Gentian Gaba
Ekonomikisht dhe psikologjikisht nuk do të jetë një prill i lehtë për shqiptarët. Nga dita e “rrenave” do të nisin një sërë detyrimesh të drejtpërdrejta, apo të tërthorta, të cilat do të shënjestrojnë xhepat tona.
Nga data nji, çdo individ që ka në pronësi shtëpi ose biznes do të paguajë taksën mbi pronën me faturën e energjisë. Po të njëjtën ditë, të gjitha bizneset që qarkullojnë më shumë se dy milion lekë të reja në vit, do të jenë të detyruar të hyjnë në skemën e TVSH-së, nga pesë milion lekë që ishte kufiri më parë. Gjithashtu, gjatë këtij muaj, të gjithë ata që paguajnë “taksën e qarkullimit’, dhe nuk kanë një rrugë alternative cilësore për të shkuar në Kosovë, ose në Bjeshkët e verilindjes, duhet të paguajnë të paktën pesë euro.
Sigurisht, më katolikët se Papa, do të thonë se taksat, TVSH-ja dhe autostradat paguhen gjithandej nëpër botë. Madje mund të na kujtojë se “vdekja dhe taksat janë të vetmet siguri në këtë jetë”. Shumëkush do të ishte dakord me këto pohime; edhe drejtimi që kemi zgjedhur shkon përkrah me koncepte si formalizmi, fiskalizimi, e mrrokulla të tilla që profesorët e matematikës, që shiten për ekonomistë (sidomos ata që diplomën e parë e kanë në Marksizëm-Leninizëm ose në anglishte), na rrëfejnë nga banaqet e televizioneve.
Por, përtej debatit midis palëve, le të imagjinojmë veten, për një moment, nën lëkurën e një çifti të ri nga Kukësi: Gjorgu dhe Diana.
Gjorgu është shofer, i vetëpunësuar; Diana, nusja e tij, është gjithashtu e vetëpunësuar në dyqanin e vogël poshtë pallatit, në të cilin çifti ka blerë një apartament. Gjorgu zbret dy herë në javë me kamionin e tij të vjetër drejt Tiranës. Aty bën furnizimin me mallra për dyqanin që menaxhon e shoqja dhe për disa tregtarë të vegjël të rrethit. Nga prilli, jeta e Gjorgut dhe Dianës pëson një thyerje.
Dy rrugët, që Gjorgu bën në javë drejt Kryeqytetit, i kushtojnë, vajtje – ardhje, 64,8 euro; vetëm asfalti në të cilën ecën, pa llogaritur naftën e shtrenjtësuar nga ‘taksa e qarkullimit”, për mirëmbajtjen e të gjitha rrugëve, përveç kësaj në të cilën kalon Gjorgu.
Për pasoj, familja e re, është e detyruar të ngrej çmimet në dyqanin e vogël. Por jo vetëm kaq, për shkak të skemës së re të TVSH-së, janë të detyruar të paguajnë edhe një ekonomist që do të mbajë faturat dhe do t’ju bëjë bilancin në fund të vitit.
Pazari më i shtrenjtë i largon klientët nga dyqani. Po ashtu ndodhë edhe me tregtarët e vegjël, të cilët furnizoheshin me mallin që Gjorgu merrte në Tiranë.
Nuk ia dalin dot.
Një ditë, të mbytur nga “taksmarrja”, çifti vendos të mos i shtypë të gjithë kuponët tatimor. Ata nuk e njohin “kurbën e Laffer”, por, ndjejnë, në mënyrë gati natyrore, se presioni fiskal po i shtynë të mos paguajnë më shumë sesa mund të përballojnë.
Disa muaj më vonë, ndoshta fal edhe ndonjë sinjalizimi, tatimet trokasin në derën e dyqanit të vogël. Përtej kuponëve të pa shtypur, gjejnë disa artikuj pa faturë. Gjobë! 500 mijë lekë!
Ndërsa Dianës i mbushen sytë me lot, Gjorgu përpiqet të zbusë përfaqësuesit e hyqymetiti. Megjithatë, pa kurrfarë rezultati. Nuk deshën t’ia dinë për TVSH-në që e bëri sipërmarrjen më të shtrenjtë, për Toll-in që ngrinte kostot, për taksën e banesës që përbënte një tjetër shpenzim për një familje në vështirësi, as për biznesin e madh të Tiranës që jep disa mallra pa TVSH, qysh kur taksimi u bë progresiv etj. etj. etj. Hiç, nisba, zero, nuk dëgjojnë.
“Mbani gjobën zotni Gjorgu, ju prift e mbara.”
Në atë moment iu kujtua një nga ato reklamat që kishte parë gjatë fushatës zgjedhore. Një video e shkurtër ku Edi Rama, në rolin e policit, i shpjegonte shoferit sesi me gjobën e tij paguheshin shkolla, spitale e kështu me radhë.
Ironi e fatit. Gjorgu kishte votuar pikërisht për atë.
Ai dhe Diana kërkonin te Kryeministri atë shpresën që ngjallte në ato reklamat, në të cilat premtonte, fushatë pas fushate, më pak taksa dhe më shumë vende të reja pune. Madje, Diana, diku nëpër rrjete sociale, kishte një fotografi me atë zonjën e hijshme me flokët e arta të ardhur nga Tirana, tanimë deputet e Qarkut të Kukësit, të cilës i kishin harruar emrin. Trishtimi i kaploi akoma më shumë kur u kujtuan se zonja, e zgjedhur edhe me dy votat e tyre, nuk kishte thënë asnjë fjalë të vetme për TVSH-në, për Toll-in dhe për taksën e pronës.
“Besa” që mbaroi në atë fillim të prillit, i detyroi dy të rinjtë të “kthenin trupat e tyre mbarë” drejt një shtetit tjetër.
Një shtet ku i prisnin shumë bashkëqytetarë kuksianë, por, gjithashtu, atdheu i një burri të mençur që dikur ka thënë: “Një komb që ushqehet me shpresën që të taksojë veten drejt prosperitetit, është si një njeri që qëndron i ulur në një kovë, dhe përpiqet të ngrihet duke tërhequr dorezën e saj”.
Imagjinoni sa e vështirë duhet të jetë ta ngresh duke qëndruar ulur në një kullë?!
P.S. Kulla nuk është e Oroshit; zotëria i cituar është Winston Churchill; Gjorgu dhe Diana janë personazhe të Kadaresë.
Diskutoni rreth këtij postimi post