me kompaninë Transoil Group.
Politiko.al ka siguruar urdhrin e Ministrit të Energjisë ku i kërkon Albpetrol dhe AKBN të vijojnë procedurat për nënshkrimin e Marrëveshjes Hidrokarbure me kompaninë Transoil Group për tre vendburimet e naftës.
Prej disa ditësh mediat kanë folur për këtë skandal, por ministria ka vijuar me strategjinë e heshtjes. /Politiko.al