Flash News

KRYESORE

100 milionë euro dëm si pasojë e taksës ndaj Serbisë

100 milionë euro dëm si pasojë e taksës ndaj Serbisë

Vënia e taksës prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës për prodhimet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, u kanë shkaktuar dëme ekonomike e financiare bizneseve të këtyre dy shteteve.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi ka thënë për Telegrafin se taksa për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk do të hiqet, derisa të ketë njohje nga Serbia.

“Qëndrimi i Qeverisë nuk ka ndryshuar. Kosova i ka argumentet e saj për këtë çështje të cilat janë të njohura tashmë, i ka thënë kryeministri Haradinaj gjithashtu edhe faktet se pse është e vendosur bashkë me arsyet kur hiqet ajo”, tha Gashi.

Taksa 100 për qind vetëm Serbisë nga 6 nëntori i vitit 2018 e deri më sot i ka shkaktuar dëme rreth 100 milionë euro. Burime nga  Dogana e Kosovës bëri me dije se nga Serbia janë importuar deri në 150 maune me mallra, ndërsa importi pas taksës është minimal.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka konfirmuar për Telegrafin se importet e mallrave nga Serbia kanë rënë për rreth 100 për qind.

“Brenda një dite importet nga Serbia në Kovës kanë qenë në vlerë prej 1.2 deri në 1.4 milion euro, ndërsa sot mesatarja ditore e importeve me mallra është deri 8000 euro. Pra rënia e reale e importeve nga Serbia është rreth 100 për qind. Pra dëmet ndaj Serbisë kapin shumën e rreth 100 milionë eurove”, tha Stavileci.

Sipas tij, ka rënie të maunave që importohen me mallra nga Serbia.

“Para taksës mesatarisht janë importuar prej 120 deri 150 maune me mallra nga Serbia, kurse pas taksës ka raste kur nuk ka as një maune me importe nga Serbia”, ka thënë zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.

Se ka pasur humbje milionëshe nga taksa 100 për qind, e ka konfirmuar edhe Qeveria e Serbisë.

Zëvendëskryeministri si dhe ministri i Tregtisë, Rasim Lajiq, ka deklaruar për TV PINK në Serbi se taksa 100 për qind për mallrat e Serbisë u ka shkaktuar humbje 90 milionë euro.

Kujtojmë që Qeveria e Kosovës, fillimisht vuri taksë prej 10 për qind më 6 nëntor 2018, ndërsa më 21 nëntor 2018, taksën ndaj produkteve serbe dhe boshnjake e ngriti në 100 për qind.

Të fundit