Flash News
Konstituimi i grupit të dialogut PD-PS, Bylykbashi: Prioritet është Reforma Zgjedhore
Konstituohet grupi i dialogut mes opozitës dhe mazhorancës për ‘Reformat’
Tragjikomedia e AADF me Butrintin: Një i panjohur do të drejtojë bordin shkencor të fondacionit
Lejuan 37 ndërtime të paligjshme, dënohen dy kryeinspektorë dhe inspektorë të IMT në Bashkinë e Lushnjes
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
Pandeli Majko i prerë: Nëse europianët vendosin kush kampin e refugjatëve për negociatat, ‘ftesa” të mos vijë!
Ministri i shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, shprehet prerazi kundër kampit të refugjatëve në Shqipëri. Në një reagim të gjatë në Facebook, Majko ndër të tjera shkruan se nëse ndonjë politikan europian diskuton “ftesën" për të hapur negociatat e integrimit europian për Shqipërinë me pranimin e ndërtimit të kampeve të refugjatëve, atëherë kjo “ftesë" më mirë të mos vijë.
“Ajo nuk do të ishte ftesë, e aq më pak ftesë europiane”, shprehet Majko, ndërsa shton, “Jam i bindur, që Brukseli nuk mund t'i kërkojë një vendi dhe populli, ndryshimin e strukturës së vet sociale duke vënë në diskutim sigurinë e tij kombëtare dhe më gjerë”.
Reagimi i Pandeli Majkos:
600 MIJE…PYETJE
Lajmet se në Shqipëri do të hapen kampe për 600 mijë refugjatë sirianë janë përtej çdo gadishmërie e imagjinate për një prej kombeve më të vjetër të Europës siç janë shqiptarët.
Mediat mund të japin lajme por jo të nxisin panik në një popull që është një shembull në atë çfarë ofron për të huajt.
Nëse dikush, nuk di të merret me diktatorin e Sirisë, padyshim që nuk kupton se ky individ dhe aleatët e tij, Rusia dhe Irani, po përdorin refugjatët sirianë si “bombë njerëzore”. Qëllimi është për të shkatërruar strukturën europiane si ngrehinën kryesore ndërkombëtare e cila mbart vlerat që ata nuk i kanë. Eshtë një krim cinik dhe antinjerëzor që si teknologji ka filluar me Luftën e Jugosllavisë. Arma synon panikun. Qëllimi është që të ngjalli pasionin e ADN-së për "ruajtjen e territorit" i cili nuk është njerëzor. Krijimi i "antinjeriut" vjen si ftesë nga kjo aleancë e pashpallur lindore e cila po troket në Europën me politikanë që masin çdo gjë me vota…
Shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut. Kështu shkruhet në rregullat e lashta të trajtimit të të huajve që trokasin në derën e shtëpisë së shqiptarit.
Shqiptarët janë populli më miqësor me të huajt dhe që i mbron ata me vullnet e pa kërkesë nga të tjerët.
Askush, dhe për asnjë arsye nuk mund të fyejë kombin shqiptar duke luajtur me këtë ndjenjë kaq pozitive karshi të huajve.
Shqipëria është një rast i rrallë në një botë refuzuese për të huajt. Çdo familje shqiptare ka migrantë jashtë vendit, në Perëndim, dhe kjo është një arsye më shumë për të qenë dashamirës me ata që janë larguar nga vendi i tyre për arsye të mbijetesës.
Si njohës modest i krizave të tilla humanitare e vlerësoj të pavend përhapjen e lajmeve të tilla të cilat mund të shkaktojnë panik në vendin më miqësor me të huajt sic është Shqipëria. Ajo nuk është një "epruvetë" ku interesat politike dhe paaftësitë menaxhuese të të tjerëve të gjejnë justifikim me "eksperimente" të tilla.
Grumbullimimet e refugjatëve në sasi sfiduese për vendasit do të krijojë situatë shpërthyese për të cilën duhet të bëhen mirë llogaritë.
Shqipëria ka gatishmëri për të huajt por askush nuk mund të bëjë "humor" nisur nga nevojat e saj. Nëse ka ndonjë politikan europian i cili diskuton “ftesën" për të hapur negociatat e integrimit europian për Shqipërinë me pranimin e ndërtimit të kampeve të refugjatëve atëherë kjo “ftesë" më mirë të mos vijë… Pasi ajo nuk do të ishte ftesë, e aq më pak ftesë europiane.
Jam i bindur, që Brukseli nuk mund ti kërkojë një vendi dhe populli, ndryshimin e strukturës së vet sociale duke vënë në diskutim sigurinë e tij kombëtare dhe më gjerë.
Të huajt që të vinë në derën e shtëpisë për ndihmë, janë miq! Ata që ti sjellin… janë miq të refuzuar të dikujt tjetër. Ky është përkthimi që shqiptarët do ti bëjnë një ftese për kampe refugjatësh në Shqipëri.
Shqipëria do të ishte e gatshme të ndajë peshën e çdo krize me familjen e vet europiane por shqiptarët nuk janë njerëz naivë. Ata dyshimin e tyre do ta fillonin me pyetje të thjeshta… "Pse diçka që nuk është e mirë për Europën është e mirë për Shqipërinë?” Dhe më ironikja vjen më pas “Nëse na kërkoni diçka që nuk e bëni vet, a na bën kjo më europianë apo e kundërta?”… Janë 600 mijë pyetje për një të vërtetë. Natyrisht!