Flash News

KRYESORE

2 Korrik 1990, një datë, dy ngjarje të mëdha, në Tiranë e në Prishtinë

2 korrikun e 1990-s dy kryeqytetet shqiptare, Tirana dhe Prishtina e kanë një ngjarje të shënuar. Vëmendja e Perëndimit dhe Botës, si asnjëherë tjetër më parë u drejtua tek shqiptarët, tek ajo që po ndodhte në Tiranë, kur afro 5000 shqiptarë sfiduan diktaturën e egër komuniste dhe izolimin 45-vjeçar të saj, duke hyrë në ambasadat e vendeve perëndimore dhe, njëkohësisht, në Prishtinë, kur delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, miratuan Deklaratën Kushtetuese të pavarësisë së Kosovës, e njohur si Deklarata e 2 Korrikut.

Në Shqipërinë komuniste kjo ngjarje, shpërthimi i ambasadave, ishte shpresa për ndryshime të mëdha, për rëndien përfundimtare të “Murit të Berlinit” edhe në Shqipëri, muri i fundit i rrëzuar në Evropën komuniste.

Ndërsa në Prishtinë Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990 ishte akti që do të shënojë hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake.

Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave e shpallën në Prishtinë 111 delegatët shqiptarë, po edhe të komuniteteve të tjera të Kuvendit të Kosovës. Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut shënon edhe pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar që të trajtohet si e barabartë me republikat e atëhershme socialiste në federatën jugosllave.

Të fundit