Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Xhisiela po gënjen veten, por ne po na thotë të vërtetën: Duke na treguar përdhunuesit e saj
Alfred Lela
Xhisiela Maloku është shfaqur sonte në dy televizonet kryesore në Shqipëri duke dhënë intervista për Opinion dhe Open. Kjo është kthesa e parë e ngjarjeve që meriton një kureshtje. Pse u bë papritur 'televizive' një vajzë provinciale e dhunuar (dhe e përndjekur!) që fshihej, e kapur në shtjellën e fortë të një ngjarjeje që i kapërcente mundësitë reaguese të saj dhe familjes?
Nuk ka shpjegim tjetër veç faktit se ajo është shtyrë të bëjë përpara drejt skenës për të rirrëfyer një variant të historisë, edhe njëherë të ndryshuar. Ngrihet një dyshim i dytë që lidhet me tashmë disa variantet e historisë, që nisi në korrik dhe u bë publike në messhtator, pas një akti uikilikian të nënkomisarit Nuhu: është 'biseda e lirshme' e ndodhur në Komisariatin e Krujës mes të rinjve nga Nikla që ka çuar në arrestimin e djalit të deputetit socialist. A nuk u dha ky variant nga burime shtetërore?
Arrestimi i Rrajës junior dhe intervistat e papritura të Malokut nuk janë më shumë se siguresa që Rama, Balla dhe të tjerë po vendosin mbi pikat shpërthyese të skandalit, për të dalë prej tij pa u fundosur. Ngjarja nuk është një episod në vetvete, por ilustron gjithë filozofinë e qeverisjes socialiste, apo të paktën dyshimin kryesor mbi të, si prej opozitës, publikut dhe ndërkombëtarëve: lidhjeve me botën e krimit. Sado arrogante një qeveri, skenat e treguara prej nënkomisarit Nuhu, në në një zyrë modeste të stacionit të Policisë së Fushës-Krujës, ku shfaqen numri 2 i PS, një deputet dhe një kryetar Bashkie duke dalë mbi ligjin në mënyrat më vulgare do të ishin të papërballueshme për reputacionin e saj.
Për këtë arsye makina propagandistike qeveritare ka punuar me kohë të plotë duke u investuar, jo vetëm në atë që shihet në skenë, por edhe në prapaskenë. Prodhin i prapaskenës është edhe varianti i ri i përmbysur që rrëfeu Xhisiela Maloku për Blendi Fevziun dhe Eni Vasilin.
Ingranazhet e pamëshirshme ku ka rënë vajza 25 vjeçare do ta lënë atë me një varrë jo të vogël shpirtërore, por sakrifikimi i saj është vetëm një pjesë e dramës. Mungesa e ndjeshmërisë prej politikanëve të lartë, kombinuar me banditizmin lokal nuk 'eliminon' vetëm Xhisiela Malokun, por edhe një mekanizëm që e mban shoqërinë në kontroll të politikës.
Spektakli i shëmtuar i prodhuar me forcë, para dhe papërgjegjshmëri nga Kryeministri dhe shpura e pushtetit, dëshmon se ky kompromis me të keqen anulon të gjitha kompromiset me normalen. E çapërlyer në rrotat e këtij ingranazhi, Xhesila u përdhunua edhe njëherë mbrëmjen e së hënës së 1 tetorit 2018. Një dhunë kolektive u derdh mbi të, verbale, e ftohtë dhe fundosëse.
Nga një vajzë që heroizohej deri dje me një përzierje të mëshirës, solidaritetit, empatisë etj., 25 vjeçarja u bë një Soraja mbi të cilën pështyhet, gjuhet me gurë dhe derdhen mallkimet, sa të namuzit e sa të përbuzjes.
Tani variantet e historisë së Xhisielës kanë pak rëndësi. Madje, përplasja e tyre e ka ndihmuar të vërtetën. Vajza nga Nikla nuk po na mashtron; duke gënjyer ajo po na thotë një të vërtetë për veten (jam e pambrojtur, e kërcënuar, jetime, e pafuqishme etj), por më shumë se kaq po shpjegon përdhunuesit e saj të rinj.
Duke shkuar deri këtu, ata na kanë zbuluar kush janë.