13 tetori/ Dekreti i “harruar” i presidentit, pse Meta zgjodhi detin dhe jo qendrën e votimit

Edhe pse e gjitha vera ‘gëloi’ nga debatet dhe replikat në distancë lidhur me zgjedhjet lokale të këtij viti, sot, 13 tetori rezultoi një ditë e qetë dhe aspak të ngjashme me një situatë votimesh, siç e dekretoi presidenti Ilir Meta.

Më 27 qershor, vetëm tri ditë para 30 qershorit, Meta e dekretoi ditën e sotme për zhvillimin zgjedhjeve lokale me Edi Ramën kryeministër, me arsyetimin për zgjidhjen e krizës politike në vend.

Meta e konsideronte ‘nul’ dhe të paligjshëm 30 qershorin pasi në lista ishin regjistruar vetëm kandidatë të mazhorancës dhe asnjë i opozitës së bashkuar.

Zgjedhjet lokale 2019 të 30 qershorit janë të paligjshme, ishin votim dhe jo zgjedhje”, deklaroi Meta në një konferencë për mediat.

Ndërkohë, jo vetëm mazhoranca, por ‘ftesës’ së presidentit nuk iu përgjigj as PD, partia më e madhe opozitare në vend, ndryshe nga partitë e vogla, përfshirë edhe vetë LSI, të cilët pranuan të regjistrohen në KQZ.

Në një reagim për mediat, nënkryetari i PD, Edi Paloka tha se 13 tetori ishte data kushtetuese dhe PD e njeh dekretin e Metës, por demokratët nuk iu ndanë kushtit të panegociueshëm për largimin e kryeministrit Edi Rama.

Meta bënte thirrje për të lejuar institucionet, sidomos KQZ që të nisë procedurat për përgatitjen e 13 tetorit, në kohën kur mazhoranca kishte nisur punën për shkarkimin e tij si kreu i shtetit, me argumentin se ka kryer shkelje të rëndë kushtetuese. PS propozoi dhe ngriti Komisionin e Posaçëm Hetimor, duke përfshirë edhe draft-opinionet e Komisionit të Venecias, nëse presidenti ka shkelur ose jo Kushtetutën.

Në një dalje për mediat, Meta apeloi drejtpërdrejtë kryeministrin që të lejojë këtë datë për tri palë zgjedhje në një ditë, krahas lokaleve të bëhen edhe zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale. Madje, nëse Rama pranonte, Meta tha se ishte gati të linte edhe mandatin e tij si president.

Nëse kërkon kryeministri, unë jam i gatshëm të lë detyrën e Presidentit duke konkurruar në 13 tetor, por vetëm me një kusht që në këtë zyrë të vijë një njeri me integritet”,  u shpreh Meta në fillim të korrikut, madje duke propozuar si kandidat ish-presidentin socialist Rexhep Mejdani.

Por asnjë nga këto propozime nuk ndodhën, duke bërë që Meta jo vetëm të mos dorëhiqet, por të ta gjejë presidentin duke u relaksuar sot buzë detit dhe larg Qendrave të Votimit.