Flash News

OP-ED

Qershor me shi dhe humor të zi

Qershor me shi dhe humor të zi

Naum Mara

Botërori edhe pse filloi në mes të qershorit e dominoi tërësisht muajin në të cilin prisnim të hapnim negociatat me Europën e Bashkuar.

Europa e Bashkuar nuk duket aspak e bashkuar për të marrë vendime për ne dhe emigrantët.

Emigrantët po kalojnë kohë të vështira këtë qershor, në tokë dhe në det jo vetëm për faj të Salvinit, por sidomos të Presidentit Trump.

Presidenti Trump i cili pasi u kthye nga takimi me Kim Xhong-un duket se është lideri botëror më i fuqishëm se kurrë dhe tani mund t’ja hedhë edhe organizatorit të Botërorit, Vladimir Putin.

Vladimir Putin fitoi zgjedhjet me manipulime edhe pse mund t’i fitonte edhe pa i manipuluar , por duket se pushteti nuk i shijon pa ndjerë se mund të manipulojë zgjedhjet kudo, bile edhe në Amerikë, Gjermani dhe Francë.

Në Francë ishte edhe Rama në një audiencë jashtë çdo protokolli me Makronin sipas Nazarkos 1, edhe pse është tifoz i Italisë.

Italia për të përmirësuar ekipin kombëtar krijoi një qeveri populiste.

Populisti më i shquar në Tiranë është Erion Veliaj, i cili po bind aktorët se jo vetëm duhet prishur Teatri, por edhe se janë të domosdoshme Kullat.

Kulla më e përfulor në Shqipëri ka qënë Kulla Vrojtuese në Korçë, edhe ajo e filluar në qershorin e katër viteve më parë, kur njerëzit ishin me mendje te Botërori.

Botërori i këtij viti ka pasur deri tani dy kulme, shqiponjat e Xhakës dhe Shaqirit dhe eliminimin e Gjermanisë.

Gjermanisë, sipas një mikut tim aspak racist, po i shkon futbolli teposhtë se në ekip ka futur zezakë dhe turq.

Turqit janë të ndarë për gjysëm pro dhe kundër Erdoganit.

Erdoganin e do Rama dhe 60% e shqiptarëve, si dhe 80% e shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë.

Maqedonia, sipas marrëveshjes me Greqinë, do quhet tani Maqedonia e Veriut dhe nuk do ketë një Maqedoni të Jugut, për deri sa nuk kanë shpallur ndonjë Republikë Autonome shulet e Prespës.

Prespa është Liqeni ku ndahen kufijtë e tre shteteve fqinjë të dashur me njëri-tjetrin, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Greqia.

Greqia po del nga kriza, se për herë të parë pas kaq vitesh lidhi kravatën Cipras.

Cipras pa kravatë nuk e ka ftuar kurrë Ramën me atlete në Greqi dhe as e ka vizituar Tiranën.

Tirana këtë qershor është mbytur në shi dhe më keq e ka pësuar Biblioteka Kombëtare, pasi Sheshi Skënderbej mori, si hapësirë publike, çmim ndërkombëtar.

Çmim ndërkombëtar pritet të marë edhe Pazari i Korçës, por edhe ai u bë det para disa ditësh, se edhe në Korçë ka nisur të bjerë shumë shi.

“Shiu i ngrohtë, shiu i dashurisë“ nuk mundi të depërtonte në dy Toyotat Yaris, ku mund të dëmtonte 3.4 milion euro.

Euroja më shumë ulet se sa ngrihet, në sajë të parave, të nxjerra me djersë, por që për këtë shkak quhen edhe “të pista”, që futen anekënd Shqipërisë, të përkrahura nga kjo Qeveri e ndotur, të cilën jo shi qershori, që nuk mund ta lajë, por sikur gjithë vitin në pritje të negociatave të bjerë me gjyma, nuk mund t’ja lehtësojë sadopak erën e korrupsionit.

Të fundit