Flash News

OP-ED

2 korriku që nuk ndalet

2 korriku që nuk ndalet

Patrik Sadikaj

Sot është 2 korrik 2018. Plot 28 vite më parë ishim po kështu siç jemi sot. Mendjen e mbledhur top për të gjetur një biletë avioni, trageti apo autobusi e për të ikur nga sytë këmbët. Atë ditë të nxehtë vere, shqiptarët iu turrën ambasadave për të marrë frymën e lirë të Perëndimit, të asaj Europë që atë kohë dukej aq afër.

Ishte një shkëndijë shprese që u ndez nga disa djem e vajza të reja që thyen kangjellat e hekurta të diktaturës dhe kaluan atë prag të robërisë, duke marrë frymë, erën e demokracisë që për 45 vitë u ishte shitur si helm. Pas 2 korrikut 1990, Shqipëria nuk ishte më bunkeri të cilit nuk kishin çfarë t’i bënin më “armiqtë” perëndimorë.

Që prej asaj dite kur kamioni model lindor theu portën e hekurt të Perëndimit, shqiptarët nuk e kanë ndalur ikjen. Pas ambasadave, tragetet, peshkarexhat, varkat, skafet e deri sot avionët, kanë marrë me vete mijëra e mijëra shqiptarë, duke shënuar një prej eksodeve më të mëdha që ka njohur historia.

Sot është 2 korrik 2018. Jemi vetëm 4 ditë pas vendimit të Europës për të na shtyrë edhe më derën e oborrit të saj. 28 vjet vrapimi drejt ëndrrës europiane shkuan kot. Shkuan kot sepse sot, në vend që t’i afrohemi ëndrrës, i jemi largua kaq shumë sa, një Zot e di se kur do të kemi shansin ta rishohim. Pikërisht kur dera e BE-së na është përplasur në fytyrë, jemi me valixhe në dorë për të ikur. Dy në tre persona të thonë se po kërkojnë mundësi sesi të ikin, pak rëndësi ka se ku. Mjafton që të ikësh prej këtij vendi që, në mos në diktaturë si dikur, sot është nën diktaturën e varfërisë, krimit e pashpresës.

Shqiptarët duan të bëjnë të kundërtën e asaj që u ofron qeveria. Derën e mbyllur, do që ta hapë me një tjetër 2 korrik. Këtë here, jo si dikur duke thyer dyer ambasadash apo duke i hipur vdekjes me anijet e kalbura të komunizmit. Sot është një eksod i madh, i heshtur. Sot po ikin nga sytë këmbët, ata që në këtë vend nuk i duan më. Ata që shpresën e kanë varrosur në valixhet e tyre mërgimtare. Po ikën populli. Më mirë në burg në Itali, sesa pa të ardhme në Shqipëri. Kjo nuk është historia vetëm e vlonjatit që bëri bujë matanë detit, por historia e çdo shqiptari që sheh se si ajo shpresa e 2 korrikut 1990 po vritet.

Sot është 2 korrik 2018. Jemi po aty, si dikur duke thirrur liri-demokraci. Po aty duke kërkuar pak ajër, pak shpresë. Jemi në shkallët e avionëve duke shtyrë njëri-tjetrin, njësoj si dikur mbi kangjellat e ambasadave, që të ikim sa më shpejt nga ky vend. Në fakt, ata që sot na qeverisin duke mbyllur dyert e BE-së, këtë duan. Të ikin sa më shumë, që të mos ketë kush të ngrejë dorë e t’u thotë: Stop!

Sot, në fakt, është koha që sa më shumë të rrimë. Madje të kthehen edhe ata që rrinë poshtë urave në Francë e Gjermani e t’i japin jetë shpresës, këtu në këtë vend që ëndërruam si gjithë Europa. Vetëm duke e ndalur diktaturën e varfërisë, e ndërtojmë Europën këtu. Nësë ikim, atëherë 2 korriku 1990 do të mbetet thjesht si dita e parë e eksodit të shpresës.

Të fundit