Flash News
Nën hetim për trafik k*kaine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut
Atentat në Memaliaj, qëllohet me breshëri arme avokati
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Alfonc Rakaj*
Tranzicioni i ngadaltë në Shqipëri, drejt një ekonomie tregu funksionale dhe një demokracie të konsoliduar, ka një progres paralel me përqendrimin e pushtetit dhe pasurisë në disa zona të caktuara urbane. Si rezultat, politika rritet gjithnjë e më shumë, ndërsa mediat lokale, të verbuara nga vëmendja e plotë ndaj grindjeve të përditshme politike, nuk kanë mbuluar mjaftueshëm tensionet në rritje që dalin nga qendra e pushtetit.
Qytetarët jashtë rrathëve qeverisës janë zhgënjyer nga përfaqësitë partiake, pasi ata gjithnjë e më shumë i perceptojnë politikanët si vetë-shërbyes dhe institucionet që ata përfaqësojnë, si jo funksionale.
Shumica e qytetarëve mbeten pa zë dhe çështjet e tyre nuk merren parasysh. Disa gjejnë ngushëllim duke i paraqitur rastet e tyre në media, veçanërisht në programet investigative që ushtrojnë presion mbi autoritetet. Të tjerët, të lodhur nga arroganca e qeverisë në raport me shqetësimet e tyre, kanë filluar protestat, duke i parë si mundësia e vetme.
Demografikisht jo-përfaqësues
Shqipëria ka pësuar ndryshime të mëdha demografike pas ndryshimeve politike të viteve 1990. Një numër i konsiderueshëm i njerëzve nga zonat rurale migruan në zonat urbane, në kërkim të një jete më të mirë. Ky ndryshim, çoi në përqendrimin e fuqisë ekonomike dhe politike në zonat urbane, kryesisht në Tiranë, e cila tani është shtëpia e 30 përqind të popullsisë së vendit.
Tirana luan rolin kryesor në politikën e Shqipërisë, jo vetëm se është rrethi më i madh i votimit në vend, me 34 deputetë. Përveç kësaj, 70 për qind e deputetëve të Parlamentit banojnë në kryeqytet, duke nxitur më tej përfaqësimin joproporcional politik dhe ekonomik. Ndërkohë, në spektrin kombëtar, 140 parlamentarë të vendit jetojnë në vetëm 17 bashki. Kjo shkëputje fizike nga elektorati zbeh besimin institucional dhe konsolidimin e demokracisë.
Vlen të përmendet se distanca e krijuar nuk është thjesht fizike. Hendeku zgjerohet pasi nuk ka vizita të rregullta të deputetëve në zonat elektorale, media nuk pasqyron situatën objektivisht dhe nuk ka zyra elektorale efektive. Si rezultat, zgjedhësve, me përjashtim të atyre që kanë lidhje personale me deputetin e tyre lokal, iu mohohet mundësia për të shprehur shqetësimet e tyre. Në fund të fundit, kjo minon efektivitetin e parlamentit.
Politikisht i papërfaqësuar
Në një studim të botuar nga ISP, organizatë joqeveritare lokale, konkludohet se diskutimet në parlament kanë reflektuar gjithnjë e më shumë këtë hendek të madh në përfaqësim. Në përputhje me perceptimin popullor, parlamenti prodhoi “aktrime” të mira, por asgjë të vlefshme që lidhet me çështjet e mëdha socio-ekonomike.
Rrjedhimisht, në periudhën e studiuar, 399 nga fjalimet e mbajtura në parlament përqendrohen vetëm në lajmet ditore ose javore, ndërsa 391 prej fjalimeve ishin akuza të thjeshta që synonin fraksionet rivale politike. Nga ana tjetër, çështjet kyçe si arsimi, infrastruktura, korrupsioni dhe varfëria u diskutuan vetëm në 74, 103, 123 dhe 164 fjalime respektivisht. Po ashtu, mediat prodhojnë “shoë” dhe bisedime të zhurmshme ku diskutohen zhvillimet e përditshme politike, dhe vetëm një hapësirë e vogël i kushtohet shqetësimeve publike si punësimi, varfëria dhe korrupsioni.
Kur u pyetën, publiku nuk hezitoi të bënte një përcaktim për situatën. Sondazhet vjetore si "Besimi në Qeverisje" (projekt i sponsorizuar nga UNDP) ilustrojnë mosbesimin në rritje tek institucionet, partitë politike dhe mediat. Duke u ndjerë të papërfaqësuar, zgjedhjet e njerëzve zvogëlohen në mënyrë eksponenciale. Kjo është arsyeja pse protestat e organizuara në nivel lokal janë bërë gjithnjë e më shumë një platformë përmes së cilës ata shprehin ankesat e tyre.
Protestat si përgjigje
Protestat po rriten gjithnjë e më shumë si një platformë e prekshme për të ushtruar presion publik ndaj institucioneve. Publiku ka arsye të besojë në efektivitetin e tyre kur ato janë jopolitike, të veçanta dhe të vazhdueshme. Shembujt e këtij viti janë një demonstrim për këtë pretendim.
Protesta shumë e politizuar në Kukës, pas vendosjes së një tarife rrugore në autostradën që lidh Shqipërinë me Kosovën, është një rast i rëndësishëm.
Pas vendosjes së tarifës, banorët dolën në protesta. Qeveria dukej e vendosur në objektivin e saj për të zbatuar taksën, edhe pse vetë këshilli bashkiak e kishte kundërshtuar atë. Ndërsa reagimi institucional mbeti i pandryshuar, protestuesit me dhunë thyen objektet e instaluara të taksave, duke çuar në arrestimin dhe gjykimin e diskutueshëm të disa protestuesve. U desh një vit e gjysmë që qeveria të tërhiqte pretendimet e saj dhe të ulte ndjeshëm tarifën për banorët vendas.
Në mënyrë të ngjashme, protestat e organizuara nga punëtorët e rafinerisë së naftës në Ballsh ndoqën të njëjtin model. Pas një përpjekjeje të gjatë institucionale, duke kërkuar kompensim, shqetësimet e protestuesve shkuan në vesh të shurdhër. Pasi nuk iu lanë mundësi tjetër, ata udhëtuan për në Tiranë në këmbë për të protestuar më afër rrethit të pushtetit. Në pamundësi për të injoruar kërkesat e tyre, qeveria rishikoi buxhetin, duke iu ofruar atyre jo vetëm hapësirë për të shprehur shqetësimet e tyre me përfaqësuesit e qeverisë qendrore, por edhe për të përmbushur disa nga kërkesat e tyre.
Përpjekje të tjera premtuese përfshijnë protestat e “Aleancës për Teatrin” kundër prishjes së Teatrit Kombëtar dhe protestat e aktivistëve kundër degradimit mjedisor përmes projekteve qeveritare të padëshiruara që kërcënojnë thesaret natyrore të Shqipërisë, si lumenjtë “Valbona” dhe “Vjosa”.
Mënyra për të ecur përpara
Qeveria aktuale nuk po përballet për herë të parë me protesta. Disa muaj pas ardhjes në pushtet në vitin 2013, qeveria udhëheqëse socialiste, u përball me një protestë masive popullore që kundërshoi planin për çmontimin e armëve kimike të Sirisë në vend. Përballë kësaj sfide, qeveria u dorëzua, duke lënë të habitur analistët dhe shprestarët e demokracisë. Protestat pasuese nuk ia kanë arritur të krahasohen me të në madhësi dhe qasje. Megjithatë, ato ofrojnë një rreze shprese në një kohë kur fragmentimi politik po arrin në një nivel të rrezikshëm.
Protesta aktuale e studentëve është veçanërisht premtuese nëse arrin të shmangë partitë politike. Përndryshe, rrezikon nxitjen e propagandës qeveritare për të shuar lëvizjen dhe kërkesat e saj, si të orkestruara politikisht nga opozita, siç është rasti i protestës në rrugën e “Unazës së re”. Përkundrazi, u takon të rinjve që vazhdojnë presionet përtej ankesave aktuale.
Qeveria do të bënte mirë të vinte re se nevojitet më shumë se sa kënaqja e aleatëve për të qeverisur në mënyrë të suksesshme. Po ashtu, opozita mund të përfitojë nga një platformë që nxit zgjidhje të qëndrueshme, në vend që të zgjedhë qasjet afatshkurtra.
Ata duhet të kuptojnë se populli shqiptar që jeton jashtë rrethit të pushtetit duhet të ketë rezultate të prekshme. Zgjedhjet e ardhshme ofrojnë një mundësi unike për ta, për të angazhuar kandidatë të besueshëm që ofrojnë zgjidhje praktike. Nëse kjo nuk arrihet, do të shohim më shumë protesta kundër qeverisë jashtë spektrit institucional.
*Shkrimi është botuar fillimisht në anglisht në gazetën Tirana Times. Përktheu për Politiko.al: Loneta Progni
Autori është shkolluar në Oregon State University dhe në King's College London. Punon si analist për Frost & Fire Consulting.