Flash News
Goro në burg, Blerina Balaj komandohet kryetare e Bashkisë Himarë
Video/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, qytetari pështyn në fytyrë Vangjel Tavon
Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….
Nën hetim për trafik k*kaine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut
Atentat në Memaliaj, qëllohet me breshëri arme avokati
Gent Gaba
Dje Politiko.al risolli në vëmendjen e publikut një libërth në të cilin ishin përmbledhur qëndrimet e personazheve të ndryshme publike, intelektualë, gazetarë, politikanë etj., gjatë debatit të shtatë viteve më parë për “Piramidën”. Asokohe, ‘shtëpia e fundit’ e diktatorit Enver Hoxha, ishte pjesë e një projekti të ish-kryeministrit Sali Berisha për të ndërtuar në vend të saj godinën e re të Kuvendit të Shqipërisë.
Në faqet e “Piramida e Tiranës, e hijshme e braktisur e rrezikuar”, midis shkrimeve të ndryshme, gjendet edhe pasqyrimi i një fjalimi të kryetarit të opozitës së atëhershme, Edi Rama, të mbajtur në Komitetin Shtetëror “Për ndërtimin e kompleksit të ri Parlamentar”. Në ligjëratën e tij, midis të tjerash, Rama theksonte “Taleban ishte Enver Hoxha dhe regjimi i tij që i hynë me dinamit dhe hodhën në erë 2400 kisha e kapela romane, që dogjën 300 e kusur mijë vepra arti fetare dhe libra fetarë. Talebane është edhe e kundërta. Pra, të bësh atë që bënte Enver Hoxha me trashëgiminë kulturore dhe historike të këtij vendi. Ju siguroj që këtë nuk do ta bënte asnjë vend evropian, siç nuk e kanë bërë.”
Sot Edi Rama është Kryeministri i Shqipërisë, dhe nesër, për vullnetin e tij dhe vetëm të tij, Parlamenti do të votojë një projektligj që parashikon shembjen e godinës historike të Teatrit Kombëtar dhe në një pjesë të truallit të tij, ndërtimin e disa kullave.
Kjo nuk është përmbysja e parë që Rama kryeministër i bën Ramës kryeopozitar. Pas importit të plehrave dhe marrëveshjes për detin me Greqinë, çështja e Teatrit Kombëtar tregon se jemi përballë një inkoherence kryeneçe. Nëse dikur përshkruante prishjen e trashëgimisë kulturore si gjest taleban, sot ai është “mullahu” që ka hartuar një fatva* antikushtetuese kundër Teatrit Kombëtar.
Në asnjë nga apologjitë e tij për Teatrin e ri, Rama nuk ka folur për trashëgiminë kulturore, madje e ka banalizuar tërësisht godinën me epitete nga më fyeset, që kurrë një artist, sikurse kurrikulumi i tij sugjeron, nuk do të bënte.
Edhe një herë koha tregoi të vërtetën për Ramën, por edhe për atë listën e gjatë të të munguarve, “qokaxhinj e hallexhinj pushteti”, që luftuan për “Piramidën”, por u zhytën në një hipokrizi meskine heshtjeje kur ishte koha për të thënë një fjalë në mbrojtje të Teatrit.
Teksa në largësi dëgjohen ruspat klienteliste të Ramës, humbella shtatë vjeçare midis tij dhe paraardhësit të tij në Kryeministri, duket shumë e madhe. Përpjekja e dikurshme për t’i veshur Berishës talibanizmin për prishjen e Piramidës, e zhvesh kryeministrin “artist” në mënyrë të pamëshirshme përballë kundërshtarit të dikurshëm.
Reflektimi i Berishës mbi Piramidën, cedimi përballë kërkesave të intelektualëve dhe opinionit publik, bie ndesh me arrogancën dhe arbitaritetin e Ramës ndaj artistëve, intelektualëve, qytetarëve, e mbi të gjitha ndaj të shkuarës së tij.
Nesër, përballë Parlamentit, që sigurisht nuk ndodhet te Piramida, qytetarët do të protestojnë kundër fatvës që Rama do t’i paraqesë shtatëdhjetë e katër ‘talebanëve’ që drejton. Por, pa kurrëfarë droje, turpi apo ndërgjegje qytetare, duket se deputetët do të sillen sikurse u sollën talebanët në Afganistan përballë statujave pesëdhjetë e tri metroshe të Budës, në mars të vitit 2001, kur pushteti i tyre ishte drejt fundit. Duke i shembur ato me fuqinë e tankeve.
“Ju siguroj që këtë nuk do ta bënte asnjë vend evropian”, apo jo zoti Rama?