Flash News

KRYESORE

2018-ta në oborrin e Partisë Demokratike: Skandalet, ristrukturimi dhe sfidat e reja

Viti 2018-të do të niste për Partinë Demokratike me një protestë masive përpara Kryeministrisë. Më 27 janar, një numër i madh qytetarësh do i bashkoheshin thirrjes së Lulzim Bashës për të kërkuar një qeveri anti-mafia dhe zgjedhje të lira, të pandikuara nga paratë e drogës. Ishte kjo protestë që, siç paralajamëroi edhe Basha, do të përcaktonte sjelljen dhe përballjen e opozitës me mazhorancën për gjatë gjithë vitit.

Denoncimi i skandaleve

Që në ditët e para të janarit, denoncimi i deputetit Bardh Spahia se në maternitetin e Tiranës kishin humbur jetën 11 foshnje në një kohë të shkurtër, tronditi opinionin publik. Pavarësisht se zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë i mohuan akuzat, ato do të konfirmoheshin në fund të vitit, si një skandal tragjik, për të cilin askush nuk po mban përgjegjësi.

Përjashtimi i 20 mijë familjeve nga ndihma ekonomike u kthye nga PD në kauzë që detyroi edhe qeverinë të pranonte gabimet fatale. Denoncimi në Kuvend dhe në terren, i rasteve ku fëmijëve që nuk kishin mundësi të ushqeheshin, iu ishte hequr edhe ajo ndihmë minimale, detyroi zyrtarët e qeverisë të pranonin se gjatë procesit të identifikimit të familjeve në vështirësi, kishte patur edhe raste të neglizhimit.

Paralelisht me pamjet tronditëse që vinin nga familjet e varfra shqiptare, opozita kishte filluar përballjen me qeverinë për koncesionet e inceneratorëve. Në Kuvend, u zhvilluan interpelanca për inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, për të cilët demokratët ngrinin akuza të forta për mënyrën se si ishin zhvilluar tenderat, si dhe për personat anonimë që qëndronin pas tyre.

Opozita do të ashpërsohej në deklarata kur në fund të muajit shkurt, në Durrës, u sekuestruan 812 kilogramë kokainë, sasi rekord për Shqipërinë. Në Kuvend, demokratët ngritën alarmin për degradimin e sigurisë në vend dhe për kthimin e Shqipërisë në rrugë kalimi për trafikun e kokainës.

Ishte protesta e kuksianëve, më 31 mars, që e nxorri sërish opozitën në rrugë për të kërkuar më shumë të drejta për qytetarët dhe bizneset. Më 5 prill, pas protestave brenda sallës së Kuvendit, PD dhe LSI vendosën bllokimin e disa akseve kryesore kombëtare për të bërë të mundur që disa kërkesa të tyre të zbatoheshin nga qeveria. Kryesorja lidhej me lirimin e 11 qytetarëve të Kukësit që mbaheshin në qeli për shkak se kundërshtuan tarifën në Rrugën e Kombit. Heqja e kësaj tarife ishte gjithashtu kërkesë e opozitës, duke përfshirë edhe heqjen e TVSH-së për biznesin e vogël.

Muaji maj do të intensifikonte përplasjet opozitë-qeveri pas publikimit të skandalit të Agron Xhafajt, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Publikimi i dokumentit që vërtetonte se Agron Xhafaj ishte i dënuar në Itali për trafik droge, ndërkohë që qëndronte i fshehur në Shqipëri, u pasua me publikimin e videos së Albert Veliut, i njohur ndryshe si ‘Babalja’. PD mori përsipër publikimin e asaj video pasi, siç u shprehën zyrtarët demokratë, asnjë prej televizioneve nuk pranoi ta transmetonte.

‘Babalja’ ishte një arsye e fortë që opozita të protestonte sërish më 26 maj, në bulevardin kryesor të Tiranës, duke kërkuar dorëheqjen e Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm. Ndërkohë, vëllai i ministrit ndodhej në Itali për të shlyer dënimin.

Në muajin qershor, opozita e drejtuar nga Basha nisi përballjen në disa fronte, kjo për shkak të veprimeve arbitrare të qeverisë.

Çështja e Teatrit Kombëtar do të mbizotëronte në muajin e parë të verës, ndërkohë që opozita kundërshtonte shembjen e godinës si në debatet parlamentare, ashtu edhe në mbështetjen që i dha protestës së artistëve dhe shoqërisë civile.

Po në këtë muaj, Lulzim Basha denoncoi nga foltorja e Kuvendit sekuestrimin e 3.4 milionë eurove brenda një automjeti ‘Toyota Yaris’, në portin e Durrës. Si të përfshirë në këtë skandal, Basha akuzoi Taulant Ballën, kryetar i Grupit Parlamentar të PS, dhe më pas edhe dy deputetë të tjerë, Ulsi Manjën dhe Jurgis Çyrben.

Muaji gusht, përveç temperaturave të larta, u nxeh edhe me skandalet e denoncuara nga opozita kryesisht për korrupsionin e disa koncesioneve dhe lidhjen e Taulant Ballës me Edmond Begon, një ish-dënuar për trafik droge.

Vera u shoqërua gjithashtu me disa vrasje të bujshme dhe të shpeshta në të gjithë vendin, çka ngriti një shqetësim të madh te qytetarët për nivelin e sigurisë. Duke iu përgjigjur këtij shqetësimi, opozita vendosi të bojkotojë Kuvendit në sesionin e ri dhe të ndërmarrë një tur në qytete të ndryshme për t’i garantuar qytetarët se të paktën ajo nuk i kishte braktisur.

Paralelisht me takimet dhe denoncimet për bandat që kontrollojnë shumë qytete, Lulzim Basha prezantoi nismën për vetting në politikë. Që në momentet e para kjo nismë hasi në kundërshtimin e mazhorancës, çka përcaktoi edhe fatin e saj, rrëzimin pas disa muajsh në Kuvend nga socialistët.

Demokratët nuk lanë jashtë vëmendjes edhe ekonominë, duke prezantuar platformën për ta çliruar atë nga monopolet dhe oligarkia. Basha publikoi një listë të gjatë me emrat e biznesmenëve, që i akuzoi si klientë të kryeministrit Rama apo se kishin përfituar koncesione të dyshimta. Paralajmërimi i demokratëve është i qartë, anulimi i çdo koncesioni korruptiv sapo të vijnë në pushtet.

Muaji tetor solli shkarkimin e Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm, kërkesë që opozita e kishte bërë në gjysmën e parë të vitit.

Por ndërkohë, Rama duhet të përballej me një tjetër skandal brenda partisë së tij, atë të Rexhep Rrajës, djali i deputetit socialist Rrahman Rraja. Ndonëse ish-kryeministri Sali Berisha e kishte bërë publik skandalin që në muajt e verës, ku Rexhepi akuzohej për dhunë dhe përndjekje të ish-të dashurës, Xhisiela Maloku, ngjarja mori përmasa të tjera me dëshminë në media të nënkomisarit Emiljano Nuhu.

Opozita do të fokusohej sërish në akuzat politike, ku në qendër ishin deputetët Rrahman Rraja dhe Taulant Balla, si dhe kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi.

Përplasja opozitë-mazhorancë u zhvendos këtë periudhë edhe në Bruksel, ku deputetët demokratë folën në Parlamentin Europian për skandalet e zyrtarëve socialistë.

Padi ndaj kryeministrit Edi Rama në Gjykatë për kërcënimin e nënkomisarit Nuhu, akuza ndaj Erion Veliajt dhe Saimir Tahirit, ishin disa nga aksionet e opozitës gjatë tetorit.

Dy muajt e fundit e gjetën Partinë Demokratike në një proces riorganizimi, ndërkohë që në periferi të Tiranës kishte filluar protesta e banorëve të ‘Unazës së Re’. Opozita i dha mbështetje banorëve protestues që në ditët e para, ndërkohë që denoncuan skandalin me tenderin e zhvilluar për këtë projekt. Skandali i konkurrimit me kompani fantazmë, shifra e çmendur prej 20 milionë euro për një kilometër dhe devijimi i projektit, ishin disa nga shkeljet që PD dhe LSI i bënë publike.

Deputetët e opozitës dhe kryetari Basha iu bashkuan personalisht banorëve protestues, të cilët vijojnë të kërkojnë dëmshpërblim real për banesat e tyre që planifikohen të shemben si pasojë e zgjerimit të rrugës.

Pavarësisht të gjithë këtyre skandaleve që opozita kishte denoncuar përgjatë vitit, edhe me “ndihmën” e qeverisë, dukej se ato nuk po jepnin efekt te qytetarët, të cilët dukeshin të përgjumur dhe të gatshëm për t’u larguar një orë e më parë nga vendi.

Ky pretendim do ishte i saktë po të mos ishte për studentët e Fakultetit të Arkitekturës, të cilët më 4 dhjetor, braktisën mësimin për të protestuar kundër tarifave të larta. Mjaftoi kjo shkëndijë që pak ditë më pas, mbi 20 mijë studentë të mblidheshin poshtë Ministrisë së Arsimit për të kërkuar përgjysmim të tarifave dhe kushte më të mira në auditore dhe konvikte. Ata janë të bindur se paratë ekzistojnë, mjafton që qeveria të ndërpresë koncesionet korruptive dhe financimet t’i përdorë për nevojat e qytetarëve.

Ndërkohë që studentët protestonin, në media u denoncua edhe skandali ‘DH Albania’, kompania që ka fituar një prej loteve të ‘Unazës së Re’ dhe që rezulton të jetë ‘fantazmë’. Ky denoncim konfirmoi akuzat që opozita kishte bërë që në krye të herës për projektin.

Opozita e dominoi vitin 2018-të duke bërë publike skandalet pothuajse për çdo ministër të qeverisë dhe në aspektin politik, rezultati u ndje vetëm në fund të dhjetorit. Më 28 dhjetor, kryeministri Rama vendosi të shkarkojë shtatë ministra nga qeveria, ndër të cilët është vështirë të gjesh dikë që nuk është akuzuar nga opozita për përfshirje në skandale korruptive. Sigurisht, kryeministri nuk do ia lejonte vetes që opozita të merrte meritat politike për shkarkimet, duke ia atribuuar vendimin e paprecedentë, protestës së studentëve, që në fakt i dha një shkundje të fortë të gjithë klasës politike në Shqipëri.

‘Mother Jones’ dhe akuza për lobimin

Përgjatë këtij viti, Partia Demokratike nuk ka qenë vetëm në rolin e akuzuesit, por është ulur edhe në bankën e të akuzuarit nga kundërshtarët politikë.

Në mars të 2018-ës, një media pak e njohur në SHBA, ‘Mother Jones’ do të publikonte një artikull ku hidheshin dyshime për përfshirjen e biznesmenëve rusë në kompaninë “Biniatta Trade LP”, të cilën PD e kishte paguar për të lobuar pranë zyrtarëve amerikanë.

Partia Socialiste dhe disa media të majta nuk ngurruan as të ngrinin akuza se Lulzim Basha ishte ‘kapur’ nga rusët. Kësaj akuze iu bashkua edhe akuza për manipulim të shifrave të raportuara nga demokratët për pagesat që kishin kryer për lobim në SHBA.

Kryedemokrati Basha u përgjigj se ishte i gatshëm të hetohej për çdo pretendim sa i përket lobimit, por gjithsesi, akuzat i konsideroi përpjekje të qeverisë për të larguar vëmendjen nga skandalet.

Ristrukturimi dhe përplasjet brenda partisë

Në vitin 2018-të, Lulzim Basha ndërmori një nismë të gjerë për të ristrukturuar të gjithë Partinë Demokratike dhe për ta përgatitur për zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm.

Në fund të muajit prill, PD mblodhi Kuvendin Kombëtar, ku u miratua statuti i ri i partisë. Pavarësisht thirrjes së Bashës për bashkimin e çdo demokrati, kundërshtarët e tij si, Jozefina Topalli, Astrit Patozi apo Arben Imami nuk u bënë pjesë e Kuvendit.

[caption id="attachment_230355" align="alignnone" width="1280"] MBLEDHJA E KËSHILLIT KOMBËTAR TË PD-SË[/caption]

Në atë Kuvend, Basha mori përgjegjësinë edhe për humbjen e PD-së në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2017-të.

Deri në fund të vitit, Partia Demokratike zhvilloi zgjedhjet në degët në të gjithë Shqipërinë. Kryetarë të rinj u zgjodhën edhe në ato degë që kishin vite që nuk funksionin, ndërkohë që në muajin dhjetor u mblodh Këshilli Kombëtar.

170 anëtarë u zgjodhën në këtë këshill, nga 352 demokratë që kandiduan. Në sy ra rikthimi i Aleksandër Biberajt dhe Gazmend Oketës në parti, ndërkohë që Jozefina Topalli, Arben Imami, Majlinda Bregu dhe Astrit Patozi u larguan përfundimisht nga strukturat e PD-së.

Përpara votimit ishin gjithashtu shtatë demokratë, që njihen si pjesë e grupit anti-Basha, që u tërhoqën nga kandidimi për t’u bërë pjesë e Këshillit Kombëtar.

Ndryshe nga 2017-ta, ky vit rezultoi i qetë sa i përket konflikteve brenda Partisë Demokratike. Akuzat e kritikëve të Bashës u rralluan dhe u përqëndruan në pak studio televizive.

PD në 2019-ën

Ecuria e politikës për 2019-ën mund të përcaktohet që në ditët e para të vitit. Studentët kanë paralajmëruar se do të rikthehen sërish në protesta për të kërkuar realizimin e tetë pikave që ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së arsimit në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama ka bërë disa përpjekje për të krijuar një “pakt” me studentët, por deri më tani nuk ka plotësuar asnjë prej kërkesave.

Në rast se protestat e studentëve rikthehen të fuqishme si ato të ditëve të para të dhjetorit, atëherë Partia Demokratike duhet të gjejë vendin e saj në këtë lëvizje që godet të gjithë klasën politike. Studentët refuzojnë fort çdo përfshirje politike në protestë dhe demokratët kanë për detyrë të fitojnë besimin e këtyre të rinjve.

Kryeministri Rama ka bërë një tjetër lëvizje në ditët e fundit të 2018-ës duke ndryshuar 60% të qeverisë. Për PD-në beteja do të nisë në 2019-ën me ministra të rinj që janë shumë pak të njohur për publikun.

Reforma zgjedhore pret gjithashtu zgjidhje, ndërkohë që zgjedhjet lokale të qershorit janë testi i vërtetë për opozitarizmin gjashtë vjeçar të Lulzim Bashës.

Disa procese të tjera priten të zhvillohen vitin e ardhshëm dhe ku Partisë Demokratike i lind e drejta dhe detyra për të qenë në krye të diskutimeve.

Ligji për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar është ende në fuqi, por opozita e ka përcaktuar kundërshtimin e saj për këtë çështje si vijë të kuqe. Çështja e banorëve të ‘Unazës së Re’ nuk ka marrë ende zgjidhje, ndërkohë që qeveria nuk duket se është pranë vendimit për dëmshpërblimin e familjeve që preken nga shembjet e shtëpive.

Pasi dështoi në 2018-ën për hapjen e negociatave, qeveria shqiptare ka bërë shumë pak për plotësimin e kushteve të vendosura nga Brukseli. Një tjetër refuzim nga Bashkimi Europian për të nisur procesin e anëtarësimit do të ishte goditje fatale për vendin, ndërkohë që opozita duhet të paraqesë zgjidhjen për ngërçin Tiranë-Bruksel të krijuar gjatë qeverisjes së Ramës.

Në 2019-ën pritet të merret gjithashtu vendimi për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili po hetohet për lidhjet me bandën e Habilajve. Tahiri ka qenë politikani më i sulmuar te socialistët nga opozita, pas kryeministrit Edi Rama, ndërkohë që vendimi i Gjykatës, sido që të jetë, do ketë ndikim të madh edhe te politika.

Të fundit