Flash News
Shtyhet sërish seanca për Berishën, shkak mungesa e prokurorëve
Investimi në Sazan/ Rama pyetet pse nuk shpall tender kombëtar: Do shqyrtojmë aplikimin
Paraqitet në SPAK, ish-ministri dhe deputeti socialist, Nasip Naço
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
Alfred Lela
Publikimi i një dokumenti që bën me dije vendimin e qeverisë për të shembur ndërtesën e Teatrit Kombëtar, dhe për të ngritur në atë istëm toke pas tij një kolazh kullash ka hedhur dritë mbi disa fakte të reja njëherësh.
Së pari, kjo qeveri dhe të gjitha degët e saj lokale, në këtë rast Bashkia e Tiranës, nuk e njohin, madje e shohin si diçka të huaj, inferiore, një non sense, transparencën. Kush është sadopak familjar me debatin mbi Teatrin, duhet t’i mbajë mend deklaratat e Veliajt dhe Kumbaros ‘Teatri nuk do të prishet’; ‘Teatri do të prishet’; ‘nuk do të ketë kulla’; ‘do të ngrihet vetëm një kullë’; e kështu, e ashtu, e asgjë.
Kryebashkiaku dhe ministrja e Kulturës kanë luajtur rolin e dordolecëve në arën e mbjellë me zhurmë të opinionit publik, përfaqësuesit e të cilëve Kryeministri i imagjinon si sorra. Të dy funksionarët socialistë, me deklaratat kontradiktore, kanë dashur të testojnë reagimet duke u bërë njëfarë karremi për ‘sondazhet e gjalla’ të shefit të tyre. Kur u kuptua se temperatura nuk po ulej dhe artistët nuk po dorëzoheshin, me sa duket, Rama i fshiu i mërzitur taktikat me Velinë dhe Kumbaron, dhe mori vendimin e parë dhe final njëkohësisht: të prishet Teatri.
Kryeministri është armik i përbetuar i transparences, sepse mendon se ligjet e vendit dhe publiku gërnjar nuk duhet asesi t’i pengojnë idetë e tij. I tillë është edhe rasti i Teatrit Kombëtar.
Së dyti, na është shfaqur edhe më qartë, një fakt i konsideruar si pandehmë, sipas të cilit Tirana nuk ka kryetar Bashkie dhe Shqipëria nuk ka Kryeministër. Erion Veliaj, me sa duket, bën vetëm kryeinspektorin komunal, dhe të gjitha vendimet e mëdha i merr kreu i Qeverisë. Këtë e bën, jo vetëm për të ushtruar pushtet, por edhe për të ushtruar modelin e tij. Është thuajse e tepërt të flasësh për faktin e bezdisshëm të mosndarjes së pushteteve, shkeljes së ligjit, e me radhë.
Së treti, nuk mund të mos e vëresh oreksin e Ramës dhe të yesmen-ëve të tij për të vënë dorë vetëm aty ku ka objekte të traditës parakomuniste, ato që zakonisht lidhen me Mbretin Zog, apo me kulturën italiane. Restaurimet, prishjet, zhdukjet e këtyre objekteve, nuk duhen kuptuar thjesht si babëzi financiare, por edhe si Restauracion i Komunizmit. Bëni një krahasim mes kujdesit të fortë të treguar për momente dhe monumente të asaj kohe si, Bunkeri në Dajt dhe BunkArti në Tiranë, shtëpia e gjetheve, Konferenca e Pezës, apo Piramida. Pse nuk u diskutua për anjë moment shndërrimi i Piramidës, ndërtuar pas vdekjes së diktatorit Hoxha dhe në kujtim të tij?! Piramida restaurohet ndërkohë që Teatri Kombëtar, që ka disafishin e historisë dhe të kuptimit për artin, traditën dhe arkitektonikën, do të rrafshohet. Ka një disbalancë këtu e cila lutet për një shpjegim logjik.
(Vëreni rastin e Teatrit të ri që është quajtur ‘Turbina’, duke huazuar bindshëm nga termat dhe totemet e socializmit).
Së katërti, është rikthimi në breg, si ajo shishja e hedhur në det, e atij që vetë Rama quan ‘obsesioni i tij me vdekjen’. Tirana, mesa duket, është shndërruar në një atelje të këtij fiksimi dhe çdo pritë që ngrihet para këtij morbiditeti konsiderohet sfidë personale. Kryeministri kërkon një qytet për vdekjen e vet, njëfarë mauzoleumi, në të njëjtën mënyrë që faraonët e Egjiptit këpusnin kërbishtet e një qytetërimi të tërë për Piramidat, ku do të mumifikoheshin trupat dhe lavditë e tyre.
Skulptura e të atit, monumenti ‘Nënë Shqipëri’ naltohet mbi kodrën që sundon kryeqytetin, kujtim i një kohe kur heronj të rrejshëm varroseshin çdo vit në tokën e shpronësuar latifondistëve ‘reaksionarë’ shqiptarë.
Vepra e të birit po kryen shpronësimin e dytë, duke hequr qafe edhe një traditë tjetër. Restauracioni (komunist) po e fiton edhe njëherë Luftën, edhe pse askush nuk do ta shohë botën jashtë financës.
Jo se ajo nuk është përcaktuese këtu.