Flash News
Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci
Konstituimi i grupit të dialogut PD-PS, Bylykbashi: Prioritet është Reforma Zgjedhore
Konstituohet grupi i dialogut mes opozitës dhe mazhorancës për ‘Reformat’
Tragjikomedia e AADF me Butrintin: Një i panjohur do të drejtojë bordin shkencor të fondacionit
Lejuan 37 ndërtime të paligjshme, dënohen dy kryeinspektorë dhe inspektorë të IMT në Bashkinë e Lushnjes
Vuçiç braktiset edhe nga Putin; Moska planifikon veton për planin Pekin-Beograd për çështjen e Kosovës
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ishte dy ditë më parë në Moskë për t’u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin. Gazeta ruse ‘Kommersant’ raporton se në takimin që zgjati më pak se një orë, 40 minuta iu kushtuan vetëm çështjes së Kosovës. Por pas këtij takimi, Vuçiç është larguar nga Moska me një “jo” të Putinit sa i përket planit të tij për ndryshimin e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës.
Korrespondenti i gazetës ‘Kommersant’, Andrei Kolesnikov raporton për një plan të Beogradit dhe Kinës për çështjen e Kosovës, që planifikohet të zbatohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Pekini ka marrë drejtimin e Këshillit të Sigurimit në OKB dhe në diskutime ka rikthyer sërish çështjen e Kosovës, e nxjerr nga agjenda gjatë drejtimit të Këshillit nga Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA.
Kina planifikon të ngrejë çështjen e njohjes përfundimtare të Kosovës nga komuniteti ndërkombëtar nëse arrihet një marrëveshje Beograd-Prishtinë, ku Serbisë i jepet veriu i Kosovës. Ky plan, sipas gazetës ruse, nuk është mbështetur nga Vladimir Putin, i cili ka paralajmëruar homologun e tij serb për veto në Këshillin e Sigurimit.
Vuçiç nuk e ka mirëkuptuar arsyen përse Rusia do të vendosë veton për një plan të tillë, që do prezantohet nga Pekini, dhe që i garanton Kosovës hyrjen në OKB në bazë të marrëveshjes së propozuar nga presidenti serb (e pranuar edhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi).
Ndërkohë, sinjale për kundërshtimin e një marrëveshje Vuçiç-Thaçi janë dhënë edhe nga ambasadori i Rusisë në Tiranë, Aleksandër Karpushin. Në një intervistë të dhënë pak ditë më parë në gazetën ‘Shekulli’, Karpushin deklaroi se Putin mbështet zgjidhjen e çështjes së Kosovës nëpërmjet dialogut me Serbinë dhe është gati të mbështesë çdo marrëveshje e cila do të arrihet nga palët, me kusht që dakordësitë e tyre nuk do të kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkan.
“Udhëheqja ruse, përfshirë këtu presidentin Vladimir Putin, ka theksuar vazhdimisht se të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me statusin e Kosovës duhet të zgjidhen në rrugë politike – përmes dialogut dhe në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila është ende në fuqi. Rusia mirëpret bisedimet aktuale midis Beogradit dhe Prishtinës dhe është gati të mbështesë çdo zgjidhje reciprokisht të pranueshme, e cila do të arrihet nga palët, me kusht, sigurisht, që dakordësitë e tyre nuk do të kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkan”, ka deklaruar Karpushin.
Gjermania, Shqipëria dhe shtetet fqinje të Kosovës dhe Serbisë e kanë kundërshtuar propozimin për ndryshimin e kufijve, ndërkohë që plani Thaçi-Vuçiç nuk është kundërshtuar nga Brukseli dhe administrata e presidentit amerikan, Donald Trump.