‘Psalme’ nga librat e Davidit

Foto/Video: Jona Kazani

Teksti: Loneta Progni

Ndalemi para portës. Njëri nga punëtorët na shoqëron brenda. Sapo futesh të pushton një ndjesi  e njohur, të cilën e përjetojnë vetëm ata që kanë punuar në një shtypshkronjë apo janë marrë me letrën, librat, botimet, në një mënyrë a tjetër. Ata e dinë se me erën e lëndës, të pemës në pyll që është shndërruar në tekst, duke kaluar përmes letrës, nuk nginjesh asnjëherë.

Ndihet, i fortë dhe i tjetërllojtë, erëmimi i librave.

Jemi aty për të takuar drejtorin 26-vjeçar të Shtëpisë Botuese “Minerva”. Ai ndan me ne emocionin e të qenit afër librave përgjatë një jete dhe tregon rreth përgjegjësisë së drejtimit të një shtëpie botuese në moshë të re.

David Hudhri ka filluar të punojë në shtëpinë botuese “Onufri” të babait të tij, Bujarit, që prej moshës 15 vjeçare, duke bërë fillimisht punë të lehta që nuk kërkonin shumë përgjegjësi. Davidi shprehet, për habinë tonë, se nuk shquhej si ndonjë lexues i madh, edhe pse është rritur mes librave. Gjithsesi, nuk i mungonte aspak dëshira për të përmirësuar veten. Jeta e tij ndryshoi në momentin kur, online, gjeti një libër të Napoleon Hill, me titull “Mendo dhe pasurohu”.

“Ishte një libër që mua më përshtatej për përmirësimin e vetes në çdo aspekt. Ky libër më hapi derën, që unë të zbuloja edhe shumë libra të tjerë, si një lloj thesari”, thotë Davidi.

Babai i Davidit, Bujar Hudhri, ka krijuar shtëpinë botuese “Onufri” në vitin 1992 dhe prej fillimit, ka zgjedhur të botojë libra të autorëve elitarë. Davidi kishte menduar të botonte libra të një tjetër zhanri, që “Onufrit” nuk i “shkonin për shtat”.  Të dy bashkë, babë e bir, u menduan gjatë për të gjetur një zgjidhje që të ishte e kënaqshme për të dy. Në 20 vjetorin e lindjes, Davidi merr një dhuratë që do t’i jepte jetës së tij një tjetër rrjedhë.

Davidi tregon se “Minerva” u krijua me një qëllim të caktuar, për të botuar libra vetëm për zhvillim personal. Tekste që ndihmojnë në përsosmërinë vetjake. Janë libra që flasin për disiplinën, për zhvillimin personal, për motivimin, për suksesin, për pasurimin, për komunikimin etj. Shpesh, jepen mesazhe të forta edhe përmes botimit të biografive dhe autobiografive të njerëzve të shquar.

“Është shumë emocion që këta libra që unë i preferoj të kem mundësinë t’i botoj vetë dhe t’ua paraqes lexuesve në Shqipëri, që dhe ata t’i përjetojnë dhe të mësojnë ashtu siç kam mësuar unë. Gjëja më e bukur është se e ndjej që kam një ndikim pozitiv te lexuesit, dhe ma shprehin këtë lloj vlerësimi me komente në rrjete sociale apo dhe përballë. Domethënë më jep një motivim shumë të madh fakti që kjo punë që bëj përditë e ka një vlerë, ose i ka përmirësuar jetën dikujt”, tregon drejtuesi i shtëpisë botuese “Minerva”.

Minerva është krijuar prej 6 vitesh dhe tani Davidi jep kontributin e tij në të dyja shtëpitë botuese, por patjetër që angazhimi i tij është shumë më i madh te “Minerva”.

Tregon Davidi: “Te “Minerva” jam drejtues, zgjedh titujt e librave, zgjedh autorët të cilët i përshtaten lexuesit shqiptar, mbuloj pjesën e komunikimit me agjentët letrarë, me botuesit për të marrë të drejtat, bëj përzgjedhjen e përkthyesve, etj”.

Ai flet për përgjegjësinë e të qënit drejtues i një shtëpie botuese dhe sa e ngarkuar është dita e punës. Shpesh herë, angazhimi i madh në drejtimin e biznesit, nuk i jep kohë mjaftueshëm për të dalë mbasditeve me miqtë, por ai është munduar të gjejë një zgjidhje për të ruajtur miqësitë.

Gjatë eksperiencës në shtëpitë botuese, Davidi ka kuptuar se puna që bën nuk është thjesht drejtim i një biznesi, por edhe ndjenja e një përgjegjësie të madhe që lidhet me kulturën e shqiptarëve. Sipas tij, kontributi, në mënyrën më të mirë, mund të jepet duke zgjedhur tituj të mirë librash, pra libra që do t’iu vlejnë lexuesve, qoftë në gjuhë të huaj të përkthyer mirë në shqip, qoftë libra të mirë shqiptarë, por me vlera letrare.

Hudhri shprehet se në përmirësimin e kulturës dhe sjelljes së një kombi, ndikojnë edhe politikat që ndiqen nga qeveria.

“Unë mendoj që qeveria duhet të luajë një rol të rëndësishëm, për të promovuar leximin e librit. Në Maqedoni për shembull, qeveria blen nga shtëpitë botuese botimet e fundit në disa qindra kopje për t’i shpërndarë në bibliotekat e gjithë vendit. Në Shqipëri, kjo bëhej para disa vitesh, por tani nuk bëhet më. Botuesit kanë publikuar vazhdimisht libra të rinj, por këta libra i mungojnë bibliotekave, sidomos në rrethe dhe fshatra”, thotë Davidi.

Tregon se në Panairin e Librit 2018, tërhoqën vëmendje shumë libra të botuar nga “Minerva”. “Arti i brishtë i not giving a f*ck” ka tërhequr shumë lexues, madje ishte edhe libri më i shitur i Panairit. Gjithashtu, ai veçon edhe biografinë e Jack Ma, i cili tani është njeriu më i pasur në Kinë.

Pavarësisht punës që bën, Davidi shprehet se nuk ka autorë të preferuar, thjesht mundohet të përzgjedhë më të mirët për t’i sjellë te “Minerva”, me shpresen se jeta e lexuesve do të ndryshojë për mirë, sikurse ndryshoi jeta e tij pas leximit të “Mendo dhe pasurohu”.

47176369_2203292113277378_2926531230197350400_n
Kthehu