Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Gentian Gaba
Luigi Soreca, shefi i ri i delegacionit të BE në Shqipëri, ka nisur zyrtarisht punën në Tiranë. Me dorëzimin e letrës së Krediencaleve pranë Presidentit Meta, italiani mbyll epokën e Romana Vlahutin, dhe nis të tijën. Soreca është një zyrtar i rëndësishëm në Bruksel. Me profesion avokat, me vitin e tij të parë në Shqipëri, ai do të nisë dekadën e tretë në shërbim të BE-së, pasi i është bashkuar Komisionit Europian në vitin 1998.
Soreca ka qenë Drejtor i Sigurisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Europian për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme (DG HOME). Drejtoria është përgjegjëse për zhvillimin e politikave kundër drogës, luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, krime të tjera të rënda dhe promovimin e zbatimit të ligjit, pra një profil krejt i ndryshëm nga paraardhësja e tij.
Soreca ka qenë gjithashtu përgjegjës për koordinimin e Dialogut të Liberalizimit të Vizave me Vendet e Ballkanit Perëndimor, proces që çoi në liberalizimin e vizave në Shqipëri në vitin 2010. Në këtë moment të rëndësishëm për shqiptarët, që prisnin me padurim rënien e "perdes së hekurt" që për dekada u kishte mohuar lëvizjen e lirë, Soreca ka punuar ngushtë me qeverinë “Berisha”; konkretisht me Lulzim Bashën, kur ky ishte ministër i Brendshëm, për çështjen e liberalizimit të vizave.
Ky është një lajm i mirë për opozitën, e cila do të ketë të bëjë me një person që ka njohur atë dhe liderin e saj, jo nëpërmjet mediave të brendshme dhe të huaja, por bashkëpunimit të drejtpërdrejtë kur vendin e qeveriste aleanca e sotme opozitare.
Nga Soreca nuk priten mrekullira në lidhje me raportet e tij midis palëve politike. As një afri me opozitën, meqënëse dikur ka ndarë një eksperiencë pozitive me Bashën; por thjesht një largësi të barabartë që ambasadorja e mëparshme kishte humbur rrugës.
Sa për detyrat që e presin, në njoftimin e shpërndarë sot nga zyra e BE-së në Tiranë, thuhet se puna e ambasadorit do të fokusohet kryesisht në reformat që lidhen me pesë prioritetet kyçe: Reforma e administratës publike, Reforma e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e pronësisë.
Ajo që njoftimi nuk thotë, është se si e ka përjetuar ambasadori këtë ditë të parë në Shqipërinë e rigjetur; sidomos kur çështjet e pronësisë, të drejtave të njeriut dhe korrupsionit, dominuan mediat.
Me shumë gjasa ka ndjekur me vëmendje përplasjet që shoqëruan aksionin e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit në Jalë për prishjen e 9 objekteve të cilësuara si ndërtim pa leje në tokë shtetërore, arrestimin e banorëve të revoltuar dhe tensionin midis deputetëve të opozitës dhe kreut të IKMT-së. Nuk do t’i ketë shpëtuar edhe kërcënimi që drejtori i bëri deputetit Agron Shehaj. Po ashtu duhet t’i ketë rënë në sy sherri i madh midis deputetëve të mazhorancës dhe opozitës gjatë debatit në komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese. Mazhoranca ka pranuar sot dekretin e Presidentit Meta për ligjin e Teatrit të ri Kombëtar, edhe si pasojë e ‘fletërrufesë’ që erdhi nga BE; por, për habi, kërkoi njëkohësisht të amendohet një ligj që nuk arriti të bëhej kurrë i tillë, një gjetje aspak kushtetuese, europiane jo e jo.
“Shqipëria një dhe njëmijë”, do ta ketë komentuar me fjalët e një tjetër italiani, Indro Montanellit; fiks si problemet që na ndajnë nga BE, dhe ndajnë ambasadorin nga ambicja e deklaruar sot për të na parë si pjesë e saj.
Për këtë arsye, është rasti që t’i japim një “in bocca al lupo”, Sorekës dhe Shqipërisë.