Flash News
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci
Edi Puka
Në një shkrim të botuar në gazetën “Panorama”, me titull: “10000 mijë studentë më pak, të gjithë duhet të alarmohen”, vihej theksi në disa nga shkaqet kryesore të uljes së numrit të studentëve në arsimin e lartë. Gjithashtu bëhej një reflektim në lidhje me mënyrat dhe rrugët e mundshme për të zgjidhur këtë problematikë thelbësore të shoqërisë tonë. Problematikë, e cila, nuk lidhet vetëm me institucionet e arsimit të lartë, por shtrihet edhe më gjerë dhe ka një ndikim të drejtëpërdrejtë në mirëqenien e familjeve shqiptare si dhe në rregullimin e kërkesë/ofertës në tregun e punës. Të dhënat e analizuara nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit mbështesin alarmin e ngritur pasi, aktualisht, kemi një rënie të numrit të studentëve në arsimin e lartë dhe nga ana tjetër kemi një rritje të kërkesës për punëkërkues me nivel të lartë arsimor nga tregu i punës. Sipas të dhënave të SHKP-së, botuar nga revista “Monitor”, punëkërkuesit e papunë me arsim 9 vjeçar, përbëjnë 57% të totalit të të papunëve të regjistruar, ndërkohë që 28% e ofertave të punës janë për specialistë me arsim të lartë. Nga këto të dhëna, vihet re problematika e theksuar e numrit të lartë të punëkërkuesve me arsim 9 vjeçar. Por si mund të mendojmë dhe shpresojmë për një shoqëri më moderne, më të qytetëruar dhe më humane, kur kemi këtë paqyrë alarmuese? Ulja e numrit të studentëve dhe si rrjedhojë rritja e numrit të punëkërkuesve me arsim 9 vjeçar është paradigma ekzistenciale e shoqërisë tonë. Ёshtë e nevojshme një ndërhyrje strategjike nga ana qeverisë në lidhje me rritjen e transparencës si dhe kryerjen e detyrës së rregullatorit në hartimin dhe zhvillimin e politikave të punësimit. Por cilat mund të jenë disa nga zgjidhjet e mundshme të kësaj situate?
Së pari, rishikim i detyrimit shkollor, i cili duhet të kalojë nga 9 vjet, siç ështe aktualisht, në 12 vjet. Rritja e viteve të shkollimit të detyrueshëm ndikon në mënyrë thelbësore në rritjen e nivelit kulturor të individit, që rrjedhimisht sjell zhvillim të kapacitetit të tij mendor që si pasojë e bën më të aftë për t’u përballur me sfidat e të ardhmes. Rritja e kërkesës së tregut të punës për individë më të kualifikuar është një tregues i cili nuk mund të anashkalohet. Vetëm gjatë vitit 2017, punëkërkuesit me arsim të lartë e kanë patur shumë më të thjeshtë të gjejnë një punë. Shifrat tregojnë se nga punëkërkuesit e papunë me arsim universitar: 31% janë punësuar në fushën e mësimdhënies, 19% në shëndetësi, 22% në administrim biznes, 13% në fushën e komunikimit dhe informacionit etj., gjithashtu ka një rënie me 19% të grupit të të papunëve me arsim të lartë, nga 6,018 në 4,860.
Së dyti, shkollat e mesme me karakter profesional duhet të rikonceptohen si kolegje profesionale të larta të cilët ofrojnë diploma profesionale 2 vjeçare, pas kryerjes të arsimit të mesëm të lartë, pasi nevoja thelbësore e shoqërisë tonë lidhet ngushtë me formimin dhe edukimin e individëve për të qenë, në radhë të parë qytetarë e më pas profesionistë të mundshëm. Pas moshës 18 vjeçare individi është më i aftë dhe më i qartë për të konceptuar rrugëtimin që kërkon apo dëshiron të kryejë.
Së treti, pengesat mekanike, si përshembull kufiri i notës mesatare minimale për të patur të drejtën e ndjekjes së arsimit të lartë, janë jokoherente me nevojën e vetë shoqërisë për zhvillim, pasi nuk rrit cilësinë e studentëve që do të ndjekin arsimin e lartë, por thjeshtë rrit presionin tek shkollat e mesme duke na dhënë një panoramë fiktive të cilësisë. Shembujt e vendeve të BE-së, ku secili ka të drejtë të ndjekë arsimimin që dëshiron pa kurrëfare limiti apo pengese, janë shumë domethënës. Është shprehje e lirisë themelore të individit që të përzgjedhë drejtimin që dëshiron dhe jo të pengohet apo të udhëhiqet nga parimet e të tjerëve. Koha kur vendosnin të tjerët për të ardhmen e të rinjve ka kapitulluar prej shumë vitesh dhe është e pakuptimtë dhe jo logjike, për të mos thënë e dëmshme, që të përsërisim gabimet e të shkuarës.
Liberalizimi dhe aktualizimi i konceptit të edukimit në teori dhe si praktikë është një nevojë akute dhe e domosdoshme. Edukimi dhe arsimi në veçanti duhen parë si prioritete jetike, nëse dëshirojmë që të mos përsëriten raste si “Selenica”. Nëse individit i jepet mundësia dhe motivimi i duhur për t’u edukuar dhe arsimuar, ai do të ndjehet qytetar i lirë dhe si i tillë do të sjellë zhvillim dhe harmoni shoqërore, në të kundërt ekzistenca e tij do të kthehet në një përvojë zbrazëtie dhe humbëtire mendore, për të cilën askush nga ne nuk është i interesuar.
*Pedagog në UET