Flash News
Shtyhet sërish seanca për Berishën, shkak mungesa e prokurorëve
Investimi në Sazan/ Rama pyetet pse nuk shpall tender kombëtar: Do shqyrtojmë aplikimin
Paraqitet në SPAK, ish-ministri dhe deputeti socialist, Nasip Naço
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
Projekti diabolik i tvshizimit të Klanit, Topit e të tjerëve
Alfred Lela
Një projektligj i ri është dakordësuar mes padronëve të televizioneve dhe Kryeministrit Rama. E përmbledhur me pak fjalë ideja është kjo: televizionet private komerciale do të marrin diçka më shumë se një të tretën e taksës që shqiptarët paguajnë për stacionin publik TVSH. Paratë e taksapaguesve do të ndërrojnë drejtim: të nisur për pubiken ato do të përfundojnë te privatja.
A është kjo një gjë me gjithë mend negative, apo është një reagim kompulsiv ndaj çdo vendimi të qeverisë, edhe kur bëhet fjalë për një nismë me vlerë?
Ka disa mënyra për ta parë këtë ndërrim duarsh të parasë publike, por ndoshta më e para duhet të jetë identifikimi i qëllimit. Pse e bën Kryeministri? A e ndihmon peizazhin mediatik në Shqipëri, duke e çliruar dhe profesionalizuar atë, apo ndodh krejt e kundërta?
Ia nisim nga proponetët për të kaluar te oponentët. Mbështetësit e projektligjit, njerëzit e qeverisë dhe bosët e televizioneve dhe grupet pranë tyre, pretendojnë se para të tilla e ndihmojnë median private që të profesionalizohet dhe të lëvrojë një zhanër të lënë pas dore si gazetaria investigative.
Për të kontestuar, pa u lodhur shumë, këtë pretendim na duhet të bëjmë një tjetër pyetje: Pse dhe kë ka si objekt gazetaria investigative? Të gjithë e dinë këtë: qeverinë, pushtetin, administratën, biznesin e madh apo ndoshta botën e krimit. Pra jemi në paradoksin kur, me lekët që lëvron qeveria dhe që shkojnë, në rastin tonë për televizionet private, këto të fundit do t’i përdorin për të hetuar qeverinë?!
Gazetaria investigative, apo një variant më i lehtë i saj, ajo kritike, zhvillohen sidomos nëpërmjet emisioneve qendrore të lajmeve. Për të bërë një analizë vetjake tuajën, dhe për të mos marrë si të mirëqenë përfundimet e autorit të këtyre radhëve, të cilat shpesh i gjeni të anshme dhe kategorike, vëzhgoni emisionet kryesore të lajmeve. Në TVSH dhe në të gjitha kanalet private që do t’i rrëmbejnë kësaj medie publike një pjesë të të ardhurave të mbledhura nëpërmjet taksimit të publikut.
Do të vini re dy gjëra. Së pari, televizionet private nuk janë as investigative dhe as kritike me qeverinë. Minutazhi për Kryeministrin, ministrat dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, është i bollshëm dhe, më shumë se kaq, vetëm rrallë kronikat për këta pushtetarë mund të klasifikohen si me ‘vlerë lajmi’. Në të shumtën e rasteve janë ‘fut-kasetën-nxirr-kasetën’ dërguar nga zyrat e shtypit të qeverisë.
Së dyti, do të shihni se, i kompleksuar nga etiketa e përhershme e TVSH si zëdhënës i qeverisë, por edhe nga statusi personal i drejtorit të këtij institucioni si ish-gazetar i ZP dhe i katapultuar aty nga lidhjet me Kryeministrin, televizoni publik bën përpjekje për fair play, të paktën në minutazh, duke konsideruar edhe lajmet e frontit opozitar, çka e bën të duket më i balancuar se televizonet private.
Nëse e ripërsërisim pyetjen e bërë më lart, a thua megjithë mend, Rama është i kompleksuar nga ‘fresku’ që i bëhet në televizonet private, sa është i gatshëm të japë para që ato të fillojnë ta kritikojnë?!
Pyetja është cinike, aq sa ç’është absurd ky projektligj.
Kryeministri, megjithatë, ka gjasa të vendosë rekord në politikat publike. I kritikuar për ‘lopën e vjetër’ dhe aspak rentabël që është televizioni publik, një ishull i dukshëm i socializmit, Rama, në vend që të bëjë përpara për reformimin kapilar, privatizimin apo mbylljen e këtij ‘Metalurgjiku të propagandës’ së komunizmit dhe të tranzicionit, ka feksur në kokën e vet një ide tjetër.
Atë që konsiderohej si publik dhe jo efikas, ka vendosur ta shtetëzojë edhe më tej, duke i hequr të drejtën për të transmetuar reklamë, pra për të qenë konkurent në treg, por edhe një thelë nga mbështetja e financave publike. Veç kësaj, ai ka preferuar që të shtetëzojë edhe televizionet private duke i bërë qartazi të varur te qesja e tij.
Ky është dëmi i dytë që Rama i bën konkurencës, tregut dhe gazetarisë: duke u siguruar Tv-ve private një ‘qyl bonus’ ai u ul edhe ‘oreksin’ për të gjetur mënyra të reja për të sfiduar tregun dhe rivalët. Mbijetesën tashmë do ta sigurojnë me para publike.