Flash News
Vendimi për çështjen e vulës, Bardhi: Gjykata e Lartë t’i japë fund absurdit, PD i përket anëtarëve të saj
Nasip Naço del nga SPAK: U pyeta për çështjen ÇEZ-DIA, kam folur me letra, jo me heshtje
Shtyhet sërish seanca për Berishën, shkak mungesa e prokurorëve
Investimi në Sazan/ Rama pyetet pse nuk shpall tender kombëtar: Do shqyrtojmë aplikimin
Paraqitet në SPAK, ish-ministri dhe deputeti socialist, Nasip Naço
Alfred Lela
Partia Demokratike, forca kryesore e opozitës në vend, ka bërë një tjetër denoncim, me detaje të forta dhe kompromentuese, për një tjetër zyrtar të lartë të Partisë Socialiste, deputetin e Shijakut, Ergys Çyrbja.
“I kemi punët keq”, i thotë Çyrbja, në një telefonatë të përgjuar nga Prokuroria, siguron selia blu, lejtnantit kryesor të Emiljano Shullazit. Insinuata është për një pronë të majme, ish-hotel Vollgën në Durrës, të cilën Shullazi me makinacione të ndyshme, siç kanë zbardhur mediat, e kishte kaluar në emrin e vet. Ergys Çyrbja, drejtor hipoteke në kohën kur është bërë telefonata drejtuar Gilmando Danit, ishte ‘lehtësues’ i procedurës së legalizimit të një afere me gjasë të paligjshme.
Çyrbja i promovuar deputet në zgjedhjet e vitit të shkuar është shfaqur si dëshmitar në gjyqin e Shullazit dhe bandës dhe, menjëherë pas dëshmisë, sërish sipas dosjes që zotëron opozita, i ka kërkuar takim Gilmando Danit.
Rasti është i pazakontë dhe paradoksal, gjithmonë nëse marrim si njësi matëse një shtet me institucione, etikë dhe moral normal.
Pazakontësia e parë qëndron te konteksti. Kur, prej muajsh tashmë, shohim një paradë jo pak herë me teprime të trupës gjyqësore, e cila i është nënshtruar procesit të quajtur ‘vettingu’, pse nuk ka një mekanizëm të tillë edhe për njerëzit e politikës? Jo pak gjyqtarë të lartë janë skualifikuar për arsye se kanë pasur komunikime, takime apo njohje me njerëz të prezumuar si të papërshtashëm nga njësitë e vetingut. A do të përdoret i njëjti standard edhe ndaj deputetit socialist?
Pazakontësia e dytë lidhet me rolin e Prokurorisë, më saktë të Prokurores së Përgjithshme, Marku. A është vetëm dukja gënjyese e verës, apo ka një limonti të saj, një ‘lëvizje’ në neutro, kur vjen puna ate hapja apo konsiderimi i çështjeve që kanë të bëjnë me afera të përfaqësuesve të qeverisë? Nëse kjo duket si kërkesë buzëhollë, pse nuk ka reagime të Prokurorisë kur një forcë politike, e dyta në vend, dhe që e ka qeverisur Shqipërinë disa herë, i referohet materialeve të zyrave të saj? Nëse PD nuk e meriton një reagim, serioziteti i një institucioni si Prokuroria e kërkon. Sikur transparenca, një tjetër detyrim demokratik, të mos na hynte fare në sy!
E pazakonta e tretë nuk është acute, por ‘i dhemb’ shoqërisë më shumë. Prokuroria, me apo pa dashje, po ndihmon që përmbi opinionin publik të thuret rrjeta e trashë dhe monstruoze e ‘banalizimit të së keqes’. Ky term nuk përdoret në kuptimin e përkufizuaur nga Hannah Arendt. Përndryshe ka të bëjë me sasinë e asaj që mund të konsiderohet e antiligjshme, apo etikisht e papranueshme, e cila duke ndodhur shpesh dhe duke kaluar pa reagim dhe pa ndëshkim, kthehet në normalitet, banalizohet. A është gjë e mirë që Shullazi përfaqësohet në Kuvendin e Shqipërisë me një deputet? Nëse Çyrbja është mëkëmbës i Shullazit dhe gangsterëve të tjerë, a përfaqëson ai dot edhe shijakasit? Po Republikën e Shqipërisë?!
Në fund fare, e pazakonta që e ka zakon të shfaqet e rishfaqet, ka të bëjë me pozicionin e z. Çyrbja. I cili mund të jetë i pafajshëm. Opozita mund t’i ketë rënë në qafë. Etj, etj. Megjithatë, deputeti i Shijakut mund të zhvishet prej imunitetit paramentar dhe t’i jepet drejtësisë pa mbrojtjen politike. Zgjedhja që ai bën duke publikuar një deklaratë politike ku shkëlqen me kotninë fraza ‘opozita e mbetur pa ekip dhe pa lidership’, është një tjetër banalitet.
Të gjitha këto të pazakonta mblidhen bashkë për të bërë, me bezen e shpresës, flamurin e bardhë të kapitullimit, në fushën e të cilit shkruhet ‘i kemi punët keq’. Shqiptarët, jo Çyrbja.
Edhe për faktin se, ç’u premtua si Rilindje, doli Riçyrbje.