Që nga ajo mbrëmje, Xheni Karaj konsiderohet si pioniere e lëvizjes LGBT në Shqipëri. Gjithkush në Tiranë e njeh fytyrën e saj: “Shikoni, kjo është lezbikja që doli në televizor!”.
Tre vjet më parë, Karaj kishte bashkuar forcat me një numër miqsh për të nisur Aleancën kundër diskriminimit të LGBT. OJQ-ja është e përkushtuar për të drejtat e personave lezbike, homoseksualë dhe transeksualë – njerëz që ende shpesh fshihen në Shqipëri sot.
Në një rrugë jo të mirë brenda qytetit gjendet ‘zemra’ e Aleancës. Prapa një porte të thjeshtë hekuri blu, e rrethuar nga blloqe të banesave dhe dyqaneve të riparimit të makinave, gjendet këtu që nga viti 2011 një strehë për ata që kërkojnë strehim. Një përzierje e zyrës dhe dhomës së ndjenjes, në oborrin e brendshëm ka grafite, në mure portrete të transvestitëve, në qoshe flamujt e ylberit, fletushka, postera; mbetjet e Pride Parade të disa javëve më parë.
Deri në vitin 1995, seksi me të njëjtën gjini dënohej në Shqipëri me dhjetë vjet burgim. Që nga ky vit ai është i lejuar në letër, por në realitet tema është për shumë ende tabu. Këtë nuk e ndryshon as fakti që, prej vitit 2010 Shqipëria është një nga vendet e pakta në Europë që ndalon ligjërisht diskriminimin e bazuar në identitetin gjinor. Ligji konsiderohet gjerësisht si një aprovim politik ndaj BE dhe jo si rezultat i ndryshimeve shoqërore. Homofobia është ende e përditshme. Sot Karaj mbron orientimin e saj seksual. Por asaj gjithashtu iu deshën shumë vite që të guxonte të ishte vetvetja.
https://youtu.be/_afrs134V5w
Karaj tani është një e ftuar e rregullt në Talkshows dhe në konferenca. Duket e ashpër dhe e guximshme dhe e quan veten “të konsumuar”. Ajo do të donte t’i linte të tjerët të shkonin për të folur për lëvizjen LGBT, por edhe pse situata sot është me ndryshe se ajo e dhjetë viteve më parë; ka ende pak që duan të zbulojnë identitetin e tyre në kamera. Shumë e madhe është frika e reagimeve jashtë fluskës së vogël që Karaj ka krijuar me Aleancën LGBT në Tiranë.
Te Aleanca, anëtarët e lëvizjes planifikojnë ‘prides’ dhe protesta, organizojnë workshope dhe mbrëmje filmi, ofrojnë këshillim psikologjik ose ulen së bashku duke e ditur se nuk janë vetëm.
Duke folur me ta për jetën në Shqipëri, ndeshesh me sarkazëm cinike, shumë do të donin të largoheshin nga vendi, ata ndjehen jo të lirë ose të diskriminuar. Këtu duhet thënë se situata në Tiranë është ende një parajsë në krahasim me pjesën tjetër të Shqipërisë: “Jashtë Tiranës është ferri”, thotë Karaj.
Megjithatë, disa gjëra kanë ndryshuar, madje edhe jashtë flluskës. Gay (P) Ride e parë – Pride mbi biçikleta – Karaj e përshkruan si një nga momentet më të lumtura në jetën e saj. Ishin vetëm një numër i vogël njerëzish, të cilët në shiun e e vrullshëm të vitit 2010 kishin zbritur në Bulevardin e madh ‘Dëshmorët e Kombit’, të mbështjellë me mushama dhe flamuj-ylberë. Nga diku fluturuan kapsolla, por ata vazhduan të ecnin përpara.
https://youtu.be/XUwlPaN2Sog
Në dhomën e përkohshme të ndenjes së qendrës ‘Aleanca’ është sot ‘nata e filmit’. Kolltuqet e kuqe prej lëkure artificiale bëhen gropë nga pesha e një duzine njerëzish, në tryezë janë kuti picash gjysmë-bosh të bëra pirg, ajri është mbytës dhe vjen era djathë. Në ekranin që varet pak shtrembër para lavamanit, shfaqet “Skandali”, një dokumentar i vitit 2014 mbi lëvizjen LGBT në Shqipëri.
Filmi është kult, shumica e atyre që janë në dhome, e kanë parë disa herë. Atmosfera më shumë të kujton një ndeshje futbolli sesa një natë filmi, hera herës diskutimet e nxehta mbysin ngjarjet në ekran. Xheni Karaj vjen me një qese me kanaçe Pepsi në dhomë, por zhduket menjëherë. Shfaqja e debatit (talkshoë) dhe deklarimi i seksualitetit të saj para gjashtë vjetësh janë gjithashtu pjesë e dokumentarit. Kur Murat Basha shfaqet në ekran, politikani homofob që do të vriste djalin e tij nëse ai do të ishte gay, e ndez situatën ende më shumë. Fyerjet dhe kanaçet bosh Pepsi fluturojnë drejt ekranit, njëra e godet Murat Bashën në kokë.
Karaj futet përsëri në dhomë. Duartrokitjet janë të stuhishme dhe plot mirënjohje. Kanë kaluar gjashtë vjet që nga mbrëmja e atij Talkshow, disa nga njerëzit në dhomë ishin gjithashtu në audiencë atë nate. Por ishte Karaj ajo që reagoi, dhe askush nuk e ka harruar këtë.
*Shkrimi është pjesë e webfaqes ’30 përqind shpresë’, një projekt i Gazetarisë multimediale të Akademisë së Gazetarisë së Fondacionit Konrad Adenauer dhe Departamentit të Gazetarisë së Universitetit të Tiranës. Projekti u realizua në Pogradec me pjesëmarrjen e 7 gazetarëve shqiptare dhe 7 gjermanë dhe me pedagogë nga të dy vendet.