Flash News
Goro në burg, Blerina Balaj komandohet kryetare e Bashkisë Himarë
Video/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, qytetari pështyn në fytyrë Vangjel Tavon
Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….
Nën hetim për trafik k*kaine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut
Atentat në Memaliaj, qëllohet me breshëri arme avokati
Problemi i Bashës nuk është marrëveshja me Ramën, por marrëveshja Berisha-Rama
Gentian Gaba
Me shumë zhurmë, por pa ndonjë pengesë reale, “Rruga e Kombit” kaloi nën hyqmin e tre P-ve tanimë të famshme, Partneriteti Publik Privat. Sikurse ka ndodhur shpesh herë këto vite, forca e numrave fitoi mbi forcën e arsyes.
Jo sepse shqiptarët janë një popull me brirë, të paaftë për t’u përshatur me diçka që në çdo vend të botës konsiderohet normale por, sepse, edhe një herë po gjenden përpara një fakti të kryer. Një tarifë të imponuar, pa transparencë dhe pa sens ekonomik, madje në euro, paçka Banka e Shqipërisë po bëhet kampione e de-euroizimit.
Nuk është hera e parë dhe as nuk do të jetë hera e fundit. Tre P-të, që takohen me qeverinë si dy Drinat në Kukës, për të qenë pastaj një lumë i madh problemesh, nuk kanë asnjë arsye për të qenë transparentë apo miqësorë me qytetarët që paguan ndërtimin e rrugës. Paguajnë mirëmbajtjen nëpërmjet taksës së qarkullimit dhe do të paguajnë kompaninë koncensionare, nëse fitimet e saj nuk do të jenë në përputhje me kontratën e sigluar.
Llogaridhënia e kompanive ndaj qeverisë, e qeverisë ndaj parlamentit, dhe e parlamentit ndaj qytetarëve nuk ekziston, dhe nuk ka si të ekzsitojë. Nga momenti që deputetja tiranase e Kukësit, Mimi Kodheli, është një nga kartonat që ngrihet për të mbajtur në këmbë mazhorancën, detyrimet ndaj qytetarëve të zonës më të diskriminuar nga kjo tarifë janë afër zeros.
Dhe këtu vijmë te problemi real, sespe PPP-të, në të gjithat dritëhijet e tyre, janë thjesht pasojat. Shkaku është më i thellë, dhe prej një dekade ka shënuar jetën politike të vendit: marrëveshja Berisha-Rama e vitit 2008.
Dhjetë vite më parë, PD e PS, miratuan ndryshimet në Kushtetutë, të cilat mundësuan një sistem të ri zgjedhor, 'Proporcional rajonal me lista të mbyllura'. Marrëveshja i dha pushtet të padiskutueshëm krerëve të partive, duke e shndërruar Parlamentin në një dhomë noterie nën hyqmin e Kryeministrit të radhës. Tri zgjedhjet që pasuan shtrëngimin e duarve midis Ramës dhe Berishës, prodhuan qeveri gjithnjë e më pak cilësore; një Parlament përherë e më të vobekët; deputetë përherë e më të panjohur, dhe pa cilësitë e duhura për të qenë në atë sallë.
Vrapi i gomarit i demokracisë shqiptare përfundoi pikërisht me Qeverinë Berisha dhe Parlamentin e dalë nga zgjedhjet e vitit 2005; më e mira ndër ato që janë alternuar në këto tri dekada, pikërisht sepse ishte e fundit e dalë nga një garë politike, e cila kërkonte kandidimin e njerëzve me cilësi të larta morale dhe profesionale, jo vetëm për të mbledhur vota, por edhe për të qenë ligjvënës në lartësinë e sfidave të një shoqërie që kërkonte ndryshim dhe zhvillim.
Një sistem i projektuar për të qenë në dorë të një individi, ishte i destinuar të degjeneronte në autokraci.
Sot, në majën e këtij sistemi, në të cilin ishte bashkëhartues, qëndron Edi Rama. Arroganca në qeverisje, kontrolli total i administratës, të investimeve publike, të PPP-ve, të mediave, të Parlamentit, janë të gjitha rezultat i “partitokracisë” që lindi në prill të vitit 2008.
Ngadhënjyes, pa kurrfarë balance; jo për shkak të marrëveshjes së 18 majit 2017, por prej asaj të 21 prillit të 2008-ës.
Demontimi i asaj marrëveshjeje, empirikisht të dështuar, falë papjekurisë së politikës dhe shoqërisë shqiptare, është e vetmja alternativë për ta sjellë vendin në shinat e demokracisë. Hapja e listave, kthimi i llogaridhënies midis të zgjedhurit dhe zgjedhësve, janë shpresë ngushëlluese për të dalë nga kjo autokraci me fytyrë populiste.
Kjo duhet të jetë sfida e radhës e Lulzim Bashës.
Një provë për të gjithë ata që nuk pajtohen me arrogancën e institucionalizuar që po lulëzon në vend, dhe për të bindur ata që nuk besojnë më te lidershipi i tij.
Megjithatë nuk do të mjaftojnë vetëm debatet dhe vullneti i mirë politik. Duhet një impenjim konkret të materializuar nëpërmjet “Reformës Zgjedhore”, e cila endet në korridoret e Kuvendit si fantazma e demokracisë së vrarë më 21 prill.
Masa për të ndarë ata që futën 'rrugaçët e kombit' në Parlament, nga ndërtuesit e “Rrugës së Kombit” duhet të jetë kjo.
Jo me fjalë, por me akte juridike të hedhura të zezë mbi të bardhë në librin e gjithë shqiptarëve, Kushtetutën.