Flash News
Vendimi për çështjen e vulës, Bardhi: Gjykata e Lartë t’i japë fund absurdit, PD i përket anëtarëve të saj
Nasip Naço del nga SPAK: U pyeta për çështjen ÇEZ-DIA, kam folur me letra, jo me heshtje
Shtyhet sërish seanca për Berishën, shkak mungesa e prokurorëve
Investimi në Sazan/ Rama pyetet pse nuk shpall tender kombëtar: Do shqyrtojmë aplikimin
Paraqitet në SPAK, ish-ministri dhe deputeti socialist, Nasip Naço
2019: Pse Shqipëria do të vuajë nga rënia e ‘rendit të ri botëror’?
Alfred Lela
Një op-ed i Mitt Romney-t, dy herë kandidat për president i SHBA-ve, publikuar në gazetën armiqësore me Trump Washington Post, ngre, ndër të tjera, një pyetje kryesore: A do t’i bashkohet senatori Republikan shumicës në Senat për të kërkuar një impeachment të Trump? Apo shkrimi i tij ishte thjesht një preambul e qëllimeve të ish-guvernatorit të Massachusetts për të garuar sërish për Shtëpinë e Bardhë nën siglën Republikane?
Ngjarjet politike shpalosen duke ndodhur dhe kjo aksiomë i ka kapur shpesh gafil, si analistët ashtu dhe kompanitë e sondazheve. Edhe në Amerikë, meqë me të fillon ideja e këtij shkrimi; më shumë të papërgatitur edhe në Shqipëri.
Çfarë përmban kutia që pritet të hapet ditë pas dite gjatë vitit 2019 në oborrin e ngjarjeve shqiptare, politike e të tjera?
Pa një kontekst botëror do të ishte i kotë këndvështrimi i ngjarjeve. Burri në krye të punëve të vendit më të rëndësishëm të botës, Amerikës, te e cila shqiptarët e kthejnë shpesh kokën për shpresë, është në më të paktën i paparashikueshëm. Një kthesë amerikane e paralajmëruar nga Bolton në lidhje me kufijtë kosovaro-serbë dhe mungesa e një Ambasadori amerikan në Tiranë dëshmojnë se çështja shqiptare në një adminstratë amerikane trumpiane (që nuk do të thotë Republikane) është lënë jashtë në të ftohtë.
Vlerësimi, me anë të një letre, që Trump i bëri aktit të dëbimit të diplomatëve iranianë nga Tirana, është një bravo për stilin më shumë se sa për thelbin. Trump i pëlqen gjestet prej sherifi kundër ‘bad guys’. Amerika, sigurisht, as kur vjen puna te Irani, nuk ka nevojë për duart e Shqipërisë për t’i nxjerrë gështenjat nga zjarri.
Aleanca amerikane me Shqipërinë dhe vende të ngjashme me të është e bazuar në filozofi më shumë se sa në reciprocitet. ‘Rendi i ri botëror’ i pas viteve ‘40 të shekullit të shkuar është krijuar nga Amerika dhe zhvlerësimi i tij nuk lë jashtë Amerikën, por vende si Shqipëria.
Në një botë izolacioniste Shqipëria do të futet sërish në të ftohtë, për të cituar titullin e librit të Gabriel Partosh ‘Bota që erdhi prej të ftohtit’.
Në një rend të ri, ku vetëm forca, reciprociteti pa filozofi dhe izolacionizmi pa empati luan rol, dhe logjika bazohet te ‘it is business, nothing personal’, nuk vuan vetëm skakiera e marrdhënieve ndërkombëtare, por edhe peizazhet politike kombëtare bëhen të thepisura. Frika nga rrëshqitja në kaos dhe pasiguri i bën ambasadorët dhe emisarët e huaj të parapëlqejnë autoritetin disruptiv në vend të bashkëjetesës politike eruptive.
Shqipëria mund të shërbejë si model i kësaj qasjeje të re ndërkombëtare. Përballë një lideri tekanjoz si Rama dhe një qeverie qartësisht të zhytur në akte korruptive skandaloze, ka rezistuar në memecëri heshtja e të huajve. Edhe nëse i zbret këtij qëndrimi tezën e realpolitikës se ‘ambasadorët përfaqësojnë shtetet e tyre pranë qeverive të vendeve pritëse’, ka sërish mjaftueshëm numerologji që të lejon të shpresosh, të paktën për minuta shtesë në lojë, ashtu si në futboll.
Ajo që po ndodh është e qartë dhe e trishtë: Rendi i ri botëror është duke zhbërë premisat dhe filozofinë mbi të cilën u ndërtua rreth 80 vjet më parë. Rënia e këtyre premisave botërore zvogëlon vëmendjen për standardet lokale, siç është rasti i Shqipërisë.
Nuk ka rëndësi kush e ka pushtetin në Tiranë. Në të gjitha rastet, për Shqipërinë ky shënon një lajm të keq. Nën këtë shenjë do të vazhdojë 2019-a. Dalja prej kësaj reje kërkon një diell që mund të lindë në Tiranë, si protesta e studentëve.
Nuk do të mjaftonte megjithatë pa një kontekst mbështetës dhe pozitiv botëror. Kërkohet një Apollo 19 që nis drejt lartësive apolloniane shpresën e një dizajni botëror, mbështetur fort te rendi i mëhershëm amerikan, përcjellë prej Roosevelt-it, Kennedy, Reagan-it, Bush-it (Senior e Junior) dhe Clinton.