Flash News
Lejuan 37 ndërtime të paligjshme, dënohen dy kryeinspektorë dhe inspektorë të IMT në Bashkinë e Lushnjes
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
Makina përplas për vdekje këmbësorin në Fier, shoqërohet shoferi 20-vjeçar
Miratohet raporti, Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshillin e Evropës
Gjekmarkaj letër Gjykatës së Apelit: Kthejini legalitetin Partisë Demokratike dhe opozitës
Raimonda Shundi (Dervishi)
Por nuk mjafton! Kërko ndjesë ti, Tahiri, Xhafaj, Balla dhe gjithë soji juaj politik që po na ndosni gjithçka. Por nuk mjafton as ndjesa juaj zotërinj egoistë, anti-njerëz; se instaluat jo-normalen në sistemin tonë çdoditësor. Instaluat krimin, marjuanën, hashashin, kokainën, vjedhjen, përfitimin, zhvatjen… sikur të jetë punë, ujë, drita, shkollim, pension, shërbim shëndetësor. Nuk mjafton as ndjesa as rrëzimi, as zhdukja nga ekranet tuaja pa jetë dhe as spektaklet mallëngjyese. Dëmtimet sistematike që bëtë dhe vazhdoni të na bëni janë të pasistemueshme, të pakorrigjueshme.
Pse duhet të bombardohemi me avujt e helmit tuaj?! Fëmijët tanë po rriten teksa dëgjojnë të flitet vetëm për këto fenomene. Fëmijët tanë termin krim dhe drogë e kanë të servirur si mirmëngjes-in ditor. Çfarë do të ndodhë nesër me ta kur shembujt drejtues jeni ju? Në një ambjent ku edicionet qëndrore, emisionet e çdo televizioni ndjekin ethshëm deklaratat, intervistat apo konstatimet vetëm mbi zhvillime e aksioneve pro-drogë videove “jo-reale”, gjyqësorin nën kllapi, ikonat e vjedhura ku burgoset kujdestari dhe hajduti mban fjalimin se “do bëjmë shtet”.
Na mbetet të shpresojmë që pasioni për ikonat t’ju shërbejë për t'u lutur para tyre dhe jo për të nxjerrë fitime. Në këtë mori bëmash dhe deklaratash çfarë mund të presësh se do të kultivohet te fëmijët tanë?
Nuk më intereson asgjë nga axhenda juaj. Le të kapet me aq e kaq tonë drogë vëllai i ministrit X, apo “prangoset” dhe vëllait tjetër i ministrit Y. Nuk më intereson as sa i pasur u bë me format tuaja zhvatëse vëllai i kryeministrit tim apo fotokopjeve të tua. Nuk dua t’ia di!!! Unë (dhe shtetasit tuaj) dua të mendoj për jetën time se shumë të vështirë ma ke bërë dhe s’po më krijon asnjë mundësi të organizoj mbijetesën time, në vendim tim, ku nuk ka asgjë nga fëmijëria IME. Po më minon gjithçka që dua të ndërtoj vetëm e vetëm se ju zoti kryetar i shtetit tim hallemadh, nuk po më lini asnjë shteg të marrë frymë e të organizoj programin tim e të fëmijës tim, pasi po flasim vetëm për ju dhe çudirat e ndotura të sojit tënd.
Shoh se tashmë familjarisht kemi fobi nga televizori. Nuk guxojmë të ndërrojmë kanalet deri sa të gjejmë një emision ku ka vetëm pemë, histori, muzikë, arte. Se në zapping na del ti me stema televizive të ndryshme, por të njëjta në përmbajtje. Shpejt do jetë vonë për të kuptuar se ndjesa ka gjithçka që duhet ta mendoni seriozisht, para se të pushojë edhe kjo këmbanë. Por deri atëherë mos na ushqeni më me çorbën tuaj, pasi edhe në luftë e ka një pushim. Konsumojeni me njëri-tjetrin në skutat ku organizoni dhe banketet tuaja ministrore duke na kursyer një inat më pak. Protagonizmi që ju ka përfshirë ju ka errur sytë e nuk po shihni se pak ju ndan nga fluturimi në vendin e gabuar.
Kërkoni ndjesë zoti Rama (megjithëse as që e dua për vete) dhe mjaft na lodhët sytë me daljet on-line në rrjetet e tua sociale. Lidh on-line të pastrehët, të pangrënët që ushqehen nga kazanët e plehrave e ti i persekuton, të papunët, të pambrojturit apo të pa klan-ët. Nuk rrëfehen punët e “bukura” kur krimi dhe e keqja ka gangrenizuar gjithçka. Merru me politikat sociale, pyjet e shkretuar, oazet e zaptuara nga barbarët, hidrocentralet e rrëmbyera, lehtësimin e shkollimit apo ujin dritat … dhe jo duke gjetur forma skandaloze t’i paguajnë këto detyrime jetike duke i telefonnuar punonjësit e administratës tënde se u ka përfunduar afati i pagesës së tyre kur ti afron jo punësim ose jetesë të vështirë.
Gjej forma se si t’i përballojnë dhe t'u mbetet edhe për të paguar bukën e kripën, e jo të kapesh me qepët e fshatarëve që ua more votat me këmbime skandaloze. Kërko ndjesë dhe fshihu se na çudite me kurajon se si di gjithçka duke na u bërë prokuror, arkitekt, doktor, financier… Lëru vend profesionistëve se punë s’paska për ta pasi nuk i lë superprofesionisti, super skutisti. E pas kësaj…. mbyllu në bunkerin që ke ndërtuar për vete duke na lënë të lirë në habitatin e natyrës sonë të bekuar që ju nuk po na lejoni ta shijojmë pasi keni gllabëruar e shpërfytyruar si e ç’keni mundur.
Natyrisht që iket nga ky vend i bekuar nga natyra e i mallkuar nga liderët drejtues, ku flitet vetëm për substancat tuaja narkotike e asgjë për NJERIUN. Normale, tashmë njeriu është kthyer në një njerëzi-derziu ku servili dhe i pafytyri është nobelisti yt. Sa i përket shprehjes suaj të shumëpërdorur:”Nuk jemi të gjithë njësoj”, keni plotësisht të drejtë se në fakt jeni njëri më i keq se tjetri. Do të ishte mirë që të gjithë ju “jo të njësojtët”, të kërkonit ndjesë sëbashku, megjithë pavlefshmërinë e saj.