Flash News
Shoferja humb kontrollin në aksin Devoll-Miras, dy të plagosur
SPAK sekuestron pasuritë e dy ortakëve të Evis Berberit
Goro në burg, Blerina Balaj komandohet kryetare e Bashkisë Himarë
Video/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, qytetari pështyn në fytyrë Vangjel Tavon
Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….
Plumbat mbi Klodianën: një porositës, një dorẩs dhe një frymëzues
Alfred Lela
Në çdo akt dhune, kërcënim, tentativë vrasjeje apo vrasje, janë zakonisht dy palë të përfshira: porositësi dhe dorasi. Sofistikimi i botës, në këtë rast për të keq, ka bërë që edhe krimi të kthehet në zanat, të ketë profesionistët e vet, çmimet, listën e vrasësve me pagesë, e me radhë. Eshte krijuar pra, një 'treg i krimit'. Ky treg mundëson që të ketë porositës, njerëz që duan t’i zgjidhin ‘problemet’ duke paguar, dhe dorasë, ata që e kryejnë ‘porosinë’ për një shumë të caktuar.
Ekziston edhe një kategori e tretë, që lidhen me dhunën në mënyrë të tërthortë: frymëzuesit. Këta janë zakonisht njerëz të sferës pubike, që kanë akses mediatik, që ligjërojnë publikisht dhe e ndërtojnë këtë ligjërim (retorikë) mbi përjashtimin, ekskluzivitetin, supremacinë, dallimin, forcën etj. Fjalët e tyre janë të dhunshme ose lajmëtare të saj. Zakonisht, politikanët dhe partitë ekstremiste përdorin gjuhë të tillë: aktualisht janë forcat e ekstremit të djathtë, me një repertor që mund të ndryshojë në fjalor, por është aq i ngjashëm në tone e teknika me atë të partive komuniste të fillimit dhe mesit të shekullit të shkuar.
Gazetarja e kronikës, Klodiana Lala, mbi shtëpinë e prindërve të së cilës janë derdhur breshëri kallashnikovi, është bërë, mëngjesin e së enjtes, pre e një dhune rrënjët e së cilës mund të kërkohen në tre drejtimet e skicuara më lart.
Për dorën që shtiu mbi familjarët e gazetares ka patur një porositës, kjo është e sigurt. A ka patur edhe një frymëzues? Një rreshtim gjurmësh të ligjërimit (retorikës) mund të na bëjë me dije nëse ka patur frymë nxitëse të dhunës në qarqet që kanë pushtet, politik apo çfarëdoqoftë, dhe që mund ta shprehin këtë me anë të retorikës.
Meqë target i ‘pritës’ është një gazetare apo familja e saj, na duhet ta kthejmë vëmendjen kah media, sektori ku Klodiana Lala punon. Cili është ligjërimi sundues për median dhe gazetarët në Shqipëri? Cili ligjërues/e e sundon atë dhe në ç’drejtim e çon ai/ajo retorikën në lidhje me shtypin?
Nuk lyp sforco kjo përgjigje: ligjëruesi kryesor në vend është Kryeministri, Edi Rama, dhe retorika e tij në raport me median është negative. Me negative nënkupto përçmuese, arrogante, shpërfillëse, kërcënuese, etj., dmth nënkategori të dhunës së të shprehurit, jo asaj fizike.
Megjithatë, çfarë ndodh në mendjen e personave që nuk artikulojnë dot dhe, instinktivisht e zëvendësojnë dobësinë e të shprehurit me ‘artikulim fizik’, kur dëgjojnë Kryeministrin që denigron një kategori të caktuar si gazetarët? Nëse janë simpatizantë politikë të PS dhe Kryeministrit, në brendësi iu zgjohet dakordësia shpirtërore me Ramën, e cila, siç thamë, në mungesë të artikulacionit shpirtëror dhe linguistik shndërrohet në reagim fizik. Kjo na është shfaqur, e shëmtuar dhe e pakundërshtueshme, pak muaj më parë në dyert e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë. Edhe ky shembull i dhunës ka rënë mbi shpinën e një gruaje. Së njëjtës grua. Gazetares Klodiana Lala. Kur ajo i drejtoi një pyetje ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, reagimi i kohortës ‘popullore’ të eksponentit socialist iu kthye gazetares me sharje dhe kërcënime që janë familjare, sepse i keni dëgjuar dhe parë.
Kjo pra është psikologjia që ngjall te njerëzit retorika e ngarkuar me frymë të dhunës. Gratë socialiste që mbronin ‘dhëmb për dhëmb’ Tahirin, kundër një gazetareje që bënte punën e vet, dhe kundër një gruaje për më shumë, e merrnin këtë ‘leje’, jo dhe aq te simpatia apo animi politik se sa te artikulimi i përgjithshëm dhe sundues në raport me gazetarët i forcës që qeveris Shqipërinë dhe, më saktësisht, i shefit të saj, Edi Rama.
Kazani, nuk është kurrë vetëm një fjalë, ai është një fakt antropologjik, që bart brenda vetes një kulturë popullore të caktuar. Në shembullin e Kryeministrit ai kthehet në mjet politik, propagandistik, luftarak dhe fizik. Ata që kanë qëlluar mbi prindërit e moshuar të Klodiana Lalës janë shtyrë aty si drejt një ‘kazani’. Me plumbat e tyre kanë shpuar një ‘kazan’. Drejt kësaj imagjinareje i ka shtyrë gjuha e Kryeministrit.
Nuk kanë mundur të shohin shtëpi, prindër dhe as grua, që janë tre fondamente të forta sociale të shqiptarit. Kazani, si kategori e ‘së ultës’, udhëton më shpejt në imagjinatë, duke i mundur kategoritë e së mires/lartës si shtëpia, gruaja dhe profesioni (gazetaria).
Kryeministri nuk është në padijeni të asaj se çfarë mund të bëhet me fjalët. Duke qenë se e di forcën e tyre, ai duhet të pranojë se është edhe frymëzuesi i dhunës ndaj koleges sonë.
Nuk po i kërkojmë ndjesë, por të paktën t’i japë fund njëherë e gjithmonë!