Prej 12 ditësh, banorët e “Astirit” në Tiranë, të prekur nga projekti për ndërtimin e Unazës së Re, kanë bllokuar rrugët për të kundërshtuar në çdo lloj mënyre prishjen e shtëpive dhe bizneseve të tyre. Gjatë protestës, Lina, një 59 vjecare nga fshatërat e Pukës, është një ndër më aktivët, duke kërkuar drejtësi dhe duke paralajmëruar se nuk do të heqin dorë derisa të respektohet e drejta e tyre për strehim.

“Duam llogari deri më një, edhe ambasadorëve do t’iu shkojmë në derë. Ju them të gjithë pushtetarëve që jeni shumë gabim, hajduta të poshtër. Poshtë hajdutët”, thërret ajo mes grumbullit të protestuesve.

E pyetur se kur iu ka ardhur njoftimi për shembjen e shtëpive, 59-vjeçarja shprehet se janë lajmëruar vetëm prej dy muajsh.

“Në verë vinin nga 3-4 policë bashkë dhe na bënin intervista. Ne nuk e dinim ç’kërkonin. Kur
shkuam të interesoheshim, pamë projektin ku e kishin zhvendosur shtratin e lumit mes shtëpive
tona. Firmat e Taulant Ballës e miqve të tij që merren me drogë, kanë sjellë rrethimin në mes të
Lanës, që të shtyjnë shtratin e lumit. Ne njoftimi na ka ardhur prej dy muajsh, që do të prishen
shtëpitë. Më parë nuk ka pasur asnjë projekt të tillë, i kanë ndryshuar në pesë vitet e fundit. Tani
e kanë ndryshuar projektin që të na shkatërrojnë ne shtëpitë dhe ta bëjnë pronë të vetën”, thotë
Lina.

Lina Marku, me trishtim të madh, tregon që për të kjo që po ndodh është një tragjedi, pasi ajo dhe familjarët e saj do të mbeten mes katër rrugëve. Nuk bëhet fjalë vetëm për shtëpinë ku ajo jeton me bashkëshortin, por 4 fëmijët, tashmë të martuar, jetojnë shumë pranë dhe rrezikojnë gjithashtu të mbeten pa strehë.

“Unë kam hall të madh sepse na prishen 4 shtëpi. Ne jemi 12 persona që jetojmë këtu. Njëra nga ndërtesat është dykatëshe, ku jetojmë unë me bashkëshortin në kat të parë dhe djali më familjen e vet në kat të dytë. Në shtëpinë ngjitur jeton djali më gruan dhe fëmijët. Dy vajzat, që i kam të martuara, jetojnë me familjet e veta në dy shtëpitë krah nesh. Domethënë, ne jemi një familje e madhe prej 12 anëtarësh që jetojmë në 4 shtëpi shumë pranë njëra tjetrës, dhe që i kap plani për t’u prishur të katra. I kam fëmijët të martuar e me fëmijë dhe na thonë të dalim kështu në rrugë të madhe. Kemi dalë të gjithë në protestë, çdo ditë”.

Përgjatë shtratit të lumit Lana, lehtësisht vihet re një rrethim që banorët e zonës e quajnë “muri rrethues”, dhe Lina tregon që sipas informacioneve që ka, pas “murit” do të ngrihen pallate, dhe për të mos iu prishur punë ndërtuesve, qeveria ka vendosur të zhvendosë shtratin e lumit mes shtëpive të tyre.

“Prej dy muajsh e kanë rrethuar lumin, nga shtëpitë tona deri tek pallati me shigjeta. Ne kemi lënë më shumë se 500 metra hapësirë nga lumi Lana që të mos kemi punë me punimet, por për përfitimet e tyre ata duan ta zhvendosin lumin”, shton Lina.

Lina Marku tregon se fillimet në Tiranë kanë qenë shumë të vështira. Ajo ka punuar në kushte shumë të mjerueshme me familjarët e saj për të ndërtuar atë shtëpi. Këmbëzbathur dhe duke ngrënë vetëm një herë në ditë, Lina tregon se sakrificat kanë qenë të mëdha.

59-vjeçarja tregon se kanë tentuar pothuajse çdo vit për të legalizuar shtëpinë, duke shpenzuar rreth 10 milionë lekë (të vjetra), për disa dokumenta që nuk iu pranuan asnjëherë.

Lina shpreh pendesën e madhe për votat që i ka dhënë çdo vit Partisë Socialiste, pasi ndihet e zhgënjyer nga mënyra se si i kanë trajtuar dhe për faktin se edhe pas 12 ditësh protestë nuk kanë marrë asnjë reagim. Ajo falënderon personat që i kanë mbështetur dhe i janë bashkuar kauzës së banorëve te “Astiri”.

Fëmijët e vegjël, nipi dhe mbesa e Linës, edhe pse nuk e kuptojnë mirë se çfarë po ndodh në jetën e tyre, kërkojnë që të mos mbeten në qiell të hapur. “Duam shtëpitë tona”, thonë ata.

Kthehu