19.1% më pak kosovarë vizituan Shqipërinë vitin e kaluar, taksa për ‘Rrugën e Kombit’ pritet të përkeqësojë situatën

Me 19.1% u ul numri i shtetasve të Kosovës që hynë vitin e kaluar në Shqipëri. Nga 2 milion e 157 mijë kosovarë që kaluan kufirin me Shqipërinë në vitin 2016-të, për 2017-ën kjo shifër u ul në 1 milion 745 mijë.

Shumë turistë nga vendi fqinj ankohen për çmimet e padrejta dhe mungesën e kushteve në plazhet shqiptare. Duke qenë se autoritetet vendore dhe qendrore nuk kanë marrë asnjë masë për të përmirësuar situatën, kryesisht në plazhet e veriut, kosovarët po përgjigjen duke braktisur Shqipërinë.

Ndërkohë, vendimi i kryeministrit Edi Rama për të vendosur 10 euro taksën që duhet të paguajë çdo qytetar që lëviz në autostradën Durrës-Kukës, pritet të përkeqësojë situatën. Ende pa hyrë në fuqi vendimi, disa ministra, biznese dhe agjenci turistike në Kosovë kanë filluar të shfaqin pakënaqësi dhe kanë paralajmëruar masa.

Shtetasit nga Kosova janë të rëndësishëm për ekonominë shqiptare, jo vetëm në fushën e turizmit, por edhe në biznes. Ata përbëjnë numrin më të lartë të të huajve që hyjnë në Shqipëri.

Nga 5 milion e 117 mijë të huaj që hynë vitin e kaluar në vendin tonë, 1 milion 745 mijë ishin nga Kosova, të ndjekur nga 671 mijë shtetas të Maqedonisë, 489 mijë shtetas të Greqisë dhe 363 mijë nga Italia.