Flash News
Vendimi për çështjen e vulës, Bardhi: Gjykata e Lartë t’i japë fund absurdit, PD i përket anëtarëve të saj
Nasip Naço del nga SPAK: U pyeta për çështjen ÇEZ-DIA, kam folur me letra, jo me heshtje
Shtyhet sërish seanca për Berishën, shkak mungesa e prokurorëve
Investimi në Sazan/ Rama pyetet pse nuk shpall tender kombëtar: Do shqyrtojmë aplikimin
Paraqitet në SPAK, ish-ministri dhe deputeti socialist, Nasip Naço
Alfred Lela
Robert Ndrenika është ikona që e pengon Ramën, Veliajn e Kumbaron që të përdorin ruspat mbi ndërtesën e Teatrit Kombëtar. (Derisa të arrijnë te kjo fazë e fundit, ata kanë futur në punë rospijet). Aktori është njëfarë shenjti artistik në Tiranë dhe Shqipëri, dhe bash për këtë Veliaj u mundua ta joshte në fillim.
Një status të tillë, z. Ndrenika nuk ia ka siguruar vetëm karriera artistike, por edhe profili njerëzor. I pa shitur dhe i pablerë, ai përbën një mase matëse të ndershmërisë njerëzore dhe intelektuale në Shqipëri. Në mungesë të staturave të tilla, ai shkëlqen edhe më shumë me praninë.
Duke e ditur këtë, Rama dhe Veliaj kanë ndërtuar një skemë propagandistike që përfshin, sa dëgjesat publike me tone pajtimtare aq edhe ‘bateritë e sulmit’, ku më të përdorurat janë ‘vrasjet karakteriale’, një teknikë që përdoret për të mbjellë dyshime mbi motivet e atij apo atyre që e bëjnë qëndresën.
Sulmet kundër Mirush Kabashit e të tjerëve kanë qenë nën këtë spikamë. Edhe akuza në grup e Veliajt ‘e di se kush ju paguan’, po aq e tillë.
Një ‘vrasje karakteriale’ është menduar edhe për një ndërtesë, që nuk merr frymë, por ka dhënë frymë, që nuk ka jetë por ka kujtesë, që nuk flet, por kumunikon: Teatri Kombëtar.
Sulmet për ta ‘vrarë’ Teatrin janë përqendruar te ‘vjetërsia’ e tij dhe te banalizimi, gjithashtu. Është e vjetër; do të shembet; kalbësirë; nuk bën; e kanë ndërtuar fashistët; ka qenë kazermë për ushtarët italianë; u përdor si dopolavoro; etj, janë marrë e rimarrë nga gojët e atyre që i duan të pagojë ata që e shohin Teatrin me të tjerë sy.
Pas Robert Ndrenikës, një barrikadë jo të vogël, i ka ngritur yryshit të ruspave dhe rospive, studiuesi Rubens Shima. Në një shkrim të gjatë analitik për gazetën ‘Panorama’, mbështetur në dokumente të kohës kur është ndërtuar Teatri i sotëm, u ka vënë shkelmin pretendimeve dhe gënjeshtrave të teatërshembësve.
Shima ka zbuluar një radhë faktesh, ndër të cilat ia vlen të përmendet ai se Teatri i sotëm nuk është nisur. dhe as ka funksionuar si dopolavoro, por si seli e shoqatës italo-shqiptare ‘Scanderbeg’, e cila merrej me promovimin e letërsisë shqip në botë dhe botimin e asaj italiane në Shqipëri. Në listën e botimeve të shoqatës janë të gjithë emrat e mëdhenj të letrave shqipe të kohës.
Shoqata përqendrohej te veprimtari kulturore, pra ishte një Akademi Shkencash dhe Artesh. Një prej lëmejve të veprimtarisë së ‘Scanderbeg’ ishin edhe lidhjet e gjata mes racës ilirike dhe asaj romano-italiane.
Thënë këto kuptohet qëllimi sublim i kësaj shoqate, e cila u ngrit për të krijuar në Shqipëri atë që mund të quhet ‘high culture’ apo kulturë e lartë.
Shima thekson edhe një ‘fakt arkitektonik’ i cili ka të bëjë me stilin e ndërtesës, që i përket rrymës futuriste. Ai sjell edhe ‘kujtimet’ e arkitektit Enver Faja, projektuesi i ndërtesës përbri, Galerisë se Arteve. Sipas Shimës, Faja është munduar që të harmonizojë veprën e tij me atë të arkitektit italian.
Shërbimi më i madh që bën analiza e Rubens Shimës është hullia ku gjetjet e tij e fusin, apo duhet ta fusin, debatin: trashëgimia kulturore. Sepse, ngado ta kapësh, vandalizmi mbi ndërtesën e Teatrit Kombëtar dhe ‘banorët’ e tij, është një sulm i hapur bolshevik mbi trashëgiminë kulturore. Ndërtesa ka moshën, stilin dhe spikamën kulturore për ta konturuar veten si traditë apo trashëgimi kulturore. Nëse duhen mend për ta kuptuar këtë, le të bëjmë llogaritë e ndërtesave të ngjashme të mbetura në qytet. Nuk janë shumë. Kompleksi i ministrive, disa vila të harrura të lagjeve tradicionale tiranase, dhe tek-tuk ndonjë ndërtesë e cila mund të bjerë nën të njëjtat rruspa.
Teatri Kombëtar është territor dhe ndërtesë e trashëgimisë së përbashkët të shqiptarëve, dhe shembja e tij për të përfituar metra katrorë për ndërtimet e futurizmave të Ramës dhe Veliajt është krim.
Mes futurizmit të arkitektit italian Berte që projektoi selinë e shoqatës ‘Scanderbeg’ dhe t tjerëve që na lanë gjurmën e hijeshisë së Tiranës së viteve ’30, dhe ‘futurizmave’ të Rama-Veliajt, koha e ka treguar dhe nuk na lë të dyshojmë, se jemi të sigurtë me italianët.
Të rrimë me ta, sepse na bëjnë të dukemi civilë dhe europianë me ato pak gjëra që na kanë lënë, krahasuar me grinë komuniste dhe turbo-arkitekturën e Ramës dhe të tjerëve.
Megjithatë, Teatri duhet mbrojtur, jo se i është qepur Rama, që prej 1999; as se nuk i ndahet Veliaj, nën sindromën ‘kudo ka tokë në qytet do ta mbjell me kulla, dhe kudo shoh tokë jashtë tij do të ngul pemë’.
Teatri nuk është litari që tërheqin në mes palët politike (një Zot e di sa të paditura dhe rrënimtare janë në punë të kulturës), por stofi që përbën kostumin kombëtar, traditën tonë të përbashkët.
E cila, edhe kështu si është qëllon e pakët, e ndrojtur, e rrezikuar. Tradita është pakica më e pambrojtur në Shqipëri.
Shembja e traditës nuk është zhvillim dhe progres, por ndërprerje e komunikimit me veten dhe të shkuarën tonë, me thelbin qytetit dhe të kombit.
Politikanët mund të guxojnë në babëzi e sipër, por nuk duhen lejuar.