Flash News

KRYESORE

17 nëntori, dita e kujtesës për një brez që humbi të ardhmen

Romeo Gurakuqi

73 vjet më parë, me 17 nëntor 1944, Tirana u zu plotësisht nga forcat e UNÇSH dhe rezistenca e 300 forcave te garnizonit gjerman këtu mori fund.

Por, ata që erdhën, megjithëse thirreshin çlirimtarë, nuk sollën lirinë e shumëpritur për qytetarët e thjeshtë të këtij qyteti paqësor, te njerëzve mikpritase dhe tolerantë. Qëndrimi i shumicës së qytetarëve të Tiranës ndaj partizanëve nuk ka qenë i gëzueshëm dhe i shpenguar.

Ditët e para të lirisë nuk kanë qënë mirëfilli të tilla, por edhe ata që pasuan kanë qenë ditë ankthi dhe dhune, që ndërroi tanimë kah. Partizanët, nën justifikimin e kapjes së kolaboracionistëve, ushtruan një dhunë të paparë mbi popullsinë civile dhe përdorën me forcë banesat e qytetarëve të Tiranës si strehim me pa hir. Një pjesë e djemve të familjeve të vjetra dhe të reja të kryeqytetit u ekzekutuan pa asnjë shkak. Shume nga gjyshërit tanë u detyruan për ditë të tana, të bëjnë një jetë pa u dukur, për t'i shpëtuar arbitraritetit dhe tekave të çlirimtarëve.

Janë ditët e fillimit të një imponimi politik dhe ushtarak, të eliminimit të një qytetarie tiranase, të krijuar në kohën e Shqipërisë së parë shteterore (atyre që erdhën këtu, nga Shkodra, Korça, Elbasani, Gjinokastra, Berati, Vlora, Dibra, Gjakova, kur kjo qendër u shpall kryeqytet i Shqipërisë) dhe krijimit të një “qytetarie” të re, të përbërë nga komponentë partizanë, që do zaptojnë pasurinë dhe lirinë e banorëve te vjetër.

Mbi kryeqendrën e Shqipërisë ndodhi gradualisht një proces ndryshimi thelbësor në kulturën qytetare, cilësinë e elitës drejtuese, gjuhën e folur dhe mentalitetin e shoqërisë së re. Nga një qytet i paqtë, ai u shndërrua në një qytet të frikshëm.

Ndodhi jo vetëm shkatërrimi i regjimit të vjetër tradicional shqiptar, por edhe eliminimi i elitës drejtuese intelektuale dhe profesioniste të vendit.

Sot është dita për të nderuar viktimat e terrorit të kuq në Tiranë. Eshtë dita për të nderuar kujtimin e një brezi të rinjsh dhe të rejash të kryeqytetit, për të cilët nga kjo ditë, filloi diegia e të ardhmes, e shpresës dhe e andrrave, që vetëm kjo qendër qytetare, e ndërtuar nga vendasit dhe etërit e shtetformimit, mund t'ua krijonte.

Asht dita e kujtesës për një brez të tanë që humbi të ardhmen.

Të fundit