Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Mustafa Nano: Nuk do isha i lumtur nëse vajzat apo mbesat e mia do të bëheshin prostituta, por jam kundër dënimit të tyre
Gazetari Mustafa Nano në monologun e kësaj jave në emisionin e tij ‘Provokacija’ u shpreh kundër dënimit penal të prostitutave.
Nano tha se duke dënuar ushtrimin e prostitucionit, Kodi Penal shqiptar, nuk bën gjë tjetër veçse ndalon disa vajza në moshë madhore të bëjnë zgjedhjet e tyre në jetë.
“Jam kundër dënimit të prostitutave. Jam kundër Kodit tonë Penal në këtë pikë, i cili, duke dënuar ushtrimin e prostitucionit, nuk bën gjë tjetër veçse ndalon disa vajza në moshë madhore të bëjnë zgjedhjet e tyre në jetë. Sepse të bësh prostitutën, është një zgjedhje. Dhe këtu po flas për rastin, që ato nuk shfrytëzohen nga dikush. Është një gjë shfrytëzimi i prostitucionit dhe është një gjë tjetër ushtrimi i prostitucionit. Kush dëshiron të jetë prostitutë, le të jetë.
Ne nuk kemi asnjë të drejtë as t’i turpërojmë publikisht, as t’i dënojmë ligjërisht vajzat e gratë, apo në përgjithësi njerëzit, për faktin se përdorin trupin e tyre për të mbijetuar, për të mbajtur me bukë familjet e tyre, apo ndoshta sepse kështu ua ka qejfi. Sepse prostitucioni ky është: t’i ofrosh trupin tënd dikujt në këmbim të parave”, tha Nano.
Gazetari u shpreh se nuk ka kuptim të penalizohen vajzat që prostituojnë madje as me ndëshkime të natyrës administrative me gjoba.
“Nuk ka kuptim të penalizohen vajzat që prostituojnë. Është krejt absurde. As ndëshkimet e natyrës administrative me gjoba, nuk duhet të na shkojnë në mendje. Në këtë rrethanë ne, përsëris, duhet të dënojmë të tjerë, duhet të dënojmë ata që i shfrytëzojnë vajzat.
Dhe te shfrytëzimi nuk ka pse të futet tentativa e dikujt për të punësuar dikë si prostitutë. Nëse nuk bëhet fjalë për ushtrim dhunë fizike e psikologjike, apo për forma të tjera mashtrimi, presioni e shantazhi, nëse vajzës thjesht i bëhet një ofertë normale, të cilën edhe ajo vetë e sheh si normale, atëherë është e qartë se nuk kemi të bëjmë me shfrytëzim prostitucioni. Këtu jemi në rrethanat që një vajzë bën prostitutën me vullnet të lirë. Shkurt, bën një punë, punën që do. Punë e mbarë i qoftë! Me këtë nuk po them se të bësh prostitutën është alamet pune. Jo, nuk ma nxë goja këtë. Sepse nuk e mendoj një gjë të tillë”, theksoi Nano.
Nuk do të isha i lumtur nëse vajzat apo mbesat e mija do të bëheshin prostituta, nënvizoi Mustafa Nano teksa u bëri thirrje deputetëve që të shfuqizojnë nenin që dënon vajzat që ushtrojnë prostitucion.
“Nuk do të isha i lumtur nëse vajzat apo mbesat e mija do të bëheshin prostituta. Po nuk e kuptoj se si mund të dënohet një vajzë që bën prostitutën nga halli. Sepse, duhet thënë kjo, të shumtat nga halli e bëjnë. Dhe prandaj, duhet t’i lëmë prostitutat në hallin e vet. Mos t’u bëhemi atyre hall mbi hall.
Apeli im është: Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, shfuqizojeni nenin 113 të Kodit Penal! Bëni një ligj, nëpërmjet të cilit të mbroni vajzat shqiptare prej dhunës së gangove, bëni një ligj që dënon, madje rreptë, tutorët e vajzave, por hiqeni prej Kodit Penal ligjin që penalizon vajzat që ushtrojnë prostitucionin. Sepse është një ligj demode. I kapërcyer nga koha. Dhe i padrejtë”, përfundoi Mustafa Nano monologun e tij në ‘Provokacija’.