Flash News
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci
Gomonet e pa kapura, avionët e pa interceptuar, ‘mushkonjat’ dhe Euro e zhvlerësuar
Gentian Gaba
Debati i madh politik për krimin dhe drogën është në një nga momentet më të nxehta. Pas ministrit të Brendshëm të ‘qeverisë Rama I’, shpata e Damokleut është ngritur mbi homologun e tij të ‘qeverisë Rama II’.
Prej të paktën tre vitesh, gjithë beteja politike zhvillohet në sferën e sigurisë, korrupsionit dhe lidhjes mes mazhorancës dhe eksponentëve të botës së errët të krimit.
Mirëpo, në këtë fillim viti, hashashi po del nga dimensioni politk. Pasi u mboll, u korr dhe u shit, vlera e krijuar po hyn në ekonominë shqiptare, me efekte të rënda për ata që mbahen në këmbë me djersën e ballit. Dëshmia e parë ishte mëngjesi i 27 qershorit (e hëna ishte pushim), ditën në të cilën shitësit e votës shkuan dhe arkëtuan në lekë, frytin e turpit të tyre të marrë në euro.
Turravrapi te sportelet e kambistëve prodhoi një reagim të menjëhershëm të tregut valuator: rënia e euros ishte e fortë, duke zbritur përnjëherë nga 132.2 Lek, të premten parazgjedhore, në 131.98 Lek të hënën. Kjo rënie nuk përligjej as nga aktiviteti tregtar, teksa ishin pushime, dhe as nga turistët, që gjithsesi nuk ishin në kulmin e tyre, ndoshta të stepur nga zhvillimi i zgjedhjeve.
Ishte vetëm fillimi.
Sot, euro është futur sërish në trajektore rënëse. Sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane ka zbritur në 126.8 Lek, duke humbur 0.15 Lek kundrejt një dite më parë. Kjo është thjeshtë rënia e radhës, pasi marshimi kokëulur i monedhës europiane ka qenë spektakolar qysh prej fillimit të këtij viti.
Në kushte normale, forcimi i Lekut, do të ishte lajm i mirë; pasi do të shënonte një forcim të ekonomisë shqiptare, por, fatkeqësisht, fenomeni nuk shpjegohet dot me indikatorët e vobektë të situatës ekonomike.
Eksportet, remitancat e bashkatdhetarëve në mërgim, që u dërgojnë lëmoshën familjarëve, investimet e huaja direkte nuk e justifikojnë dot superlekun e këtyre muajve. Shpjegimi në këtë pikë është vetëm një: prurjet e pakontrolluara të euros në tregun shqiptar.
Ekspertët e ekonomisë, si Prof. Dr. Selami Xhepa, janë shprehur qartë se forcimi i Lekut është pasojë e prezencës së euros që hyn në mënyrë jo zyrtare dhe nga kanale informale. Gjë që, në një shqipe të thjeshtë dhe jo akademike, do të thotë se paratë e krimit po derdhen në ekonominë tonë.
Nëse do të silleshim në mënyrë pragmatike, mund të mbyllnim sytë përballë këtij fenomeni, pasi, në fund të fundit, paraja nuk mbanë erë. Por, kur ekonomia formale ndeshet me atë informalen, dëmet i pësojnë ata që nuk e fitojnë bukën e gojës me dorgë, krim dhe korrupsion, por me punë të ndershme.
Kjo lojë e pisët, po dëmton qytetarët që kanë depozita në euro dhe eksportuesit, të cilët mund të quhen viktimat anësore të kanabizimit të vendit.
Sipas përllogaritjeve të ekspertëve mbi shifrat e Bankës së Shqipërisë, ekonomia ka humbur, deri në këtë moment, mbi 300 milionë euro si pasojë e zhvlerësimit.
Këtu është edhe përballja midis dy Shqipërive; ajo e kanabisit dhe ajo e punës. Paraja e lehtë, që korruptoi dhe shndërroi fytyrën e politikës, tani po dëmton në mënyrë dramatike ekonominë e shëndetshme.
Nëse për shumë gjatë është folur për përgjegjësitë e mazhorancës për t’i dhënë fund kanabizimit, në rastin më të mirë; apo të implikimit të saj të drejtpërdrejtë, sikurse dëshmon ‘rasti Tahiri’ dhe elementë të kupolës së Policisë që sot janë në kërkim, në rastin më të keq; paratë e pista në treg janë dëshmia më kokëfortë që akuzat e Opozitës nuk ishin vrer në drejtim të kundërshtarit.
Kjo sasi e madhe e euros, na flet për sasinë akoma më të madhe të drogës që nuk është ndaluar kurrë. Për gomonet e pa kapura, kamionët e pa ndaluar, avionët e pa interceptuar.
Sot, prova më e madhe për kanabizimin nuk është më telenovela me dy seri mbi Ministrinë e Brendshme, as raportet e agjensive të shteteve partnere; por leku që lulëzon falë hashashit.