Flash News
Shoferja humb kontrollin në aksin Devoll-Miras, dy të plagosur
SPAK sekuestron pasuritë e dy ortakëve të Evis Berberit
Goro në burg, Blerina Balaj komandohet kryetare e Bashkisë Himarë
Video/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, qytetari pështyn në fytyrë Vangjel Tavon
Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….
Fitim Zekthi
Të ndërtuarit është një akt që ka domethënie simbolike, domethënie e cila në shumë raste është synim, por ka edhe raste kur nuk është synim. Në lidhje me këtë simbolikë apo domethënie, ka patur debate gjithnjë dhe do të ketë gjithnjë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për godinën e Teatrit Kombëtar. Për disa ajo është një godinë që duhet të rrijë në këmbë, që ka vlera, dhe për disa jo. Për disa godina është pjesë e një tëre, së bashku me sheshin përballë, ministritë dhe gjithçka tjetër rrotull, dhe duhet të ruhet. Për disa ajo dhe ambienti rrotull mund dhe duhet të ndryshojë i tëri. Deri këtu nuk ka asgjë të habitshme në debatet për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Fundja e majta, komunizmi, socializmi nuk kanë vlerësim për atë që gjejnë, për atë që vjen nga e kaluara, për trashëgiminë. Për ta gjithçka është e shkatërrueshme në emër të një gjëje të re. Madje edhe bota duhet të ndërtohet e re, jo vetëm godinat dhe sheshet.
Çështja bëhet problematike kur prishja e godinës së Teatrit Kombëtar kërkohet për shkak se godina është e vjetër, nuk mund të restaurohet, se duhet një Teatër i ri modern etj. Jo një godinë më pak se 100 vjeçare si ajo e Teatrit, por edhe godina 500 apo 1000 vjeçare janë të restaurueshme. Nuk ka nevojë të jesh arkitekt apo inxhinier ndërtimi për ta thënë këtë. Nuk ekzistojnë godina të parestaurueshme. Edhe kur një godinë është duke rënë krejt, ajo restaurohet ose ngrihet në këmbë thuajse nga e para siç ka qenë. Kështu që arsyeja se godina e Teatrit Kombëtar është e parestaurueshme është e paqenë dhe dashakeqëse. Veç kësaj, ka mjaft arkitektë që thonë se ajo është e restaurueshme, siç ka edhe arkitektë që thonë se ajo nuk mund të restaurohet dhe të shërbejë si godinë e Teatrit Kombëtar. Çështja është pse arkitektët apo ekspertët që mbrojnë variantin e mosrestaurueshmrisë kanë të drejtë mbi ata që thonë se ajo restaurohet. Çështja pse arkitekjtët që janë me Qeverinë kanë të drejtë dhe ata të tjerët jo, në një kohë që godina të parestaurueshme nuk ka.
Qeveria pasi e ka marrë për të vërtetë fundore (nuk dihet cili zë i brendshëm ia ka thënë se kjo është e vërteta fundore) idenë se godina e Teatrit nuk është e restaurueshme ka shkuar tek ideja se duhet të ndërtohet një godinë e re për Teatrin Kombëtar. Por, qeveria thotë se nuk ka para për godinën e Teatrit Kombëtar. Askush nuk e di me saktësi se sa do të kushtojë godina e re, por kjo varet nga projekti. Shifra më e lartë e artikuluar është diku tek 25-30 milionë euro. Si është e mundur që qeveria e cila ka marrë 1,7 miliardë euro borxhe nga viti 2013, nuk paska mundësi të marrë 25 milionë euro borxh në një bankë për godinën e Teatrit Kombëtar? Si është e mundur që qeveria që ka shpenzuar 200 milionë euro për sheshet e qyteteve (Rilindja urbane), duke bërë edhe shatërvane në Tepelenë, Ersekë, Belsh etj., nuk paska 25 milionë euro për Teatrin Kombëtar? Si është e mundur që qeveria që ka dalë garant për 1 miliardë euro borxhe në banka që do të marrë biznesi për të ndërtuar ato “veprat e mëdha” nuk dalka garant në banka që një kompani të marrë një kredi prej 25 milionë eurosh dhe të ndërtojë Teatrin?
Si ka mundësi që qeveria që ka kryer gati 700 milionë euro shpenzime operative dhe mirëmbajtjeje në 5 vjet, dmth shpenzime për zyra, moblije, telefona, dieta, makina etj., nuk paska mundësi të gjejë 25 milionë euro për të ndërtuar një Teatër?
Është e qartë se qeveria nuk po kërkon të ndërtojë një Teatër të ri në bashkëpunim me biznesin, ngaqë nuk ka para. Është e qartë se qeveria nuk po kërkon të shembë godinën e tashme të Teatrit ngaqë ajo nuk mund të restaurohet. Askush nuk e pengon qeverinë të ndërtojë një godinë të re të Teatrit ku të dojë dhe me kapacitetin që ajo do, por jo të prishë atë që është në një kohë që ajo është e restaurueshme.
Tirana, pjesa e qytetit jo e territorit të Bashkisë, është një nga qytetet me dendësi më të madhe në botë dhe me sipërfaqe të gjelbër më të vogël në botë. Zona brenda Unazës në të cilën jetojnë rreth 400 mijë vetë, thuajse nuk ka asnjë lulishte ku mund të luajnë fëmijët. Fëmijët në Tiranë mund të luajnë vetëm në tre katër locale, që janë gjithsej, me lodra ose duhet t’i marrësh në krahë apo karroca dhe t’i çosh te kodrat e Liqenit. Tirana brenda Unazës ka rreth 80-90 mijë fëmijë të moshës nga 2 deri në 12 vjeç. Si mund të mendohet që, jo brenda Unazës por në qendër të ndërtohen kulla dhe dendësia të shtohet? Cila është kjo qeveri, cila është kjo Bashki, si mund ta mendojnë këtë, si mund të lidhin me këtë projekt edhe Teatrin, dhe të thonë se kullat do të ndërtohen nga nevoja për Teatër?
Nuk ka të drejtë askush të jetë kundër kullave, por jo kullave aty dhe jo kullave si arsye se na duhet Teatri. Kullat mund të ndërtohen në periferi. Është e gjitha fyese dhe e turpshme, që qeveria dhe Bashkia iu qepur atyre që janë kundër prishjes së Teatrit duke iu thënë se jeni të opozitës, apo se jeni kundër Teatrit të ri. Këto janë gjëra të ndara. Godina e Teatrit është e restaurueshme, një godinë tjetër mund të bëhet kudo, paratë për një godinë qeveria duhet t’i gjejë vetë, nuk ka pse lidhet kjo gjë me kullat. A mund të tolerohet një poshtërim kaq i madh që i bëhet një qyteti dhe tërë vendit, dhe jo thjesht artistëve? A është e mundur që në mënyrë kaq të trashë të prishet godina e Teatrit dhe të ndërtohet një tjetër me arsyetimin se kjo nuk bën, dhe ngaqë nuk kemi para për tjetrën i kërkojmë biznesit që të bëjë disa kulla dhe të na bëjë Teatrin. Kjo është shumë fyese edhe për biznesin. Kjo i thotë biznesit, hyr në pazar të bësh kulla. Kullat bëhen se e kërkon urbanistika, e kërkon tregu, e kërkon shoqëria dhe e mira publike, dhe jo se e kërkon qeveria.
Duhet një mendje shumë diabolike t’i lidhë bashkë, siç duhet një mendje shumë diabolike që t’i marrë disa aktorë dhe njerëz të Teatrit dhe t’i vërë kundër të tjerëve duke përdorur dobësitë e tyre, veset e tyre apo dëshirat e tyre.