Flash News

KRYESORE

12 ngjarjet politike që dominuan 2017-n; Saimir Tahiri ‘mbylli’ çadrën

Nëse do të zgjidhnim disa terma për të shpjeguar politikën përgjatë 2017-ës, ato do të ishin “kanabis”, “çadra”, “marrëveshje” dhe “Saimir Tahiri”. Aksioni i fuqishëm politik nisi më 18 shkurt me hapjen e çadrës së opozitës përpara Kryeministrisë, ku kërkesa kryesore ishte dorëheqja e qeverisë së Edi Ramës. Ishte kjo çadër e hapur me qëllim për të larguar dyshen Rama-Tahiri si përgjegjëse për kanabizimin e vendit, ajo që përcaktoi shumë në vitin që po lëmë pas.

18 shkurt- PD hap çadrën përpara Kryeministrisë

Më 18 shkurt, Partia Demokratike organizoi një protestë masive në Tiranë, ndërsa me qindra qytetarë iu përgjigjën në qytete të ndryshme të vendit. Kreu i demokratëve, Lulzim Basha e thirri protestën për të kundërshtuar qeverinsë e kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzonte se kishte mbushur vendin me drogë.

Protesta zgjati për disa orë, por kur të gjithë mendonin se aksioni kishte përfunduar, përpara Kryeministrisë u ngrit një çadër e madhe, ku opozita qëndroi për më shumë se tre muaj, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Çadra e hapur më 18 shkurt ishte lëvizja që përcaktoi të gjithë fatin politik të 2017-s, siç do e shohim edhe në vijim.

12 mars- Edi Rama shkarkon katër ministra

Pa u mbushur ende një muaj nga hapja e çadrës së opozitës përpara Kryeministrisë, Edi Rama bëri lëvizjen e parë duke zbatuar pjesërisht kërkesat e demokratëve. Më 12 mars, Rama shkarkoi katër ministra të rëndësishëm të qeverisë, Saimir Tahirin nga Ministria e Brendshme, i cili ishte edhe shënjestra kryesore e opozitës, Ilir Beqajn nga Ministria e Shëndetësisë, Blendi Klosin nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Bledi Çuçin nga Ministria për Çështjet Vendore.

Por ky vendim nuk kënaqi Lulzim Bashën, i cili duke i konsideruar “koka turku” ish-ministrat, theksoi se opozita kërkonte dorëheqjen e Kryeministrit dhe jo të shërbëtorëve të tij.

28 prill- Ilir Meta zgjidhet President i Shqipërisë.

Ilir Meta, ndryshe nga Edi Rama, duke qenë se mbante postin e kreut të Kuvendit, po tregohej që prej 18 shkurtit i gatshëm për të negociuar për zgjidhjen e krizës politike. Ai kishte bërë disa hapa edhe për përfshirjen e ndërkombëtarëve, ndërkohë që vendi po i afrohej një momenti të rëndësishëm, zgjedhjes së Presidentit të Republikës.

Ndonëse e kishte mohuar publikisht në studiot televizive se ishte ai kandidati i mazhorancës për Presidencën, më 28 prill, me PS dhe LSI në sallën e Kuvendit dhe PD-në në çadër, Ilir Meta u zgjodh me 87 vota në postin më të lartë të shtetit.

18 maj- Marrëveshja Rama-Basha

Pas dështimit të tre takimeve të mëparshme në prani të negociatorit gjerman, David McAllister dhe ish-presidentit Bujar Nishani, kriza politike në Shqipëri rrezikonte të kalonte në një fazë tjetër. Mosbesimi mes opozitës dhe mazhorancës ishte rritur pas zgjedhjes së Metës president, ndërkohë që po afronte skadimi i afatit për regjistrimin e partive në zgjedhjet e 18 qershorit.

Por, kur Partia Socialiste kishte nisur zyrtarisht fushatën elektorale, dy parti opozitare, ajo Republikane dhe Agrare Ambientaliste thërritën më 17 maj një tryezë të partive parlamentare si përpjekje e fundit për të zgjidhur krizën politike.

PD dhe LSI iu përgjigjën kërkesës, ndërsa PS parashikohej të përfaqësohej me nivel më të ulët se kryetari Edi Rama, por atëherë kur nuk pritej, Kryeministri mbërriti në Kryesinë e Kuvendit, duke mbajtur në dhomë Lulzim Bashën dhe duke nxjerrë prej andej përfaqësuesit e partive të tjera.

Në orët e para të mëngjësit të 18 majit, Rama dhe Basha dolën së bashku nga mjediset e Kryesisë dhe njoftuan arritjen e një marrëveshje. PD do hynte në zgjedhje dhe do emëronte disa ministra teknikë në qeverinë e Ramës. Zgjedhjet e u shtynë për në 25 qershor.

27 maj- Lista ‘Basha’ për 25 qershorin

Kishte hyrë 27 maji kur kryeopozitari Lulzim Basha doli nga selia e Partisë Demokratike dhe bëri publike listën për zgjedhjet e 25 qershorit. Interesi ishte i lartë për shkak të grupeve që ishin krijuar brenda PD-së dhe kundërshtonin aksionet e kryetarit. Duke marrë përsipër përgjegjësinë për listën, Basha la jashtë disa figura të rëndësishme si Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Arben Imami, Majlinda Bregu, Eduard Selami dhe Ridvan Bode.

26 qershor- Edi Rama rizgjidhet kryeministër i Shqipërisë         

    

Pak orë pasi kishte nisur numërimi i votave në të gjithë vendin, trendi tregonte për rizgjedhjen e Edi Ramës në krye të qeverisë. 26 qershori, ndonëse ishte herët sa i përket përfundimit të numërimit, rikonfirmoi Edi Ramën si Kryeministër të Shqipërisë.

5 korrik- Rokada Vasili-Kryemadhi në krye të LSI

Me zgjedhjen e Ilir Metës president, drejtimi LSI-së iu dha Petrit Vasili, ndonëse ishte ish-kryetari ai që udhëhoqi tërësisht fushatën elektorale. Ndonëse partia arriti të ruante deputetët e saj më 25 qershor, koha për Vasilin në krye të LSI-së kishte përfunduar. Më 5 korrik, ai u zëvendësua nga Monika Kryemadhi, bashkëshortja e ish-kryetarit Ilir Meta.

22 korrik- Lulzim Basha rizgjidhet në krye të PD

Lulzim Basha e pranoi humbjen në zgjedhje, por duke theksuar fort ndikimin e kanabisit në shtrembërimin e votës së qytetarëve. Basha vendosi të ngrijë funksionet e tij në parti deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Ashtu siç pritej, Lulzim Basha rikandidoi për postin e kryetarit dhe përballë kishte vetëm Eduard Selamin. Pavarësisht kundërshtimeve nga disa ish-deputetë, Basha u rizgjodh në krye të PD-së më 22 korrik.

11 shtator- Edi Rama pranon 'kanabizimin' e Shqipërisë

“Duhet të thuhet sot, se opozita luajti një rol real në shkundjen tonë karshi këtyre problematikave (kanabisi dhe dekriminalizimi). Nëse sot ne jemi në një ofensivë totale dhe me rezultate të paimagjinueshme kundër kanabisit, e kotë të mohohet se edhe opozita pati kontributin e saj”, këto ishin fjalët e Edi Rama në sallën e Kuvendit kur po prezantonte programin për mandatin e dytë qeverisës. Kjo deklaratë ishte njohje ‘de facto’ e kanabizimit të Shqipërisë, për të cilën opozita hapi çadrën më 18 shkurt dhe kryeministri e mohoi deri më 11 shtator, kur tashmë e kishte siguruar mandatin e radhës.

13 shtator- Deklarata e Sali Berishës për këshilltarët e Bashës

Sali Berisha ishte i përjavshëm në daljet publike  gjatë kohës kur PD ishte në çadër, por që nga mbrëmja e 17 majit, ai nisi tërheqjen nga opozita aktive, duke i lënë hapësirë të plotë Bashës. Berisha nuk kishte folur për zgjedhjet e 25 qershorit, as për rizgjedhjen e Bashës në krye të PD, deri kur më 13 shtator pranoi të bënte publike qëndrimet e tij.

Ai lëshoi akuza direkte ndaj këshilltarëve të Bashës në fushatë, duke i konsideruar mizerabël.

“Lulzim Basha kishte këshilltarë mizerabël elektoralë, mizerabël. Pra ata të cilët e këshilluan Bashën, ata ishin fiasko. Studimi që i bënë ata fokus grupeve ishte fiasko, kjo është e vërteta. Lulzim Basha programin e kishte të shkëlqyer, por votat nuk janë për programin. Një pjesë e tyre janë për programin e përqindja tjetër nuk janë. Përqindja tjetër shkoi për timonin”, u shpreh Berisha për Syri.net.

17 tetor- Shpërthen skandali Tahiri-Habilaj

Kur mendohej se Edi Rama ishte tashmë aq i fuqishëm sa asgjë nuk mund ta dëmtonte, mediat italiane plasin atë që sot njihet si skandali Tahiri-Habilaj. Kushërinjtë e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ishin arrestuar gjatë një operacioni në Itali. Mediat publikuan dosjen e përgjimeve të autoriteteve italiane, ku rezultonte edhe emri i ish-ministrit të Ramës.

17 tetori konfirmoi përfundimisht akuzat e opozitës, e cila fliste prej kohësh për përfshirjen e Tahirit në trafikun e drogës, që ishte edhe arsyeja e hapjes së çadrës më 18 shkurt.

Që prej tetorit, kjo çështje vijon të mbajë të ndezur debatin politik në Shqipëri, ndërkohë që PS refuzoi kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e deputetit socialist.

18 dhjetor- Arta Marku zgjidhet kryeprokurore e Shqipërisë

Sapo skandali i Saimir Tahirit kishte filluar të zbehej, një tjetër çështje e nxehtë u shfaq në politikën shqiptare. Kryeprokurorit Adriatik Llalla i mbaroi mandati, ndërkohë që Këshilli i Lartë i Prokurorisë, organi përgjegjës për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, nuk ishte formuar ende.

Edhe këtë herë, mazhoranca vendosi të zgjedhë me votat e saj Prokurorin e Përgjithshëm, që pretendohej se do të ishte i përkohshëm.

Më 18 dhjetor, me protesën e qytetarëve jashtë Kuvendit dhe protestën e deputetëve brenda në sallë, Arta Marku betohet si kryeprokurore e përkohshme.

Të fundit