Flash News
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
Presidenti Begaj dekreton ligjin për zonat e mbrojtura
Mbytet në ujin e shatërvanit një i mitur afgan në Shëngjin
“Minuan sundimin e ligjit”, DASH shpall ‘non grata’ tre zyrtarë të lartë në Ballkan
Akuzohet për 4 vepra penale/ SPAK nis hetimet ndaj drejtorit të Tatimeve, Ceno Klosi
Alfred Lela
Michel Houllebecq është shkrimtar francez kundërthënës. Katër romane i janë përkthyer edhe në shqipe. Ata që kanë lexuar, qoftë edhe njërin prej tyre, duhet të jenë familjarë me personazhet atipikë të autorit francez, të cilët të krijonë përshtypjen, po të gjykosh edhe nga intervistat, se janë alteregoja e shkrimtarit.
Houllebecq i mëshon tëhuajësimit (alienizimit) të individit nga shoqëria, zhytjes në një jetë virtuale, boshit postmodern, kotësisë dhe vanitetit. Në romanet e tij, sipas Paul Brian të The American Conservative, enden burra dhe gra të papërshtatur, në përpjekje për të mbijetuar dhe për të gjetur kuptim në një kulturë dhe ekonomi seksuale, ku ata ndihen të jashtëm. Brian flet edhe për atë që ai emërton ‘vlerën seksuale në treg’ (si të ishte mall) të cilën ata vetë e gjykojnë si të ulët. Kjo i bën që të ndihen të etur për intimitet.
Për individë të tillë është shpikur edhe një term i posaçëm incel (involuntarily celibate), pra njerëz që janë seksualisht inaktivë, jo për zgjedhjen e tyre. Një lloj prifti pa zhgun, por me një rasë më të madhe, atë të distancës shoqërore.
Jo pak ekspertë gjejnë gjurmë të incel-ëve në shumë prej vrasjeve masive të kryera në Perëndim, kryesisht në Amerikë.
Në shumë gjëra krimi i Ritvan Zykajt, të riut nga një fshat i Selenicës, që vrau tetë anëtarë të familjes, mund të jetë një përsëdytje, por në një gjë është risi. Është krimi i parë serial në Shqipëri. Të paktën me këtë numër, pa pretenduar se autori i këtij shkrimi e njeh në majë të gishtave botën e kriminalistikës.
Shumë të ngjashëm të Zykajt do të ishin krenarë qoftë edhe me regjistrimin e këtij rekordi, i cili u nanurit psikopatinë, delirin e madhështisë duke u dhënë kështu atë vend të munguar në grup. Kush e di nëse edhe i riu nga Selenica ndihet ‘i plotësuar’. A është një incel edhe Ritvan Zykja? A është ai një person seksualisht i papërmbushur dhe, a është krimi i tij sublimim apo djegie e këtij seksualiteti të paplotë dhe gërryes? Bashkë me këtë, a luan rol edhe tëhuajësimi prej shoqërisë apo prej familjes, përfaqësuar aq mirë në etiketën që përdorej kundër tij ‘hajdut pulash’?
A donte të ishte Ritvan Zykaj diçka më shumë se ‘hajdut pulash’ dhe për të tejkaluar këtë etiketë u kthye në vrasës serial? Këto janë pyetje shterruese që nuk mund të gjejnë përgjigje të tilla. Në të gjitha ‘zgjidhjet’ që u ofruan pas masakrës së Selenicës, pati nga ata që folën për rikthimin e dënimit me vdekje. E cila është në fakt një masë ekstreme hakmarrjeje, por nuk është parandaluese. Disa të tjerë ia hodhën fajin strukturave të dobëta të sigurisë. Armëve lehtësisht të gjindshme. Pati shumë që fajësuan shkollimin, sekondaritetin e kësaj kolone të shoqërisë. Të tjerë që përmendën moralin dhe fenë.
Afërmendsh, secila më vete dhe të gjitha bashkë, përbëjnë atë që mund të quhet si shtjellim i misterit dhe absurdit të atij krimi. Por, kujtoni personazhet e Houllebecq dhe amullinë e tyre, ku spikasin mungesa e përkatësisë në grup apo shoqëri, vlerësimi i të tjerëve dhe kuptimi i jetës shoqërore. Më saktë vëzhgoni për një ditë frenezinë e rrjeteve sociale, Facebook apo Instagram, dhe gjendjen thujase të dëshpëruar të ‘njeriut super të ri’, përpjekjen për të ngritur një jetë virtuale me anë të fotove, opinioneve, mendimeve, polemikave. Këto ‘statuse të dyfishta’ janë arratisje nga jeta. Ritvan Zykaj vetë i shkëmbente në Facebook këto polemika, apo sherre me kushërinjtë, para se të zbriste në jetën reale dhe të mbillte vdekje.
Media sociale ka zëvendësuar të gjitha strukturat sociale (duke i bërë njerëzit asocialë), që nga shoku/shoqja, prifti/hoxha, mësuesi, psikologu etj. Ritvan Zykaj ishte lënë jashtë katërcipërisht dhe donte të futej brenda. Ai u bë houllebecqian, pa e ditur kurrë për ekzistencën e këtij autori që e kish përshkruar pa e njohur ‘të huajin’ nga Selenica.