Flash News
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci
Konstituimi i grupit të dialogut PD-PS, Bylykbashi: Prioritet është Reforma Zgjedhore
Konstituohet grupi i dialogut mes opozitës dhe mazhorancës për ‘Reformat’
Tragjikomedia e AADF me Butrintin: Një i panjohur do të drejtojë bordin shkencor të fondacionit
12-vjet shtet/ Albin Kurti ‘projekton’ Kosovën: Fisnike, madhështore, e panënshtrueshme dhe e vendosur
Kryeministri Albin Kurti ka uruar të gjithë qytetarët me rastin e 12-Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në vitin e parë në krye të qeverisë.
Në video-mesazhin e tij, Kurti thotë se pavarësia është përpjekja vazhdueshme e popullit të Kosovës për të cilën puna nuk përfundon asnjëherë.
“Ajo ishte ideali përbashkues i brezave para nesh dhe vijon të jetë sfida përpara nesh. Sot Kosova është një hap prapa popullit të vet, ajo nuk është në ditët e saj më të mira por populli ka shpresa më të mëdha se kurrë më para. Shpresa e popullit është detyra jonë”, thotë Kurti.
Teksa parashtron objektivat e tij qeverisë, Albin Kurti thotë se Kosova e meriton të jetë fisnike, madhështore, e panënshtrueshme dhe e vendosur.
“Ne të gjithë kemi mospajtimet dhe dallimet tona por si qeveri është koha të marrim vendime. Nuk do t'ju shmangemi vështirësive, por do t'ju bëjmë ballë atyre. Këto vendime do ta lartësojnë Kosovën në nivel me popullin e saj sepse detyra e qeverisë është të jetë në hap me popullin për çfarë i takon dhe meriton ai.
Fisnike, madhështore, e panënshtrueshme dhe e vendosur. Potenciali i popullit të Kosovës ishte shumë më para se kapaciteti i qeverive të deritanishme. Tani do të kemi qeveri që do ti realizojë kërkesat e qytetarëve të saj. Të rinjtë tanë tregojnë më shumë suksese jashtë se këtu. Kjo sigurisht që është e dhimbshme por edhe shpresëdhënëse. E dhimbshme sepse ajo nuk po zhvillohet këtu dhe shpresëdhënëse sepse do të mund të zhvillohet edhe këtu”, vijon Kryeministri.
Në përfundim të mesazhit të urimit, Albin Kurti deklaron se prioritetet e mazhorancës së re në Kosovë.
“Më lejoni që t’jua uroj edhe një herë këtë ditë të rëndësishme për vendin tonë. Të bëhemi bashkë dhe të punojmë për ditë më të mira. Zhvillim ekonomik pra punësim, rend e ligj e siguri, pra drejtësi, arsim dhe shëndetësi, pra mirëqenie. Politika sociale, pra barazi. Politikë e jashtme, pra dinjitet. Integrim evropian, pra përparim. Infrastrukturë dhe energji, pra stabilitet. Kulturë dhe sport, pra gëzim. Dhe mërgata jonë, pra bashkëpunim. Këto janë prioritetet tona. Gëzofshi përherë me më të dashurit tuaj, secili, të gjithë bashkë!”, përfundon Kurti.