Flash News
Shoferja humb kontrollin në aksin Devoll-Miras, dy të plagosur
SPAK sekuestron pasuritë e dy ortakëve të Evis Berberit
Goro në burg, Blerina Balaj komandohet kryetare e Bashkisë Himarë
Video/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, qytetari pështyn në fytyrë Vangjel Tavon
Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….
“Të rikthejmë te shqiptarët figurën kombëtare”, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë debat shkencor në Vitin e Skënderbeut
2018-ta është është shpalluar nga qeveria shqiptare si Viti i Skënderbeut. Në 550-vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë Sabri Laçi, shprehet se ky institucion, si ndër më të të rëndësishmit dhe prestigjiozët të studimeve Albanologjike në vend, do të japë kontributin e tij jo vetëm në rikthimin e vëmendjes së shqiptarëve tek figura shumëdimensionale e heroit tonë kombëtar, por edhe në krijimin e një platformë të debatit shkencor për epokën dhe figurën e Skënderbeut.
Çfarë do të synojë debati shkencor:
Shkëputjen nga paradigma e vjetër dhe e ideolgjizuar e studimeve historike në përgjithësi dhe e studimeve për figurën e Skënderbeut. Edhe pse në dukje kjo paradigmë e ka vlerësuar figurën e tij, duke qenë e brendashkruar në një kontekst politik izolacionist, në thelb e ka reduktuar epokën e Skënderbeut dhe figurën e tij qytetëruese dhe politike në Europën e kohës.
- Sjelljeve e këndvështrimeve dhe kontributeve origjinale studimore në pasurimin e dijes për Skënderbeun dhe kohën e tij.
- Gjergj Kastrioti Skënderbeu, është shndërruar me të drejtë në një mit ndërtues për kombin tonë, por paradoksalisht miti i tij në vend që ta hiperbolizojë realitetin historik e minimizon atë. Mendojmë se Skënderbeu është më i rëndësishëm se miti i tij.
- Skënderbeu dhe epoka e kanë të pashmangshme qasjen historizuese, por mendojmë se ai i shërben po aq mirë shoqërisë bashkëkohore shqiptare dhe elitës drejtuese sot, sa ç’u ka shërbyer arbërve dhe Arbërisë së kohës së tij.
- Skënderbeu është një personalitet europian dhe i ka shërbyer atij qytetërimi po aq sa edhe qytetërimit shqiptar. Asnjëherë si në kohën e tij Europa nuk ka pasur nevojë për Shqipërinë. Aleancat dhe diplomacia e tij janë edhe sot model për integrimin evropian tëshqiptarëve. Historiani dhe gazetari i shquar italian e ka quajtur për këtë me të drejtë “poeti i madh i politikës shqiptare”. Mesazhi i tij themelor është se një vend i vogël jo domosdoshmërishtështë i parëndësishëm në gjeopolitikën dhe zhvillimet botëror. Është mirë që ky dimension i tij të zbulohet para shqiptarëve dhe të tjerëve në përmasën e tij reale pasi do të ishte një terapi e mirë për të shëruar inferioritetin e padrejtëtë shqiptarëve,të ngulitur përmes një procesi të gjatë historik.
Për këto arsye, dekanati i fakultetit të Historisë dhe Filologjisë ka vendosur:
- Zhvillimin e një serie veprimtarish që do të kulmojnë me një konferencën dërdisiplinore, e para e këtij lloji që do të mbahet me 15-16 nëntor, në Tiranë.
- Konferenca do të jetë ndërkombëtare dhe synon të bëjë pjesë të një debati shkencor autoritetet botërore dhe kombëtare të fushave të ndryshme që e kanë si objekt studimi epokën dhe personalitetin e Skënderbeut.
- Konferenca do të bëjë një prerje prizmike përmes këndvështrimeve dhe qasjeve moderne të kërkimit shkencor që do të paraqitet në konferencë, në mënyrë që të mbetet referenciale për studime shqiptare dhe ndërkombëtare
- Aktet e kësaj konference do të bëhen të njohura kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht përmes botimit dygjuhësh, shqip dhe anglisht.
Për realizimin e këtyre veprimtarive fakulteti i Historisë dhe Filologjisë do të kërkojë mbështetjen dhe bashkëpunimin e të gjitha institucioneve kërkimore në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë, si dhe mbështetjen e institucioneve shtetërore.
Kjo nismë është ndërmarrë nga ky fakultet, të bindur që kombi ynë dhe shoqëria jonë, të cilët janë të mbrojtur shpirtërisht me figurën dhe bëmat e Gjergj Kastriotit, e kanë po kaq të domosdoshme të tejkalojnë koracën ideologjike e mitologjike dhe, në një kontekst të ri, të rrokin përmasën reale të heroit tonë kombëtar, si një dobi e dorës së parë për bashkohësinë.