Flash News
Shoferja humb kontrollin në aksin Devoll-Miras, dy të plagosur
SPAK sekuestron pasuritë e dy ortakëve të Evis Berberit
Goro në burg, Blerina Balaj komandohet kryetare e Bashkisë Himarë
Video/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, qytetari pështyn në fytyrë Vangjel Tavon
Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….
Alfred Lela
Ngjarjet erdhën dhe u ngushtuan te një hinkë e cila ia bënte të pamundur të kalonte përmes bashkë me të shkuarën e tij. I gjendur kështu, me ijet e trashura të zullumit ministror, deputetit të majtë ndoshta i është kujtuar parabola e devesë që nuk mund të kalojë në vrimë të gjilpërës.
Nuk kishte rrugë tjetër veç ndërrimit të pozicionit. Nëpërmjet kthimit të hinkës mbrapsht. Tani Saimir Tahiri dhe jeta e tij politike është e mbuluar, në stanjacion, nuk mund të bëjë teposhtë as përpjetë. Gryka që dikur shërbente si tub shkarkimi, tashmë është kthyer në oxhak. Prej tij, në asnjë rast, nuk pritet të dalë tym i bardhë si në procesionin e zgjedhjes së Papës së ri. Më shumë dioksid karboni politik, po.
Tërheqja e ish-ministrit të Brendshëm është një simulim i komunikimit politik, një fabrikim i cili i lejon ngajrjet të mos bllokohen te gryka e hinkës, e zënë me bërllog të qeverisë së shkuar, trashëgimtarja e së cilës do të shohë nga e ardhmja me të njëjtët sy.
Dorëzimi vullnetar i mandatit të deputetit të Republikës së Shqipërisë, u sforcua nga shtysa të brendshme e të jashtme, ku këto të fundit kanë peshën më të rëndë. Opozita dhe faktorët e tjerë të brendshëm e kanë akuzuar prej kohe të gjatë ish-ministrin e Ramës për implikim me struktura të narkotrafikut, pa i hequr dot një fije stimës së Kryeministrit për vartësin e tij, varur te shprehja ‘është ministri më i mirë, kampioni i qeverisë’.
Edhe kur sipërfaqësoi dosja e Prokurorisë italiane, Rama e klasifikoi vetëm për pak orë si ‘dru të shtrembër’, duke e marrë sërish nën sqetullën mbrojtëse pas vendosmërisë së Tahirit për të rezistuar, gjë që u duk në kapadaillëkun e frazës ‘nuk keni parë gjë akoma’. Me anë të një lëvizjeje taktike, Kryeministri e nxori nga grupi parlamentar socialist, por i siguroi mbrojtje politike megjithatë duke luftuar fort që ish-ministrit të tij të mos ia hiqnin imunitetin.
Tahiri u zhyt në heshtje, prej së cilës e nxori e ardhmja. Një aplikim i Shqipërisë për të çelur negociatat e anëtarësimit me BE, shpluhurosi ‘çështjen Tahiri’. Deputetët gjermanë, që në fillim, e shihnin si të habitshëm faktin e mosheqjes së imunitetit për kolegun shqiptar. Kur Kryeministri udhëtoi drejt Berlinit për t’u takuar me Merkel, e kuptoi vetë këtë. “Kushtet paraprake” të artikuura prej kancelares, por të pa detajuara, lejuan gjithkënd që të kategorizonte në atë listë ‘lëshimin’ e ish-ministrit problematik.
Në këtë pikë u mendua lëvizja taktike e dytë. E cila bëhej e domosdoshme edhe pas ngritjes së Komisionit hetimor parlamentar ‘Tahiri’, i kërkuar me forcë nga opozita me objekt çështjen e kanabizimit të vendit dhe implikimin e ish-ministrit socialist. Një goditje parandaluese u mendua si taktikë dalëse. Në cilindo rast, më mirë një tërheqje që të lejon të luash dy role, të viktimës dhe të heroit njëherësh, se sa një sakrifikim publik në gijotinën dytehëshe të Komisionit opozitar dhe të Nein-it gjerman.
Tahiri dhe Rama zgjodhën variantin e parë, si taktikë shpëtimi, por jo si ndarje me të keqen.
Kjo nuk i lejon shumë Tahirit, madje dhe më pak se kur hinka ishte në pozicionin natyral. Ai nuk mund të vazhdojë me rolin e viktimës (pse të jem unë i vetmi që dënohem në 30 vjet batakçillëqe), dhe as të heroit (u tërhoqa vullnetarisht për t’i hapur rrugë integrimit të Shqipërisë). Aq më pak të sentimentalit (babai që loton për fëmijët dhe bashkëshorti për gruan).
Si harta ashtu dhe territori i janë zvogëluar. Komisioni hetimor parlamentar nën komandën e opozitës do të bëhet edhe më i ashpër, duke kërkuar që diskreditimin politik t’ia bashkangjisë penaliteteve juridike që mund të rrjedhin prej një arresti të mandatuar nga Prokuroria. Të dyja bashkë do ta mbajnë të karikuar baterinë e trysnisë ndërkombëtare.
Saimir Tahiri është bërë si Meduza e mitologjisë greke: për të gjithë 'zotat' koka e saj është e bukur dhe e parrezikshme. Vetëm e prerë.