Flash News
Tragjikomedia e AADF me Butrintin: Një i panjohur do të drejtojë bordin shkencor të fondacionit
Lejuan 37 ndërtime të paligjshme, dënohen dy kryeinspektorë dhe inspektorë të IMT në Bashkinë e Lushnjes
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
Makina përplas për vdekje këmbësorin në Fier, shoqërohet shoferi 20-vjeçar
Miratohet raporti, Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshillin e Evropës
15 kullat e reja të Edi Ramës në Tiranë, ekspertët: Mund të hapin një gropë që t’i fundosë të gjithë
Të dhënat demografike e bëjnë të zymtë perspektivën afatgjatë të Shqipërisë në drejtim të konsumit, apo tregut të pasurive të paluajtshme. Kjo nuk i ka penguar sipërmarrësit të rendin drejt ndërtimit të kullave në kryeqytet, në kuadër të planit të ri rregullues të Tiranës, duke rrezikuar krijimin e një mbioferte në tregun e pasurive të paluajtshme, si për apartamente banimi, zyra, hotele e sidomos për hapësira tregtare.
Për dy kullat e para, lejet janë dhënë tashmë. Pak ditë më parë, Këshilli i Rregullimit të Territorit ka dhënë leje zhvillimi për objektin: “Godinë Polifunksionale DTA (DownTown Albania)”, me vendndodhje në bulevardin “Bajram Curri”, me zhvillues “DT1” sh.p.k. Godina pritet të ndërtohet atje ku janë sot lodrat “7 xhuxhat” dhe do të ketë parkim, hapësira tregtare e zyrash dhe objekte banimi.
Një tjetër leje zhvillimi u dha për objektin: “Zgjerim i kapaciteteve akomoduese e shërbimeve të Hotel Tirana International, me shtesë anësore dhe kullë me destinacion Hotel dhe qendër multifunksionale tregtare e shërbimesh”, me vendndodhje në Bashkinë e Tiranës, me zhvillues shoqërinë “Geci” sh.p.k.
Plani i ri rregullues i kryeqytetit nuk i specifikon sa dhe ku do të ngrihen kullat në Tiranë, por ato pritet të zhvillohen përgjatë viteve. Ndërtuesit thonë se në Tiranë pritet të ngrihen rreth të paktën 15 kulla. Urbanistët sqarojnë se plani synon në ndërtimin e disa kullave deri në 40 kate nga qendra përgjatë zonës së Bulevardit të Ri deri te Parku i Liqenit.
Së fundmi, qeveria ka miratuar një projektligj i cili synon negocimin e një kontrate investimi prej 250 milionë dollarësh nga një kompani private nga Dubai, e cila ka shprehur interes për ndërtimin e një kulle në zgjatimin e bulevardit të ri të Tiranës. Investitori është “Al Habtoor Investment LLC”, kurse projekti “Kulla Ikonike e Tiranës”.
Në pak vite, Tirana do të ketë shumë hapësira të lira për t’u ofruara blerësve, në një vend që ende renditet ndër të fundit në Europë për sa u përket të ardhurave për frymë dhe i 106-i në botë, duke lënë pas vetëm Moldavinë dhe Ukrainën, sipas të dhënave nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Ndërtuesit dhe zhvilluesit e pasurive të paluajtshme mbeten skeptikë nëse tregu do të jetë në gjendje të absorbojë gjithë shtesën.
“Oferta e re në planifikim e sipër është shumë e lartë dhe vështirë për t’u thithur nga tregu. Duhet theksuar se Tirana aktualisht mbetet një nga tregjet ku stoku i apartamenteve të pashitura është shumë i lartë”, pohon Stela Dhami, drejtore menaxhuese e agjencisë ndërkombëtare të pasurive të paluajtshme, Colliers International.
Edhe Hajredin Fratari, ndërtues, është i mendimit se Tirana nuk ka fuqi blerëse për apartamente të shtrenjta. “Ka ende pallate shumë të mira që janë gjysmë bosh”, pohon ai. Ai paralajmëron se nga fryrja e ndërtimeve, zhvilluesit e pasurive të paluajtshme mund të bien në gropë, pasi do të krijojë një superofertë.
Më pak skeptik është Arben Dervishi, sekretar i Shoqatës së Ndërtuesve. Ai thotë se ka kërkesë për apartamente cilësore në zona të mira në Tiranë dhe tregu mund të mbajë shtimin e ofertës nga 15 kulla mbi 30 kate. Por, ai paralajmëron se nëse mania e ndërtimit do të kthehet siç ka qenë dikur, atëherë do të ketë kolaps.
Ndërsa mund të ketë ende hapësira për zyra e apartamente, të gjithë janë dakord se për hapësira tregtare (dyqane, apo qendra) tregu është tërësisht i ezauruar.
Por, si shpjegohet kjo rendje drejt betonit?! Ndërtimi është një sektor që ka kthim relativisht të shpejtë dhe të lartë, duke bërë që kapitalet e lira preferohen të orientohen drejt këtij sektori sesa në industri përpunuese, që ka më tepër andralla dhe fitime më të ulëta. Dervishi thotë se në sektorët e tjerë, norma e fitimit është e vogël.
Ndërtuesit, të përfshirë në ngritjen e kullave të para në kryeqytet, shpresojnë se ata do të përfitojnë nga kërkesa e lartë aktuale për të blerë apartamente, apo dhe uria për zyra. Por, nëse do të vazhdojë ndërtimi i tyre, në rreth 15, siç pritet, ata janë të frikësuar se, në afatin e gjatë, nuk do të ketë treg të mjaftueshëm për të gjithë. “Kullat mund të hapin një gropë që mund t’i fundosë të gjithë”, thotë njëri prej tyre, në kushtet e anonimatit.
*Ornela Liperi – Monitor: Qiellgërvishtësit në Tiranë, ndërtuesit paralajmërojnë flluskën