Flash News
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci
Konstituimi i grupit të dialogut PD-PS, Bylykbashi: Prioritet është Reforma Zgjedhore
Konstituohet grupi i dialogut mes opozitës dhe mazhorancës për ‘Reformat’
Tragjikomedia e AADF me Butrintin: Një i panjohur do të drejtojë bordin shkencor të fondacionit
Naum Mara
Ai ishte një ishull i vetmuar në Paqësor, që u bë i njohur se kadinjtë hynë një ditë në grevë dhe nuk dolën prej saj.
Ende kanë mbetur të errëta se pse njerëzit më të nderuar të ishullit, u zemëruan aq shumë me krerët e shtetit sa të hynin në një grevë të tillë të panjohur më parë në rruzull. Disa thoshin se kishin hyrë në shenjë proteste për rrogat e vogla, disa të tjerë ia hidhnin fajet shtetit, që nuk ju kishte dhënë privilegjet që ju takonin, ndërsa të tjerë, akuzonin Parlamentin e Ishullit, që kishte miratuar një ligj për martesat e homoseksualëve, gjë të cilën gjykatësit nuk mund ta duronin dot.
Puna është se ata dhe ato, që vendosnin mbi grindjet mes njerëzve dhe shtetit, mes njerëzve dhe njerëzve, mes njerëzve dhe animalistëve, vendosën të mos shkojnë më në punë dhe ju vunë kyçin sallave të gjykatave.
Në Kushtetutën e Ishullit kishte një Amendament (ai me numur 3), që gjykatësit mund të zëvendësoheshin vetëm kur të vdisnin dhe, përderisa gjatë grevës nuk pat vdekur as edhe një gjykatës i vetëm, nuk mund të emërohej dot as edhe një gjykatës i ri i vetëm.
Pati një nismë parlamentare për të ndryshuar Kushtetutën, por edhe ajo nuk mund të miratohej pikërisht prej faktit, që Gjykata Kushtetuese ishte e mbyllur.
Shteti ishte i fortë.
Policia e shkëlqyer.
Ekonomia e vendit në lulëzim.
Shoqatat jo-qeveritare gëlonin.
Por, nuk kishte gjykata.
Pa kaluar disa orë nga kryerja e një krimi, policia i zinte keqbërësit dhe i fuste në burg, por nuk mund t’i mbante dot më shumë se 24 orë, se nuk kishte gjykatës të përcaktonte masën e sigurisë. Kriminelët shëtisnin të lirë, ishin bërë arrogantë dhe megjithëse forcat policore ishin shumë efikase, kriminelët nuk i dënonte dot kush. Ishin një ditë po dhe një ditë jo në veprimtari kriminale.
Fqinjët filluan të ziheshin gjithnjë e më shumë për gjerdhet, por nuk kishte më gjykatës të mençur e të drejtë, që të zgjidhnin çështjet e pronësisë bazuar mbi tapitë e vjetra, të reja dhe atyre të ndërmjetme.
Por, më e keqja ishte se bëheshin martesa, por nuk mund të bëheshin divorce. Kjo rriti shumë shkallën e imoralitetit, pasi gratë nisën të shkonin hapur me mullixhinjtë, jo vetëm për inat të vjehrrave, dhe burrat nisën të mbajnë nga tri-katër gra, edhe kur nuk i përkisnin fesë islame.
Kishte edhe një vështirësi tjetër. Ishulli vërtet ishte një shtet shumë demokratik, por nuk ishte pjesë e Komonuellthit dhe e asnjë traktati tjetër ndërkombëtar. Me një fjalë, as ndërkombëtarët nuk mund të vinin dorë.
Pleqtë e Ishullit (në këtë kategori hynin vetëm poetët, që kishin botuar mbi 10 tragjedi në vargje), të tmerruar nga kaosi i pashmangshëm, u mblodhën të pleqëronin këtë hall mbi hallet. (Hallnajë, e quajti më i moshuari syresh). Pasi i rrahën mbarë e prapë të gjitha mundësitë kushtetuese dhe antikushtetuese, ju rikthyen edhe kodeve të vjetër dhe kohëve kur nuk kishte ligj, “por i madhi hante të voglin dhe të dy hanin atë, që bëri t’anë“, një nga të moçmit dha idenë t’ju bënin thirrje furrxhinjve mos ju jepnin bukë gjykatësve, bakallëve të mos ju shisnin ushqime dhe kundraxhinjve, mos ju rregulllonin këpucët.
“Po sikur kadinjtë të fillojnë të mbjellin grurë vetë, ta bluajnë po vetë dhe të bëjnë edhe bukën vetë, si do bëjmë?”, pyeti një më pak i moçëm.
“Pastaj do ndryshojmë shprehjen,- po të ishte puna e mirë, punonte edhe kadiu-“ u përgjigj plot bindje plaku ideator, nga pena e të cilit kishin dalë mbi tridhjet tragjedi në vargje.