Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Intervista/ Taulant Muka: Qeveria e ka pranuar dështimin me reformën në arsimin e lartë
Qëndroi vetëm dy javë në postin e zëvendësministrit të Arsimit, por për Taulant Mukën kjo periudhë e shkurtër ishte e mjaftueshme për të kuptuar se plani i tij për të reformuar këtë sektor nuk do mund të zbatohej. Në këtë intervistë për Politiko.al, Muka akuzon drejtuesit politikë të Ministrisë se kujdesen më shumë për votat sesa për punën cilësore.
Ai flet për marrëdhënien me ministren Lindita Nikolla, mesazhet e shkëmbyera me kryeministrin Edi Rama dhe për faktin që qeveria, me emërimin e tij si zv/ministër, pranoi dështimin në reformën e arsimit të lartë.
Kevin Sinani
-Taulant, dje u dorëhoqët nga posti i zv/ministrit të Arsimit. Pse ky vendim vetëm pas dy javësh punë?
Unë kisha vajtur në atë pozicion për të bërë reformën, pra për të bërë atë që kisha premtuar kryesoren, vetting-un me titujt akademik, por normalisht që kjo vete si paketë sepse nëse ti bën vetting-un me titujt do të plotësosh edhe boshllëqet që krijohen. Në momentin që u futa në atë institucion mendoja se do t’i kisha të gjitha hapësirat juridike dhe politike që unë ta bëja një gjë të tillë. Por kuptova që në atë pozicion nuk i kisha më këto mundësira dhe nuk mund të rrija më për sa kohë unë e konsideroja atë një bunker, sepse një letër të thjeshtë nuk e dërgoja dot jashtë institucionit.
Nuk prita të rehatohesha sapo u vendosa në atë pozicion, por fillova menjëherë nga puna dhe nisa të mblidhja rreth vetes njerëz të besuar dhe akademikë e profesionistë të vërtetë. Isha gati të bëja edhe kompromise, se normalisht duhet durim dhe punë për t'i arritur gjërat, por nuk mund të bëja kompromise të tilla që t’i zgjidhje njerëzit afër teje në bazë të votave që mund t'i sjellin qeverisë. Nuk është thjesht problem "qeverie", është mentaliteti në Shqipëri që është i ngurtësuar dhe vlerat janë bërë antivlera, dhe më keqja është që një pjesë e madhe e njerëzve e kanë përqafuar, e kanë bërë pjesë të përditshmërisë këtë përqasje dhe është shumë e vështirë të marrësh mbështetjen e tyre.
Unë premtimit tim i qëndrova sepse unë këtu kam draftin e parë që kam punuar bashkë me kolegët e mi të punës se si duhet të bëhet reforma paketë.
-Ky është drafti për titujt akademik apo platforma për reformimin e arsimit në tërësi?
Jo, është për të gjithë sistemin e arsimit. Një mikut tim që quhet Edmond, i kërkova të punonim bashkë dhe kam një draft paraprak dhe gjatë kësaj fundjave do të mblidhja ekipin tjetër të punës për të diskutuar dhe ta përfundonim një platformë paraprake. Ndërkohë kisha angazhuar dy të rinj nga Ministria e Arsimit, të cilët po rrinin kot, domethenë potenciale që iknin dëm.
Hajde të identifikojmë më të mirët që ka Shqipëria sa i përket produktit shkencor në mënyrë që kur të mbarojë drafti, unë të mund ta konsultoja me më të mirët në Shqipëri. Pra, unë po e bëja punën time, problemi qëndronte se nuk kishte garanci që kjo të bëhej.
-Këto pengesa vinin vetëm nga administrata apo kishte ndërhyrje politike?
Unë kur isha jashtë Ministrisë nxora disa plagjiatura dhe i kërkoja Ministrisë që këto plagjiatura të kontrolloheshin. Kur isha në Ministri duhet të vazhdoja atë detyrë që kisha përsipër, që ishte vetting-u në përgjithësi, që platformën siç e shikon e kam gati, dhe sigurisht do ta vazhdoja edhe atë që kërkoja nga jashtë. Unë një letër të thjeshtë doja të nisja si zv/ministër i Arsimit te Rektori dhe Dekani i Universitetit të Tiranë (UT) se çfarë kishin bërë ata për rastet konkrete dhe ja kërkova drejtorëve që ishin përgjegjës për atë pjesë, por ata më këshilluan që kjo nuk është rekomandueshme sepse nuk duhet të merremi me emra të përveçëm dhe për më të tepër që këto indicie nuk vijnë në rrugë zyrtare, por nga një individ. Unë aty thashë që jam zv/ministër i Arsimit, nëse indicia ime nuk merret për bazë, çfarë mund të themi për një qytetar të thjeshtë? Nga ai moment u ndava nga ajo pjesë administrative dhe vendosa që jam më i lirë për të vepruar më mirë jashtë sesa brenda sistemit.
Në këto kushte, ç’kuptim kishte të vazhdoja të rrija? Ishte shumë e qartë, prioriteti i Ministrisë qëndronte diku tjetër. Duhet të kuptojnë diçka pushtetarët, qytetarët dhe mbarë Shqipëria, që nëse duan që dikush të vijë dhe të investojë në arsim apo kudo tjetër, duhet t’u ofrojnë mbështetje dhe transparencë, nuk e ka për borxh njeri të vijë dhe në vend të fokusohet te puna që është për të bërë, të harxhojë pjesën më të madhe të kohës me burokracira të pakuptimta. Është thjeshtë, mendoje si një vend pune, nëse kërkon të punësosh më të zotin, duhet të ofrosh kushte të tilla që të ketë hapësirë të bëjë punën e vetë, nëse kërkon dikë që të zbatojë urdhra, tani shkenca shyqyr ka përparuar, le të punësojnë robota.
Unë e theva akullin, dhe që kushdo që dëshiron ta provojë e ta shohë nga afër le të vijë dhe ndoshta gjen hapësirën dhe ka mundësi të bëjë më mirë se unë.
-Mendoni se u nxituat kur e pranuat detyrën pa u konsultuar fillimisht për funksionet që do të kishit si zv/ministër?
E kam thënë publikisht, vajta në takim dhe aty kryeministri më tha që do të kesh të gjithë mbështetjen time dhe komunikim të drejtëpërdrejtë që të bëjmë reformën në pozicionin e zv/ministrit të Arsimit. Në atë moment unë nuk e dija se çfarë funksionesh kishte zv/ministri i Arsimit dhe përballë katër personave të tjerë që ishin thirrur aty dhe ministres së Arsimit, thashë parimisht jam shumë dakord.
-Katër personat e tjerë ishin pjesë e Ministrisë së Arsimit?
Jo, ishin akademikë shqiptarë me të cilët unë kam punuar gjatë gjithë kohës dhe i kisha propozuar për të ngritur një komision për vetting-un e titujve akademikë. Pasi dola nga takimi u konsultova edhe me disa juristë për të kuptuar se çfarë funksionesh kishte pozicioni i zv/ministrit të Arsimit. M’u tha që nuk ka portofol siç ka në disa institucione në shtetet ku unë kam jetuar. I kam dërguar një mesazh kryeministrit të vendit dhe i kam thënë që përpara se të veprohet dua një takim me ju. Ia kam bërë të qartë edhe ministres së Arsimit që i kam kërkuar takim kryeministrit. Ndërkohë takimi nuk u la dhe unë u emërova zv/ministër i Arsimit.
-Pa e bërë takimin…
Pa e bërë takimin. Në atë moment unë nuk e dija si të veproja sepse nuk doja të dilja kundër dhe të thoja që nuk e pranoj emërimin, por e vazhdova sepse mendova që do të qartësohen gjërat gjatë rrugës. Të shtunën që kaloi i kam dërguar një letër kryeministrit ku kam thënë se çfarë kam bërë në javën e parë të punës dhe i kërkova takim. Më kthen përgjigje që përgjegjësja jote është ministrja dhe konsultohu vetëm me ministren. Ndërkohë që unë email-in ia kisha çuar edhe ministres.
-Pra kryeministri ka ndryshuar nga qëndrimi i parë.
Pikërisht. Nuk e mbajti fjalën që kishim rënë dakord që komunikimin e kisha me atë dhe mbi ministren. Aty kuptova që unë nuk mund të mbështetesha më dhe rrjedhimisht këtë javë mora të gjitha veprimet që kisha detyrime ndaj publikut brenda mundësive të zv/ministrit të Arsimit. Ia kam bërë të qartë të gjitha shqetësimet zyrës së kryeministrit, i kam thënë që edhe platformën që kam ndërtuar bashkë me akademikë të tjerë e kam gati dhe në çdo moment mund të takohemi për ta dorëzuar. Zgjidhje ka, është vetëm vullneti politik.
-Cili është qëndrimi që ka mbajtur ministrja Lindita Nikolla për këto çështje?
Me ministren u ndava ditën e hënë me një takim që pata, ku kishim vizione krejtësisht të ndryshme për arsimin e lartë. Unë me vizionin e saj nuk mund të pajtohesha dhe që në atë moment e ndërpreva biseden me ministren e Arsimit.
-Duke qenë se jemi te reforma e arsimit të lartë dhe ju keni deklaruar se kërkonit ta bënit këtë reformë. Por është e njëjta ministre dhe i njëjti kryeministër që pretendojnë se e kanë bërë një reformë të tillë në vitin 2015…
Unë e kam bërë të qartë dhe faktike…
-Për ju është e dështuar ajo reformë?
Reforma e arsimit të lartë është e dështuar. Së pari, janë lëshuar shumë tituj akademikë në mënyrë abuzive dhe e dyta, kemi UT që lëngon prej vitesh dhe është goditur vazhdimisht, e treta nuk kemi rankim të universiteteve. Të mos ngatërrojmë akreditimin me rankimin. Rankimi vendos standardet kush universitet është cilësor dhe kush jo, si dhe bën që një diplomë e universitetit më të mirë të mos konkurrohet nga universitetet e tjera. Kemi probleme me infrastrukturën. Shkoni në universitet shqiptare publike dhe nuk ke tualete, nuk ke internet, nuk ka sistem ngrohje, me duar ndër shalë rri gjatë leksioneve. Apo te shkollat profesionale që quhen risi në Shqipëri, por nuk kanë libra. Pra japim diploma, hapim degë pafund, por pa krijuar standarde.
Ke edhe një universitet privat që kërkon të hapë fakultet mjekësie, kur nuk ka laborator, kur nuk ka qendër teknike për ta bërë diçka të tillë dhe nuk ka kapacitete.
Ne kemi dhënë doktoratura pafund. Vetëm një universitet privat ka dhënë 700 doktoratura dhe sipas informacinit që ata kanë, një doktoraturë kushton 9 mijë euro, sepse është 3 mijë euro viti dhe rezultati është 6.3 milionë euro. Janë dhënë pa standard. Ku kanë shkuar këto 6.3 milionë euro?
-Kur ju diskutuat me kryeministrin, a e pranoi që kjo reformë ka dështuar dhe që vendi ka nevojë për një reformë të re?
Arritja më e madhe e shoqërisë shqiptare në bërjen time zv/ministër ka qenë që u pranua zyrtarisht nga qeveria shqiptare zëri im, pra dështimi i reformës në arsimin e lartë. Shumë pak vetë folën për këtë. Kjo është arritja më e madhe sepse qeveria shqiptare, zyrtarisht, me emërimin tim pranoi se ka një dështim në arsimin e lartë dhe në shkencë.
Shumë pak folën për karrierën time akademike. Edhe zyrës së kryeministrit i kam thënë tekstualisht, përse qeveria shqiptare nuk reklamoi kush ishte zv/ministri i ri i Arsimit? Unë nuk jam njeri nga rruga, vij me një karrierë të pasur akademike dhe më vjen turp të flas për veten sepse nuk e bëj, por po detyrohem. Kjo tregon standardin dhe faktin që unë nuk ndihesha si në shtëpinë time. Nuk mund të jetoja në një ambient me njerëz që nuk kisha besim dhe po bëhesha me hije. Jam shumë më i lirë jashtë për të vepruar. Kushdo që të ketë dëshirë, kryeministri dhe opozita, unë ua jap zgjidhjet se si bëhet reforma në arsimin e lartë.
-Kjo platformë i është dorëzuar ministres dhe kryeministrit?
Në takimin e fundit që kam patur me zyrën e Kryeministrisë i kam thënë se platformën e kam gati. Prisja një takim për javën e ardhshme me kryeministrin. Prandaj do të bëja edhe një takim tjetër këtë fundjavë me grupin tim të ngushtë për të punuar akoma më thellë se si këto pika që kemi ngritur të përmirësohen, dhe këshu ramë parimisht dakord, por nuk mund të prisja deri atë ditë në pozicionin e zv/ministrit.
Kryeministri i vendit në çdo moment mund të më thërrasë, t’ja bëj prezantimin publik se si bëhet reforma në arsimin e lartë. Nëse është dakord, eja ta bëjmë. Nuk bëhet vetëm me Taulantin, ka njerëz të tjerë të aftë kjo shoqëri.
-Mund të më thuash në pika të përgjithshme se çfarë parashikon platforma juaj?
E para, propozimi ka qenë që të bëhet rishikimi i titujve akademikë duke filluar nga drejtuesit e universiteve, pra rektorët, dekanët, shefat e departamenteve, sepse nëse pastrohet kjo pjesë drejtuesish, fillon sistemi dhe pastrohet vetë.
Nuk e di saktë sa është numri i pedagogëve, por le të themi se janë 10 mijë pedagogë dhe nga këta 8 mijë mund të jenë jashtë kritereve, por ti nuk mund t’i hedhësh në rrugë, por do i japësh një afat që të plotësojnë kushtet, në mënyrë që procesi mësimor të vazhdojë dhe të krijohen standardet e tjera. Drejtuesit që nuk kanë plotësuar kriteret duhet të zëvendësohen patjetër, ndësa pjesës tjetër iu duhet lënë një afat kohor që të plotësojnë kriteret, në të kundërt do të zëvendësohen.
Kjo do të thotë që ti duhet të krijosh edhe një fond që drejtuesit t’i zëvendësosh me më të mirët. Ndoshta duhet të marrë edhe ‘brain gain’ nga jashtë, të tërheqësh të rinjtë shqiptarë që janë formuar jashtë, për ato kapacitete që nuk i ke brenda vendit.
Një tjetër pikë ka të bëjë me cilësinë e profesoriatit. Ne nuk e bëjmë performancën e akademikut. Ne na vjen pedagogu dhe nuk i kërkon njeri llogari se si e bëre punën apo të ketë vlerësim nga studentët. Kjo mund të merret për bazë për të vazhduar kontratën dhe për të dhënë titullin akademik.
Një tjetër pikë është vlerësimi i produktit shkencor. Universiteti është mësimdhënie dhe kërkim shkencor, pra të dyja bashkë. Mësimdhënia formohet nga ekspertiza që ti merr nga kërkimi shkencor. Me këtë po merresha në Ministri. Normalisht do të merreshim me vlerësimet e praktikave se si individët merren në punë.
Ka edhe një pikë tjetër që nuk ka asnjë kosto financiare. Të gjithë pedagogët dhe profesorët të publikojnë ‘on line’ cv-të e tyre. Është e drejtë e çdo studenti t’i njohë dhe është detyrim ligjor që ata t’i publikojnë. Përse i fshehin? Shko e pyeti përse i fshehin. Unë i kam pubikuar të gjitha diplomat e mia, nuk kam asgjë për të fshehur.
Hapi i mëtejshëm ishte që të diskutohej platforma me një grup më të gjerë dhe pastaj të diskutohej me pjesën më të mirë të shoqërisë shqiptare.
-Për t’u rikthyer edhe një herë te politika. Si e konsideroni faktin që një prej deputeteve që ju denoncuat për plagjiaturë, Blerina Gjylameti, ka qëndruar në heshtje dhe nuk ka kërkuar falje?
Po pse ma bëni mua këtë pyetje? Unë në pozicionin e zv/ministrit do i dërgoja një letër Universitetit të Tiranës për t’u informuar për rastet që kisha denoncuar. Unë detyrën time brenda hapësirës administrative e bëra. Mora një përgjegjësi qytetare dhe brenda hapësirës që më jepte ligji në Ministrinë e Arsimit e bëra, kur e pashë që nuk shkoi më tej, dola jashtë sistemit.
Tashmë këtë letër që nuk munda t’ia dorëzoj Rektoratit brenda Ministrisë, do ia dorëzoj si qytetar i Republikës së Shqipërisë.
-Diskutuat me kryeministrin Rama për rastet e Blerina Gjylametit dhe Ervin Demos?
Jo, nuk i kemi përmendur aspak.
-Tani që e patë nga brenda sistemin, mendoni se është e lehtë që gjërat mund të ndryshojnë për mirë, jo vetëm brenda Ministrisë së Arsimit, por për të gjithë vendin?
Besoj që ka ardhur koha që tani të bëjmë ndryshimin. Të rinjtë shqiptarë duhet ta kërkojnë, të mos rrijnë në kafe dhe të harxhojnë kohën me llafe, por të kërkojnë ndryshimin. Nëse e kërkon rinia shqiptare, nuk ka shtet që mos t’i përgjigjet. Këtu të rinjtë e pranojnë sistemin dhe qëndrojnë në heshtje. Mendojnë se duke qëndruar në heshtje mund t’i arrijnë gjërat. Është shumë e thjeshtë, të rinjtë duhet ta kërkojnë ndryshimin, prindërit duhet ta kërkojnë, shoqëria civile duhet ta kërkojë, dhe kur të bëhen bashkë nuk ka shtet që nuk do i përgjigjet kësaj kërkese.
-Po flet për të rinj që 79% e tyre, sipas sondazhit të Gallup, kërkojnë të ikin nga Shqipëria…
Me këtë mënyrë se si veprojnë gjërat këtu dhe nuk i jepet hapësirë të aftit dhe meritokracisë, nuk shikohet rrugë tjetër nga i riu. Unë erdha dhe bëra një sakrificë, e quaj kështu sepse kisha dëshirë dhe pasion për arsimin, dhe sot që po lë këtë post kam dy pozicione dhe po mendoj për të ikur jashtë. E kam ende ofertën nga Universiteti i Zvicrës dhe kam një propozim nga Universiteti i Kopenhagenit.
E thashë edhe në Ministri, kur kam qenë në Harvard kam qenë brenda një zyre 6m2, pa dritare dhe jo me ndonjë ajrim të përsosur. Kemi qenë gjashtë veta, shumë ngushtë, edhe për t’u rrotulluar duhet t’i kërkoja leje shokut apo shoqes që kisha në krah dhe askush nuk ankohej. E di pse? Sepse mendja që ishte përreth të ushqente dhe ti nuk e ndjeje fare vështirësinë.
Me këtë dua të them që nëse ne kemi mendje dhe njerëz që kanë vlera, nuk e ndjen vështirësinë në punë.
-Do e vazhdoni kauzën për arsimin tani që jeni jashtë Ministrisë?
Patjetër, asaj nuk i lëkundem. Brenda apo jashtë, unë kam patur një pasion që kur kam qenë gjimnazist. Ngrita një klasë në protestë për mësuesit që bënin kurse për të marrë notën. Në shkollë të lartë bëra protestë për librat e vjetër, për auditorët, etj. E vazhdoj atë kauzë dhe i qëndroj asaj kauze dhe vizionit që kam për arsimin.
Ministria e Arsimit mban peng të vërtetat e këtij vendi. Në Ministrinë e Arsimit flenë të vërtetat mbi diplomat e shumë zyrtarëve që mund të jenë kryetar bashkie, drejtorë institucionesh, deputetë, ministra, ish-ministra. Kërkohet vetting në politikë, por ai realizohet përmes të vërtetave të diplomave. Siç unë i bëj transparente diplomat e mia, le t’i bëjnë transparente të gjithë drejtorët e institucioneve, të gjithë ministrat dhe ish-ministrat, e aty bëhet vetting-u në politikë. Aty është e vërteta e Shqipërisë që mbahet peng dhe nëse si shoqëri e kërkojmë këtë, ke për të parë se Shqipëria do të lulëzojë.
-Keni diçka për të shtuar në fund të kësaj interviste?
Një mesazh për rininë shqiptare që të mos heshtë dhe të kërkojë. Në çdo vend të botës ka probleme, por njerëzit kërkojnë të drejtat e tyre, kërkojnë ato gjëra që u mohohen. Nuk kërkohen duket ndejtur në kafe, duke publikuar foto në Instagram, por kërkohen duke u mbledhur së bashku dhe duke i bërë publike shqetësimet.