Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Alfred Lela
Bilanci tregtar, apo i shkëmbimeve të tjera ndërshqiptare, nuk u përmirësua sot pas mbledhjes së dy qeverive, shqiptare dhe kosovare në Pejë, por bilanci i deklaratave patriotike, po.
Ramush Haradinaj ra në huqin publicitar të Edi Ramës kur bëri tri gjëra krejt të panevojshme me flamurin kombëtar të shqiptarëve: e firmosi, vuri duart mbi të në përbetim dhe bëri shqiponjën, po me duar. Për një burrë që ka bërë gjëra të vërteta për flamurin e të parëve të vet, të rrejshmet dhe publicitaret nuk ia kanë pikën e hijes.
Ashtu i palumtur ngjante Ramboja kur si viçi pas lopës pikalore pinte nga sisët e mëdha silikon-fryra të patriotizmit.
Nuk ka gjë të keqe që kabinetet e dy vendeve me shumicë shqiptare të mblidhen dhe të krijojnë pr-in e tyre. Edhe më mirë po të takohen me qëllim konvergimin e ideve të tyre, ideve të shteteve dhe idesë së kombit. U duk se e një prerjeje të tillë ishte edhe studimi i shpallur nga kryeministri Haradinaj për 'Shqipërinë dhe Kosovën si do të jenë në vitin 2025", kohë që përkon me gjasën e një anëtarësimi të Serbisë në Bashkimin Europian.
Huazuar prej një rilindësi të njëmendtë, Sami Frashërit dhe librit të tij me teza iluminuese, nuk ngjan aspak teprim rimarrja nga dy drejtuesit e qeverive që pretendojnë rilindjen e një kombi, të cilin një rilindas tjetër Frashërlli e pat pat profetizuar "lum kush të rrojë ta shohë zonjë!".
Haradinaj dhe Rama nuk janë në këtë pikë të fatit 'naimian' ende, por çfarë po bëjnë për këtë?!
Ndryshimi mes Haradinajt dhe Ramës mbetet. Nëse i pari ka ndihmuar që, të paktën Shqipëria të kalojë nga 'ç'ka qenë' në 'ç'është', (duke marrë pjesë me armë në dorë në luftën për çlirimin e Kosovës, një pjese të shqiptarisë), Rama mbetet ende në kornizën estetike dhe dëshirore të 'ç'do të bëhet?'.
Ai ka, padyshim, një kontribut estetik në imagjinaren e Shqipërisë dhe mund të futen këtu kurimi i vizitës së papa Françeskut, vizita e delegacionit shqiptar në Francë me rastin e sulmeve terroriste, dhe një 'etike përmes estetikës' i fasadës së shtetit dhe administratës. Në të tjerat kryeministri është dëshmuar rrënues. Mjafton kujtesa e dëshirës për ikje të shqiptarëve, në përmasat e eksodit gjatë tre viteve të fundit, dhe të gjitha i ke thënë.
Po aq treguese e shenjës së rrënimit është edhe shkujdesja për të mos e lënë ndarëse dhe kategorike vijën e kuqe mes shtetit dhe elementit kriminal. CV-të e deputetëve dhe kryebashkiakëve socialistë, që nuk binin poshtë, në rastin më të paktë, mësuesit, prej 2013 e këtej janë zëvendësuar me personazhe që diplomat i kanë false dhe gradat e larta i mbajnë në punë të ulëta.
Këto radhë nuk kanë pse kthehen në një tjetër analizë të Ramës dhe qeverisjes së tij, por shërbejnë për të thënë se patriotizmi nuk mund të jetë një gjest piari. Ai është një shembull që jepet përmes akteve personale. Deklaratat me 'shqiptari' përkundër 'burokratit europian', apo 'serbit të pandjeshëm' nuk janë të tilla.
Në studimin e nisur prej dy qeverive për Shqipërinë dhe Kosovën, apo shqiptarinë, në vitin 2025 është e nevojshme të studiohet edhe kjo: Si kanë ndikuar elitat politike në ngecjen apo përparimin e dy republikave? Çfarë kanë bërë mirë dhe çfarë kanë bërë gabim ndër vite? A ëshë përdorur patriotizmi dhe nacionalizmi si maskë për të mbuluar problemet respektive të brendshme politike, apo ka qenë gjenuin.
Nëse studimi do të merret me hulumtimin e popullit apo 'të tjerëve', duke mos pikasur njolla te iniciatorët e tij, do mbetet thjesht një gjest propagande. I cili, si një kondom, vlen vetëm një rast: kur përdoret për herë të parë.