Flash News
Vendimi për çështjen e vulës, Bardhi: Gjykata e Lartë t’i japë fund absurdit, PD i përket anëtarëve të saj
Nasip Naço del nga SPAK: U pyeta për çështjen ÇEZ-DIA, kam folur me letra, jo me heshtje
Shtyhet sërish seanca për Berishën, shkak mungesa e prokurorëve
Investimi në Sazan/ Rama pyetet pse nuk shpall tender kombëtar: Do shqyrtojmë aplikimin
Paraqitet në SPAK, ish-ministri dhe deputeti socialist, Nasip Naço
S’është më një betejë për “brekët e Violeta Manushit”, por kundër autoritarizmit të Ramës
Gentian Gaba
Ironia që Rama bëri me brekët e aktores Violeta Manushit, ka mbetur një nga batutat më të bujshme të kryeministrit aktual. E tha atë në vitin 2002, gjatë një debati me aktorët për Teatrin Kombëtar, një temë më aktuale se kurrë: duhej prishur apo duhej ruajtur godina e Teatrit Kombëtar. Me një miks midis arrogancës prej kapadaiu, që e dallon edhe sot, dhe ironisë disi vulgare, ish-kryebashkiaku që atëmot ishte i vendosur për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar, duke mos përfillur vulën “Monument Kulture” që kishte vendosur mbi të me dorën e tij, iu drejtua aktorëve: “Epo ruajini dhe brekët e Violeta Manushit si monument kulture”. Pas një shpërthimi gazmor, nga salla u ngrit me rigorozitet Luftar Paja, i cili plot rrëmbim mbrojti të mbathurat dhe dinjitetin e koleges, duke bërtitur: “Brekët e Violeta Manushit janë të arta”.
Gjashtëmbëdhjetë vite më vonë, në klimaksin e fuqisë së tij, Rama vijon t’i bjerë daulleve të luftës kundër Teatrit Kombëtar; por, ndërkohë, Luftar Paja, dhe shumë të tjerë, janë kthyer në kasnecët e kryeministrit. Këtë radhë, epshi i Ramës për hapësirën e teatrit, pas një coitus interruptus të zgjatur kaq shumë në kohë, kërkon të shpërthej, nëpërmjet avatarit të tij në Bashkinë e Tiranës, në një qiellgërvishtës të ngritur si shpatë në zemrën e kryeqytetit. Në rikthimin e kësaj përballje, anipse mund të duket një përplasje për Teatrin Kombëtar dhe pajën e kullave që mund të vijnë me të riun, midis rrymave të kundërta që flasin për rikonstruksion në një krah, dhe tabula rasa në tjetrin, ajo çka luhet është shumë herë më e madhe sesa vetë godina. Teatri Kombëtar sot është vija e kuqe e shtetit ligjor; matanë saj mund të shquajmë spikamën e një Rame që e shtrinë pushtetin në lartësinë ogurzezë të frymëzuesit të tij (ipse dixit), Erdoganit.
“Marrëdhënia ime me presidentin (Erdogan) është një marrëdhënie që ka nisur pa u njohur unë me të, pasi e kam admiruar për së largu punën e tij të jashtëzakonshme si kryetar i Bashkisë së Stambollit dhe rolin transformues që ai ka pasur dhe ka qenë një ndër shembujt që më kanë frymëzuar për atë që kam bërë për Tiranën” – tha Rama, kryeministri i një shteti që synon të aderojë në BE, mbi dikë që idenë e demokracisë e përmbledh me shprehjen: “ju votoni, unë fitoj”.
Me përmasa të ndryshme, dhe një përplasje ende embrionale midis aktorëve dhe Ramës, të cilët premtojnë qëndrestari të flaktë; kjo situatë ngjason me kryengritjen me të cilën u përball Erdogani në pranverën e vitit 2013, atë për parkun Gezi. Qytetarët e Stambollit, sidomos të rinjtë dhe të rejat, kundërshtuan prishjen e 600 pemëve që kurorëzonin sheshin Taksim, një simbol i Turqisë laike, të cilat, sipas vullnetit të Erdoganit, do t’i hapnin rrugën një qendre tregtare. Çapulcu (vandalë në turqisht), epitetoheshin asokohe nga kryeministri turk, protestuesit që i dhanë një të shkundur të fortë pushtetit të Erdoganit, por që nuk mjaftoj për të ndalur regjimin, gjithmonë e më autoritar të sulltanit të ri.
Bilanci i asaj pranvere ishte tragjik, nëntë të vrarë dhe tetë mijë të plagosur, një banjë gjaku që çimentojë akoma më shumë regjimin; gjithashtu një mësim për ata që betejat i lënë përgjysmë, sidomos kur përballë ke individë që kanë, kryekëput, tiparet të kundërta nga ato që lips demokracia.
Projektligji me të cilin po kërkohet t’i jepet fund Teatrit Kombëtar, shënon një shkelje flagrante të Kushtetutës, dhe një gjest autoritar me të cilin Rama kalon Rubikonin, për t’i dhënë një goditje finale rendit ligjor.
Parë me sytë e të rinjve turq, të cilët bashkë me betejën për parkun, humbën edhe atë kundër autoritarizmit të Erdoganit; çdo centimetër i lëshuar në përballjen për teatrin, nuk do të ishte thjeshtë një disfatë e artistëve, apo trashëgimisë kulturore, e metaforizuar me “brekët e Violeta Manushit”, por preludi i autoritarizmit të Ramës.